Kërko

 Trasfigurazione Trasfigurazione

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Kreshmëve 'A'

...Atë ditë, në mal,/fytyra jote, o Jezus, shkëlqeu si dielli/e trupi yt u mbulua/ me dritë e u bë dritë:/ishte një vizion dhuratë/për dishepujt, që të mos tuteshin/ kur të të shihnin/të shpërfytyruar nga dhimbja,/të gozhduar në kryq,/të përshkuar nga spazmat e agonisë./Edhe mua, o Jezus, Ti më dhuron/çaste drite e shkëlqimi,/e bën këtë, sepse ecën me besim/ edhe në shtigjet më të errëta.

R.SH. - Vatikan

Shndërrimi i Jezu Krishtit është në qendër të Ungjillit të kësaj së Diele të dytë të Krezhmëve (cikli i parë A), marrë nga kreu 17 i shën Mateut. Shndërrimi mbi malin Tabor nuk është ndonjë ndryshim i Jezusit, por është zbulimi i hyjnisë së tij, depërtimi intim i qënies së tij me Hyjin, që bëhen dritë e pastër. Këtë na kujton pjesa ungjillore. “Pjetri, Jaku e Gjoni, duke kundruar hyjninë e Zotit, përgatiten nga Jezusi për të përballuar shkandullin e Kryqit në mënyrë që, duke parë Krishtin e kryqëzuar, të kuptojnë se mundimet e tij u pranuan vullnetarisht e t’ia kumtojnë këtë botës

Ja fragmenti ungjillor i së dielës:

1 Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. 2 Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. 3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. 4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit: ‘Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu: nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda…’. 5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!’”

Të lutemi së bashku:

Atë ditë, në mal,

ti, o Jezus, iu duke në lavdi

tre apostujve

e ata ndjenë tundimin

për t’u ndalur,

për t’i dhënë fund një herë e mirë udhës së tyre

që ta gëzonin pafundësisht

atë ngushëllim të jashtëzakonshëm.

Edhe unë, kur të ndiej afër,

do të doja ta harroj

se ka një udhë, që më pret

e që kalon përmes Kalvarit.

 

Atë ditë, në mal,

fytyra jote, o Jezus, shkëlqeu si dielli

e trupi yt u mbulua

me dritë e u bë dritë:

ishte një vizion dhuratë

për dishepujt, që të mos tuteshin

kur të të shihnin

të shpërfytyruar nga dhimbja,

të gozhduar në kryq,

të përshkuar nga spazmat e agonisë.

Edhe mua, o Jezus, Ti më dhuron

çaste drite e shkëlqimi,

e bën këtë, sepse ecën me besim

edhe në shtigjet më të errta.

 

Atë ditë, në mal,

tre apostuj dëgjuan

zërin e Atit Qiellor, që i ftonte

ta dëgjonin Birin e tij.

E pikërisht Fjala jote, o Jezus,

vazhdon të na shoqërojë

në çdo çast, edhe në errësirën

e natës më të thellë.

04 mars 2023, 08:48