Kërko

 III Domenica di Quaresima (A) Vangelo - Gesù e la samaritana III Domenica di Quaresima (A) Vangelo - Gesù e la samaritana

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës III të Kreshmëve ‘A’

Mbërrin i lodhur, o Jezus, në pusin e Siharit/e paraqitesh si i etur, që ka nevojë për ujë, /si dikush, që kërkon ndihmë. /Mënyrë e çuditshme për t’u prezantuar, /sikur të ishte Ti, që ke nevojë për ne/e jo e kundërta. Ne, të paaftët/për t’u shpëtuar me forcat tona…/Por, atyre që të dëgjojnë, o Jezus, /atyre, që ndalen me Ty, /u jep diçka që askush/nuk mund t’ua sigurojë: ujin e gjallë,… /që transmeton jetën e amshuar. /E jo ujë shiu, /që sjell me vete/shijen e baltës/e ta shuan etjen/ për pak

R.SH. - Vatikan

Kisha, në liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së Diele III të Krezhmëve, na kujton se të gjithë jemi në kërkim të ujit të gjallë të Mëshirës së Hyjit dhe se Krezhmët janë kohë e përshtatshme për të shikuar brenda nesh, në shpirt, sipas shembullit, që na tregon Ungjilli sipas Gjonit, i cili na flet për samaritanen, që me bujari, i jep ujë Krishtit e ia shuan etjen. Ai i premton se do t’i japë ujë për jetën e amshuar. Edhe sot, duhet ta ndjekim shembullin e Samaritanes e të lypim ujin, që shuan etjen në amshim. Të ndjekim fragmentin ungjillor të kësaj së diele nga shën Gjoni:

6 Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte kund rreth orës gjashtë. 7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Jezusi i tha: ‘Më jep të pi!’… 9 Samaritania i tha: ‘Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?’ [Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë]. 10 Jezusi iu përgjigj: ‘Po ta dije ti çka të dhuron Hyji dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të jepte ujë të gjallë’…

13 ‘Kushdo që pi këtë ujë përsëri do të ketë etje. 14 Kurse, kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje, madje uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim, që rrjedh në jetën e pasosur’... 16 Ai i tha: ‘Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!’ 17 ‘Unë nuk kam burrë!’ - iu përgjigj ajo. ‘Mirë the! - ia ktheu Jezusi - ‘S’kam burrë!’ 18 Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!’… 21 Jezusi i tha: ‘Më beso mua, o grua… 23 po vjen koha - e tani është!- kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë”.

Të lutemi së bashku:

 

Mbërrin i lodhur, o Jezus, në pusin e Siharit

e paraqitesh si varfanjak,

si i etur, që ka nevojë për ujë,

si dikush, që kërkon ndihmë.

Mënyrë e çuditshme për t’u prezantuar,

sikur të ishte Ti, që ke nevojë për ne

e jo e kundërta. Ne, të paaftët

për t’u shpëtuar me forcat tona…

 

Por, atyre që të dëgjojnë, o Jezus,

atyre, që ndalen me Ty,

u jep diçka që askush

nuk mund t’ua sigurojë: ujin e gjallë,

ujin, që buron, i freskët dhe i pastër,

e transmeton jetën e amshuar.

E jo ujë shiu,

që sjell me vete

shijen e baltës

e ta shuan etjen

vetëm për pak çaste…

 

Kujt e pranon fjalën tënde, o Jezus,

Ti i dhuron mundësinë

të shohë qartë në jetën e vet

pa u kënaqur me të vërteta gjysmake,

pa u fshehur më

pas maskave e erëpritëseve.

 

Kujt kërkon fytyrën e Zotit, o Jezus,

Ti i përvijon një rrugë të sigurt

që e çon drejt një marrëdhënieje

të qëndrueshme, të vërtetë, të thellë.

Atëherë, nuk është më çështje vendesh,

sepse Ati adhurohet

në shpirt e në të vërtetën,

me gjithë jetën e kurdoherë.

11 mars 2023, 09:22