Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: urdhërimet e Tënzot janë rrugë drejt lirisë

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet të rinjve në Mesazhin për Ditën e 25-të Botërore të Rinisë, më 22 shkurt 2010, si edhe besimtarëve palermitanë, në meshën e kremtuar në Palermo, më 3 tetor 2010

R.SH. – Vatikan

 Jezusi i kujton djalit të pasur dhjetë Urdhërimet e Tënzot, si kushte të nevojshme për “të marrë si trashëgim jetën e pasosur” – Joseph Ratzinger komenton shëmbëlltyrën e djalit të pasur, treguar në katër Ungjijtë sinoptikë, në Mesazhin drejtuar pikërisht të rinjve, për Ditën Botërore të tyre, më 2010. Urdhërimet janë pika referimi themelore për të jetuar në dashuri, për të dalluar qartë të mirën nga e keqja e për të organizuar një projekt të qëndrueshëm jete. Natyrisht, është fjala për kërkesa kundër rrymës, në krahasim me mendësinë aktuale, që propozon një liri pa vlera, pa rregulla, pa norma objektive, e cila fton të refuzohet çdo kufizim për dëshirat e momentit. Por ky lloj propozimi, në vend që të na çojë drejt lirisë së vërtetë, e bën njeriun skllav të vetvetes, të dëshirave të tij të atypëratyshme, të idhujve si pushteti, paraja, kënaqësitë e shfrenuara dhe joshjet e botës, duke e kthyer në një njeri të paaftë për të ndjekur thirrjen e lindur për dashuri.

Zoti na i jep urdhërimet, sepse dëshiron të na edukojë për lirinë e vërtetë, dëshiron të ndërtojë bashkë me ne një Mbretëri dashurie, drejtësie dhe paqeje. T’i dëgjojmë e t’i vëmë në jetë nuk na bën si të ardhur nga ndonjë planet tjetër, - vëren më tej Papa Benedikti XVI - por do të thotë të gjejmë udhën e lirisë e të dashurisë së vërtetë, sepse urdhërimet e Tënzot nuk na e kufizojnë lirinë, por na tregojnë si ta arrijmë atë. Në fillim të dialogut me djalin e pasur, Jezusi na kujton se ligji i Hyjit është i mirë, sepse “Zoti është i mirë”.

Jezusi i edukoi dishepujt të kenë gjithnjë e më tepër fe, të besojnë dhe ta lëshojnë gjithnjë e më shumë veten në dorën e Tij, për ta ndërtuar kështu jetën mbi shkëmb. Për këtë arsye, ata i kërkojnë: “Na e shto fenë” (Lk 17,6). Besimtarëve palermitanë, që ndjekin meshën e kremtuar në Palermo, më 3 tetor 2010, Ati i Shenjtë u thotë se është e bukur kjo kërkesë, që i bëjnë Zotit nxënësit e tij, është kërkesë themelore: dishepujt nuk kërkojnë dhurata materiale, nuk kërkojnë privilegje, por duan hirin e fesë, që ua orienton dhe ua shndrit gjithë jetën; duan hirin për ta njohur Zotin e për të pasur marrëdhënie të ngushta me Të, duke marrë prej tij gjithë dhuratat, që u jep: guximin, dashurinë e shpresën.

Pa iu përgjigjur drejtpërdrejt lutjeve të tyre, Jezusi përdor një imazh paradoksal për të shprehur gjallërinë e pabesueshme të fesë. Ashtu si me një levë mund të zhvendosësh gjithë botën, ashtu edhe me fenë, vetëm me pak fe, mund të bësh gjëra të pamendueshme, të jashtëzakonshme, si për shembull, të çrrënjosësh një pemë të madhe e ta mbjellësh në det. Feja – besimi në Krishtin, pranimi i Tij, duke lejuar të na transformojë e duke e ndjekur deri në fund – e bën të mundur gjithçka është e pamundur për njeriun, në çdo realitet. Njeriu i lig, ai që nuk vepron sipas Hyjit, beson në pushtetin e vet, por mbështetet në një realitet të brishtë e të paqëndrueshëm, prandaj, do të mposhtet, është i destinuar të bjerë; përkundrazi, i drejti beson në një realitet të fshehtë, por të qëndrueshëm, beson në Zotin e pikërisht për këtë, do ta ketë jetën.

06 prill 2023, 11:16