Kërko

Eduard Habsburg, ambasador i Hungarisë në Selinë e Shenjtë Eduard Habsburg, ambasador i Hungarisë në Selinë e Shenjtë

Ambasadori Habsburg: Papa Françesku vjen “të gjallërojë fenë” në Hungari

Në një intervistë me Vatican News, ambasadori i Hungarisë në Selinë e Shenjtë, Eduard Habsburg, flet për vizitën apostolike të Papës Françesku në Hungari, këtë muaj, duke nënvizuar se Ati i Shenjtë shkon “për të gjallëruar fenë” e vendit të krishterë evropian në kufi me Ukrainën, që pret me padurim ardhjen e Bergoglio-s.

R.SH. – Vatikan

 Papa Françesku viziton Hungarinë “për të gjallëruar fenë” e popullit hungarez. Në një intervistë me Radio Vatikanin - Vatican News, para shtegtimit apostolik të Atit të Shenjtë, nga 28 deri më 30 prill, ambasadori i Hungarisë në Selinë e Shenjtë dhe në Urdhrin Sovran të Maltës, Eduard Habsburg, e nënvizoi këtë, ndërsa fliste për pritjen e Papës në vendin evropian. Bergoglio shkon sërish në territorin hungarez, në fund të këtij muaji, ndërsa lufta në Ukrainë i afrohet kufirit ndërmjet dy vendeve.

Ai sqaron se ky është çasti i tretë, që e afron Atin e Shenjtë me hungarezët, tregon anekdota personale, sqaron këndvështrimin e vendit të tij për emigracionin dhe vlerat kombëtare, duke e ftuar Papën të shijojë pak verë Tokaji.

Hungaria ka pasur privilegjin e rrallë të presë Papën Françesku dy herë brenda dy vitesh. Hera e parë kishte të bënte me Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik, por kësaj here, ai shkon në shtegtim apostolik. Pse është kaq e rëndësishme kjo vizitë? Pse kthehet kaq shpejt në Hungari?

Një gjë, që mëson si diplomat në Selinë e Shenjtë, është se nuk duhet të përpiqesh kurrë ta marrësh me mend pse Papa bën diçka. Më duhet të sqaroj se kjo do të jetë hera e tretë, që Papa takohet me hungarezët. Vetë Françesku, gjatë fluturimit me avion nga Hungaria, në shtator 2021, tha se "ishte hera e dytë, që takohej me hungarezët”, pasi është takuar me bashkësinë hungareze gjatë vizitës së tij në Rumani, në vitin 2019 , në Transilvani, “ku pavarësisht nga shiu dhe era, u prit nga rreth 100.000 hungarezë. Vërej se Papa, thjesht, i pëlqen hungarezët. Më tha personalisht kur e takova herën e parë, se përvoja e tij me hungarezët është pozitive. Unë e pyeta, “Nga e njihni Hungarinë?” Dhe ai m’u përgjigj: “Di gjithçka për Hungarinë”. I thashë: "Ah, keni qenë atje?" “Jo, jo”, ma ktheu.

Por Papa kujdesej rregullisht për murgeshat e kuvendit Mary Ward në Buenos Aires e aty kishte një grup motrash, ikur më 1956 nga Hungaria. Prandaj, më tha, “ato më kanë treguar gjithçka duhet të di për Hungarinë”. “Po çfarë dini?”, e pyeta e, ai m’u përgjigj: “Hungarezët janë njerëz të mirë, të drejtë dhe të guximshëm”. Mendoj se Papa ka opinion të mirë për Hungarinë e, edhe përvoja e Kongresit Eukaristik 2021 ka qenë pozitive në këtë drejtim. Ndenji vetëm shtatë orë, por e bëri të çmuar çdo minut. Një roje zvicerane, që vraponte pranë makinës së Papës, kur mbërriti në Budapest, më pati thënë se ishte prekur nga ajo turmë kaq e madhe, entuziaste për Françeskun. Mendoj se edhe Papa e pa këtë, e ndjeu se hungarezët e vlerësojnë vërtet dhe e shijoi këtë vizitë. Kështu, vendosi të vijë për herë të dytë. I jemi tejet mirënjohës. Do të thotë shumë për ne.

Ç’lloj besimi fetar do të gjejë Papa në Hungari? E dimë se 50% e popullsisë është e krishterë e vetëm një e treta është katolike. Ç’lloj krishtërimi do të gjejë Ati i Shenjtë?

