Të meditojmë me Ungjillin: shkoi, u la dhe, kur kthehej, shihte
R.SH. - Vatikan
E Diela IV e Krezhmëve ‘A‘ quhet e Diela “laetare”, pra e galdimit. Këngët e meshës flasin për gëzim e ngushëllim, dëgjohet sërish organo, që hesht në të dielat e mëparshme e paramentet ngjyrë vjollcë zëvendësohen me ato rozë. Emri i kësaj së diele rrjedh nga hyrja e meshës, ku ftohet Jeruzalemi të galdojë (Laetare Jerusalem…) e, bashkë me të gjithë njerëzimi, edhe sot, pasi Pashkët e Ringjalljes janë afër.
Tashmë jemi në mesin e Krezhmëve e Kisha u kujton besimtarëve dashurinë e madhe të Zotit për njerëzimin, edhe kur gjendja duket e dëshpëruar. Këtë vë në dukje Ungjilli i kësaj së diele të 4/të të Krezhmëve, marrë nga kreu 9 sipas Gjonit (1-41), ku tregohet për shërimin e të verbrit nga ana e Jezu Krishtit, “dritës së botës”, shëlbim i Zotit dhuruar për të gjithë. Ta ndjekim një fragment nga Ungjilli i shën Gjonit:
Në atë kohë, Jezusi duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam” (që do të thotë: ‘i dërguari’). Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?” “Ai është” – thonin disa. “Jo, por është një që i përngjan atij” – thoshin do tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam.” Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzieu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigji: “Më vuri baltë në sy, unë u lava, dhe, ja tani shoh!” Atëherë disa prej farisenjsh thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” Por disa tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta. Pastaj e pyetën prapë të verbërin: “E ti, çka thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?” “Është profet” – përgjigji. Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e njeriut?” Ai i përgjigji: “Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në të?” “E pe – i tha Jezusi – Është ai që po flet me ty!” Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij. Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” Disa prej farisenjsh që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua se edhe ne jemi të verbër?” Jezusi u përgjigji: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”
Të lutemi së bashku
Je Ti drita e botës, o Jezus.
Ti na shkëput nga terri
i çorientimit tonë
e hap para nesh
udhën e jetës.
Ti na largon nga errësira
ku kemi rënë,
për shkak të mëkatit
e na jep mundësinë
të ecim drejt plotësisë,
të sqaruar nga Fjala jote.
Je ti drita e botës, o Jezus.
Ti ndriçon thellësinë
e ekzistencës sonë,
por, pa na poshtëruar, pa na vrarë,
sepse Ti shndrit nga dhembshuria,
mirësia e mëshira.
Ti e nxit secilin prej nesh të zbulojë
të keqen, që bën fole në zemër,
por na dhuron edhe forcën për t’u çliruar prej saj;
Ti na i shëron sytë
e na dhuron hirin
për ta parë historinë tonë
me vështrim të qashtër e plot dashuri.
Je Ti drita e botës, o Jezus.
Ti na zbulon fytyrën e Atit
e paraqitesh
si Shëlbuesi e Zoti,
ardhur për të përuruar një botë të re
vëllazërimi, drejtësie e paqeje.
Ti ndez në secilin prej nesh
dëshirën për të hyrë
në ditën pa perëndim.