Kërko

Ungjilli, buka e jetës Ungjilli, buka e jetës

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli është forcë tronditëse

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në homelinë e meshës së kremtuar në Palermo, gjatë vizitës së tij më 3 tetor 2010 dhe pjesë nga fjalimi me rastin e dhënies së “Çmimit Ratzinger”, më 30 qershor 2011

R.SH. – Vatikan

         Feja na dhuron forcën e Zotit për të qenë gjithnjë plot besim e guxim, për të ecur përpara me vendosmëri të re, për të ndërmarrë nismat e nevojshme që t’ia bëjmë gjithnjë e më të bukur fytyrën tokës sonë. Kështu u thoshte Benedikti XVI besimtarëve të Palermos, në vitin 2010. Kur hasni në kundërshtimin e botës, i këshillonte ai, dëgjojini fjalët e Shën Palit Apostull: “Mos kini turp ta dëshmoni Zotin tonë”. Duhet të na vijë turp nga e keqja, nga gjithçka e fyen Zotin, nga gjithçka e fyen njeriun; duhet të na vijë turp nga e keqja, që i bëjmë bashkësisë civile e fetare me veprime, të cilat nuk duam të shohin dritën e diellit! Tundimi për t’u shkurajuar, për t’u dorëzuar, i vjen atij, që e ka të dobët fenë, atij që e shkëmben të keqen për të mirë, atij që mendon se para së keqes, sidomos para asaj që ka zënë rrënjë të thella, nuk mund të bëjmë asgjë. Përkundrazi, kush është i fortë në fe, kush ka besim të plotë në Zotin dhe jeton në Kishë, është në gjendje të bartë e të përhapë forcën tronditëse të Ungjillit.

         Është feja e fuqishme, e drejtë, që e orienton arsyen, për t’ia hapur dyert Zotit, thoshte po Benedikti XVI, në vitin 2011, me rastin e dhënies së “Çmimit Ratzinger”, i cili u jepet edhe sot atyre, që dallohen në studimin e mendimit të Papës së ndjerë gjerman, filozof e teolog i shquar. Dashuria - vijonte ai ndërsa fliste për Zotin, fenë e arsyen - dëshiron ta njohë më mirë atë, që do. Dashuria, dashuria e vërtetë, nuk të bën të verbër, por të bën të shohësh mirë. Pjesë e saj është edhe etja për njohuri, për ta njohur mirë tjetrin. Për këtë arsye, Etërit e Kishës i kërkuan e i gjetën paraardhësit e pararendësit e krishtërimit – përveç botës së zbulesës së Izraelit – jo në kuadrin e fesë së zakonshme, por në njerëzit që kërkonin Zotin, që kërkonin të vërtetën, ndër “filozofët”: ndër njerëzit që, të etur për të vërtetën, ishin për udhë drejt Hyjit. Kur nuk ekziston ky lloj përdorimi i arsyes, atëherë, çështjet e mëdha të njerëzimit dalin jashtë kuadrit të saj dhe i lihen në dorë iracionalitetit. Feja e drejtë e orienton arsyen, që t’ia hapë dyert hyjnores, në mënyrë që arsyeja, e udhëhequr nga dashuria për të vërtetën, ta njohë Zotin më nga afër. Nismën për këtë rrugëtim e merr vetë Zoti, i cili ka dikuar në zemrën e njeriut dëshirën për të kërkuar Fytyrën e Tij.

13 prill 2023, 09:46