Sinodi, krijohet Komisioni përgatitor i asamblesë së përgjithshme
R. SH. - Vatikan
Janë shtatë, ndërmjet të cilëve edhe një murgeshë, anëtarët e Komisionit përgatitor për realizimin e asamblesë së përgjithshme të zakonshme të Sinodit. Organi, i themeluar në përkim me nenin 10 të paragrafit 1-2 të Kushtetutës Apostolike Episcopalis Communio, u krijua sot dhe do të kryesohet nga Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm.
Anëtarët
Anëtarë të komisionit janë: ati jezuit Giacomo Costa, koordinator; Kryeipeshkvi Timothy John Costelloe; Kryeipeshkvi Daniel E. Flores; Motra Shizue Hirota; Imzot Lucio A. Muandula; Profesor Dario Vitali. Sekretar, Imzot Tomasz Trafny. Në punën e Komisionit do të marrë pjesë edhe relatori i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Jean-Claude Hollerich.
Në të njëjtën kohë me ngritjen e Komisionit Përgatitor, Sekretariati i Sinodit propozoi për të mërkurën, 31 maj, festa liturgjike e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta, në fund të muajit Marian, një lutje drejtuar Zojës në të gjithë botën, në përgatitje për Sinodin e XVI të Ipeshkvijve. Qëllimi - thuhet në një shënim - është "të ndërgjegjësohet populli i Zotit për rëndësinë e procesit në vazhdim, t'i nxisë besimtarët ta shoqërojnë me lutje" dhe të vihet "nën mbrojtjen e veçantë të Zojës i gjithë Procesi Sinodal në Kisha, veçanërisht puna e Asamblesë së Përgjithshme”.
Një çast lutjeje intensive
Kardinali Grech u drejtoi Kishave Katolike Lindore dhe kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore ftesën për "një çast lutjeje intensive, që do të shprehë bukurinë e kremtimeve popullore rreth shenjtëroreve Mariane", të cilat do të zgjidhen sipas propozimit të Konferencave Ipeshkvnore të veçanta të vendeve të ndryshme. Në lutje duhet të marrin pjesë thirrjet e ndryshme kishtare (laikale, meshtarake, rregulltare). Edhe bashkësitë e veçanta famullitare, në marrëveshje me ipeshkvin e tyre dioqezan, janë të ftuara të ndalen një çast e të luten për punimet e Sinodit.