Ajo fugure e Zojës, që Gjon Pali II deshi ta çonte në Shqipëri
R.SH. – Vatikan
Ditët e fundit ishte në Romë shkrimtari shkodran, Stefan Çapaliku, poet dramturg e studiues, për paraqitjen e një libri të tij në italisht. Në përfundim të veprimtarisë për romanin “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, i kërkuam një dëshmi, me rastin e 30-vjetorit të vizitës së Papës shenjt Gjon Pali II në Shqipëri. I pranishëm në atë 25 prill 1993, ai na tregoi këtë episod, që ka të bëjë me fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë, kopjen e së cilës, Papa polak e çoi në Shkodër, gjatë vizitës së tij historike, në prag të festës kushtuar Pajtores së Shqipërisë, që kremtohet çdo 26 prill. Të dëgjojmë dëshminë…
Gjon Pali II në Gjenacan, para vizitës në Shqipëri
Lidhja e shën Gjon Palit II me fuguren e me Zojën e nderuar nga shqiptarët fillon që më 22 prill 1993, kur Papa vizitoi shenjtëroren e Gjenacanit, para udhëtimit për në Tiranë e Shkodër. Deshi të bëhej shtegtar e të gjunjëzohej para Nënës së Këshillit të Mirë për t’iu lutur që t’i shkonte mirë vizita baritore, të cilën do ta bënte vetëm pas pak ditësh në Shqipëri. Kjo, fjala e tij, pas Rruzares:
“Erdha në gjunjë para Virgjërës së Këshillit të Mirë që të kërkoj, së bashku me ju, mbrojtjen amnore të Marisë për udhëtimin apostolik, të cilin, në dashtë Zoti, do ta bëj të dielën e ardhshme. Në fakt, siç e dini, do të shkoj në Shqipëri, vendi që ka pësuar vite të gjata shtypjeje dhe persekutimi të vërtetë fetar. Për herë të parë, aty do të më jepet mundësia të takohem me bashkësinë katolike dhe t’i siguroj ata vëllezër në fe për mbështetjen dhe bashkimin me mbarë Kishën. Që tani, ia besoj Virgjërës Shenjte të ardhmen e tyre. Me ndihmën e Zotit, paçin mundësinë të shprehin gjithnjë, me liri të plotë e me besnikëri të vazhdueshme ndaj Ungjillit, gjallërinë e tyre shpirtërore e misionare.
Fort të dashur, ju e njihni mirë lidhjen e thellë, që e bashkon këtë shenjtërore me qytetin e Shkodrës, ku të dielën e ardhshme do të kremtoj Eukaristinë dhe do të shuguroj katër ipeshkvij shqiptarë. Nga Shkodra vjen fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë, që nderohet këtu: sipas traditës, ajo u zhvendos nga kisha ku ishte, duke shpëtuar për mrekulli nga pushtimi turk i vitit 1467.
Ju falënderoj për këtë mikpritje, për praninë tuaj të shumënumërt, gjatë takimit të sotëm. Po ju rekomandoj edhe gjithë vëllezërit tanë shqiptarë, në bregun tjetër të Detit Adriatik, me të cilët lidheni kaq fort përmes kësaj fugureje të Zojës së Këshillit të Mirë. Falënderoj bashkësinë e Gjenancanit, falënderoj kryetarin e bashkisë, të gjithë anëtarët e Këshillit, gjithë bashkëqytetarët tuaj. Falënderoj famullinë, që i është besuar Etërve Augustinianë, famullitarin dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Zoja qoftë gjithmonë për ju shenjë e shpresës së krishterë, për të gjithë e për secilin, për familjet tuaja, për bashkësitë e jetës e të punës, për qytetin tuaj të Gjenacanit”.
Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së re të Nënës së Këshillit të Mirë
Kur shkoi në Shqipëri, më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së re të Nënës së Këshillit të Mirë, e cila u rindërtua pikërisht aty, ku dora e sakrilegjtë e regjimit komunist e pati shkatërruar sërish (pas turqve), në vitin 1967. Papa dhuroi kopjen e fugures së Zojës së Këshillit të Mirë, realizuar nga piktori i Gjenacanit, Dante Ricci. Ishte një kthim simbolik i Zojës dhe i Pajtores së Shqipërisë në tokën e saj. Në këtë datë të rëndësishme për vendin e shqipeve, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës, Papa ia besoi shën Marisë Shqipërinë dhe gjithë popullin e saj, me këto fjalë:
“Virgjër e Këshillit të Mirë! Ty të lartohet lutja plot përgjërim e këtij populli, i cili, nga kohë që s’mbahen mend, Të do e Të nderon. Në dorën Tënde, sot Shqipëria lë shpresat dhe mundimet e saj, dëshirat dhe nevojat, lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë. Ktheji o Nënë sytë e tu mbi këtë popull, pranoja dëshirat bujare, shoqëroje në udhën e tij drejt së ardhmes në drejtësi, solidaritet e paqe… Maria ju mbroftë gjithmonë! I mbroftë të gjitha skajet e tokës suaj; mbërriftë në shqiptarët, që banojnë në Ballkan e në shqiptarët e përhapur nëpër botë. Ndërhyrja e fuqishme e Marisë pranë Zotit nxjerrtë paqen, sidomos aty, ku prej kohësh tërbohet një luftë absurde, që derdh gjak vëllezërish. O Zoja e Këshillit të Mirë, hapi mendjet e zemrat, siguroji Shqipërisë dhe gjithë njerëzimit dhuratën e pajtimit e të paqes”.
Në gjunjë para Zojës, në 100-vjetorin e shpalljes Pajtore e Shqipërisë
Më 27 maj 1995, duke kujtuar ditën e shtegtimit në Shqipëri, shën Gjon Pali II u foli kështu besimtarëve shqiptarë, ardhur në Romë për ta përshëndetur:
“Është ende i gjallë në mua kujtimi i çasteve të lutjes intensive, jetuar në katedralen e Shkodrës, si edhe të Mbretëreshës Qiellore, thënë nga ballkoni i kryeipeshkvisë. Si ta harroj, pastaj, edhe atmosferën festive të dashamirësisë, në të cilën u mbajtën, në fillim e në fund të vizitës, takimet me popullsinë e Tiranës e me autoritetet shqiptare? Ishin çaste të paharrueshme, gjatë të cilave dolën në pah me shpejtësi prekëse cilësitë e mirësisë dhe të spontanitetit, që e karakterizojnë shpirtin e popullit tuaj.
Para njëqind viteve, Zoja e Këshillit të Mirë u shpall Pajtore e Shqipërisë dhe asaj iu kushtua populli juaj. Për të kujtuar e për ta kremtuar këtë ngjarje, deshët të vinit në shtegtim në Romë dhe në shenjtëroren e Gjenacanit, ku unë vetë shkova për t’u lutur, në prag të udhëtimit drejt Shqipërisë, e për t’ia besuar atë vizitë Pajtores suaj. Gjatë shekujve, Nëna e Kishës nuk resht së ndërtuari në botë, në Evropë e, në veçanti, përgjatë kësaj “udhe”, që bashkon dy brigjet e Detit Adriatik, “ura” lutjeje dhe solidariteti të krishterë.
Fort të dashur, përmes jush, mirëpres dhe përshëndes të gjithë bashkëkombasit tuaj: jo vetëm katolikët, por edhe ortodoksët, tejet të devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, si edhe myslimanët, të cilët e nderojnë shumë Marinë. Uroj që ky shtegtim të jetë thirrje e zjarrtë për paqen e popujve të Evropës, sidomos për Ballkanin. Të jetë nxitje dhe impenjim i ri për bashkëjetesën paqësore ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, të pranishme në Shqipëri. Historia e Kishës, mbrujtur me gjakun e martirëve, dëshmon se vendi juaj ka një thirrje të veçantë përsa i përket mikpritjes së ndërsjellë dhe tolerancës. Shqipëria u bëftë gjithnjë e më shumë atdheu i ekumenizmit dhe i dialogut ndërfetar! Ç’arsye më të denjë keni ju për t’u mburrur, nëse jo atë që Evropa dhe e gjithë bota t’ju tregojë me gisht si shembull dialogu, të mospërdorimit të dhunës, të pranimit të njëri-tjetrit? Në përfundim të mijëvjeçarit të dytë, mbi të cilin, fatkeqësisht, rëndon kujtesa e konflikteve të tmerrshme fetare, është Provani e Zotit çdo dëshmi e faktit se feja e vërtetë nuk i pranon imponimet e dhunën”.