Traumat e luftës, Kisha në terren
R. SH. - Vatikan
Një fëmijë, si pa të vrarë një burrë, që i kalonte pranë, heshti plotësisht për dy muaj. Iu lidh fjala në gojë! Ndërsa një tjetër, vetëm 9 vjeç, pasi pa të vdekur motrën në bombardimet e Stacionit Kramatorsk dhe nënën duke i humbur të dyja këmbët para syve të tij, mbeti i vetmi “kryetar” i familjes, përgjegjës për të vetmen grua që kishte mbetur gjysma gjallë e gjysma vdekur. Kujtuam dy nga ngjarjet e panumërta të tragjedisë në vijim, mbledhur nga Kisha Katolike Greke e Ukrainës, e cila vendosi që të gjithë priftërinjtë e saj të vijojnë një kurs titulluar: “Të njohësh traumat dhe të dish si të sillesh”. “Do të jetë hapi e parë i ndihmës së shpejtë psikologjike” - shpjegon kryeipeshkvi i Kievit, Sviatoslav Shevchuk. Kursi për priftërinjtë do të zhvillohet nga specialistët e Fakultetit të shëndetit mendor të Universitetit Katolik të Lviv. "Në përpjekjen për mjekimin e plagëve të luftës, vendi ka nevojë për kontributin e të gjithëve: të mjekëve, të psikologëve e, doemos, edhe të priftërinjve” - theksoi tejet i prekur Prelati.
Sipas një studimi të kohëve të fundit – kujtoi në vijim Kreu i Kishës Greko Katolike të Ukrainës - 80 për qind e njerëzve në vend kanë nevojë për ndihmë psikologjike. Ndërsa në luftën e vitit 2014 në Donbas qenë ngritur qendra shëndetësore për ushtarët që ktheheshin të tronditur nga fronti, “sot dallimi ndërmjet civilëve dhe ushtarakëve nuk ekziston më. Janë të gjithë njëlloj të tronditur rëndë nga çka po shikojnë e çka po jetojnë. Çdo ditë! Të rritur e fëmijë! E veçanërisht fëmijët, sepse më të brishtët që, të tmerruar nga ngjarjet tragjike, bëjnë vazhdimisht pyetje. Pyetje foshnjarake, që duken të thjeshta, por nuk janë: “Pse bien bombat? Ku iku babi? Pse duhet të iki nga shtepia ime??? ….Ata pyesin e presin… Po të rriturit nuk mund të japim asnjë përgjigje. Ku humbi kështu përgjigjja? E vranë edhe atë?
Imzot Shevchuk përshëndeti misionin paqësor dhe humanitar ardhur nga Italia, udhëhequr nga fretërit konventualë, nga kooperativa Auxilium, nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe nga Fig. Mes ndihmave të sjella nga Italia, shumë topa dhe uniforma për të luajtur futboll. “Më kujtohet - tregon Prelati - kur isha në Itali pata shkuar në një famulli për të rrëfyer fëmijët, e pyetja e parë që më bënë ishte: “Për cilën skuadër jeni tifoz?”. E unë nuk dija si t’u përgjigjesha, nga frika se do të gaboja! Por tani mendimet për futbollin mund të jenë balsam për fëmijët ukrainas. E topi, ilaç… Mund t’i ndihmojë të dalin nga ankthi që vijon t’i kapërthejë shumë prej tyre.
Duke rikujtuar vendimin e Sinodit të Kishës greko-katolike që priftërinjtë të jenë gati për të përballuar, edhe nga pikëpamja psikologjike, traumat e luftës, Shevchuk shpjegoi: “Në këto troje është e vështirë që njerëzit e zakonshëm të kërkojnë ndihmë psikologjike, edhe pse në kohët kur këtu sundonte Bashkimi Sovjetik spitalet mendore ishin burgje, ku internoheshin, e çmendeshin, disidentët". Prej këndej në këto çaste tmerri, "populli nuk kërkon psikologun, por priftin”. Prandaj vendosëm që të gjithë priftërinjtë tanë të aftësohen për ta njohur traumën, veçanërisht te fëmijët, dhe më pas të dinë si duhet të sillen, për të dhënë atë, që unë e quaj “ndihma e parë”.