Thirrje kristiano-islamike: “Të punojmë së bashku në favor të migrantëve”
R.SH. – Vatikan
Dialogu i sotëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve nuk mund të mos marrë parasysh çështjen e emigracionit. Kjo lexohet në thirrjen e Fondacionit Oasis pas mbytjes tragjike në brigjet e Crotone-s në Itali, të një anijeje me emigrantë, nisur nga Turqia. Me dhjetëra, viktimat, që vinin nga Afganistani dhe vende të tjera. Së bashku me kardinalin Angelo Scola, kryeipeshkëv nderi i Milanos dhe nismëtar i Fondacionit Oasis për dialogun ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, thirrja është nënshkruar nga shumë ipeshkvij dhe vikarë apostolikë të Lindjes së Mesme, nga imami i Xhamisë së Madhe të Romës, Nader Akkad dhe nga përfaqësues të tjerë të bashkësive myslimane italiane.
Teksti - duke iu referuar shprehimisht Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në vitin 2019 në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i al Azharit, Ahmad al-Tayyib - u bën thirrje të krishterëve dhe myslimanëve të "ndihen veçanërisht të prekur" nga realiteti i emigracionit. Ndërsa pranon se nuk është detyrë e menjëhershme e autoriteteve fetare dhe e besimtarëve të "sugjerojnë zgjidhje teknike" për sfidat e emigracionit, në dokument bëhet thirrje për impenjimin e përbashkët "kundër padrejtësive dhe shtypjes, që shpesh nxisin ikjen nga vendi, kundër nacionalizmave dhe mbylljeve egoiste, duke dënuar veprimet e paskrupullta të trafikantëve dhe të kontrabandistëve të qenieve njerëzore”.