Kur i bëni një pyetje hungarezit, ai ia fillon gjithnjë me historinë. Do të më duhet të kthehem pas, për të thënë se Hungaria është vend katolik. Për 1000 vjet, mbreti ynë i parë, Shtjefni, vendosi ta lidhte fatin e tij me Romën. Vërtet, ndërtoi një shtëpi për shtegtarët hungarezë pak pas vitit 1000, pikërisht pranë Bazilikës së Shën Pjetrit. Pra, ne kemi një histori shumë të gjatë feje të krishterë në vendin tonë. Ne janë një vend fort i krishterë, që ka kaluar kohë tejet të vështira në shekullin e 16-të dhe të 17-të, pasi u pushtuam nga otomanët. Pjesë të mëdha të Hungarisë u bënë myslimane. Më pas, hungarezët u pushtuan nga Habsburgët. E më tej akoma, vjen pushtimi nga regjimi komunist. Ka rëndësi të kuptohet se është mrekulli që sot kemi një vend fetar, një vend plot krishterim.

Me të vërtetë…

Ne arritëm ta kapërcenim kohën e komunzimit, pasi shumë e shumë të krishterë të mirë hungarezë e jetuan fenë. Falë martirëve, feja është ende e pranishme sot në Hungari. Dua të nënvizoj edhe se vizita e Papës Françesku në Kongresin Eukaristik ishte vërtet diçka madhështore e pati shumë rëndësi. Nuk e di nëse e keni parë procesionin në rrugët e Budapestit, me 300.000 besimtarë, që ecnin pas të Shenjtnueshmit Sakrament. Kongresi Eukaristik ishte nxitje për fenë e hungarezëve. Nëse vini tani në Hungari, do të shihni që besimi i krishterë është më se i dukshëm.

Kemi një vend, që nuk ka frikë ta tregojë fenë dhe besimin haptazi e publikisht. Është normale sot që Kisha e shteti të jenë të ndarë, por ata punojnë së bashku. Kushtetuta hungareze fillon me fjalën “Zot”. E nisim Kushtetutën me fjalët e para të himnit tonë kombëtar: “Zoti e bekoftë hungarezin”. Kjo është shenjë e qartë se feja e karakterizon Hungarinë.

Papa do të takohet edhe me refugjatët gjatë ditëve të qëndrimit në Hungari. Shpesh, ai e ka ngritur zërin në favor të emigrantëve e refugjatëve. Hungaria ka pritur shumë ukrainas tani që po vijon lufta në vend. Mund të na flisni pak më tepër mbi qëndrimin hungarez për emigracionin?

Jemi shtet fqinj me Ukrainën. Ka një pakicë prej rreth 150.000 hungarezësh, që jetojnë pikërisht përtej kufirit, në Ukrainë. Pra, e ndiejmë shumë ç’po ndodh atje, prandaj, Hungaria i ka hapur krahët për refugjatët ukrainas. Kemi marrë rreth 1 milion refugjatë e ata, që deshën të qëndronin u futën në vende pune, u regjistruan në shkolla. Një grup i madh prej tyre do të jenë të pranishëm kur Papa Françesku do të shkojë në kishën e Shën Elizabetës, të shtunën paradite. Kjo nismë ka qenë formuese për ne. Pashë kaq shumë hungarezë të gatshëm për të ndihmuar. E, do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për sa kohë të jetë e nevojshme.

Mendoj se Papa Françesku është i vetëdijshëm se jemi shumë aktivë në disa vende të Lindjes së Mesme, në Afrikë dhe në anë të tjera, duke ndihmuar që njerëzit të mos kenë nevojë të emigrojnë. Kohët e fundit, kardinali [Michael] Czerny [Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor] po përgatit një dokument mbi të drejtën për të qëndruar, jo vetëm për të migruar, por për të mos ikur nga vendi i origjinës. Hungaria është përpjekur shumë t'i ndihmojë njerëzit që duan të qëndrojnë në atdhe, në vend që të nisin udhëtime të tmerrshme, gjatë të cilave mund të bien pre e trafikimit të qenieve njerëzore. Papa e di mirë këtë. Më kujtohet një takim, në të cilin i çova disa të rinj, që po studionin me ndihmën e Hungarisë prej disa vitesh, për t’u kthyer pastaj në vendet e origjinës e për të kontribuar në bashkësitë e tyre. Papa më falënderoi për këtë dhe ma vuri në dukje punën, që po bën Hungaria në këtë drejtim. Ati i Shenjtë është i vetëdijshëm se Hungaria po luan rolin e saj për të ndihmuar në zbutjen e gjendjes së migracionit. Ne nuk e pranojmë migracionin ilegal, por bëjmë ç’është e mundur në të gjitha frontet e tjera. E, unë shpresoj që miqësia e Papës Françesku me popullin hungarez të vazhdojë. I uroj të shijojë një gotë verë Tokaji, gjatë vizitës. Kur e pata takuar për herë të parë, Papa më tha: “Unë e di cili është simboli më i shenjtë i Hungarisë”. “Cili?”, e pyeta, duke pritur si përgjigje kurorën e Shën Shtjefnit. Por jo, Ati i Shenjtë më tha: “Vera Tokaji”. Është shpirti hungarez i Hungarisë.

04 prill 2023, 09:04