Përurohet në Romë Memoriali i dëshmorëve të rinj të shekujve XX- XXI
R. SH. - Vatikan
Petkat liturgjike të Imzot Óscar Romeros, vrarë në San Salvador në 1980 dhe stola e Don Pino Puglisit, vrarë nga mafia në Palermo, më 1993. Libri i lutjeve i Massimiliano Kolbes, i cili vdiq në Aushvic. Mjetet me të cilat Charles de Foucauld ndërtoi vetmitoren e tij në shkretëtirën e Saharës, por edhe breviari i At Jacques Hamel, që u qëllua për vdekje nga xhihadistët në Francë, në vitin 2016 dhe objektet liturgjike të kryeipeshkvit kaldeas Bulos Faraj Rahho, të priftit kaldean Ragheed Aziz Ghanni, vrarë në Mosul nga Shteti Islamik e të sa e sa të tjerëve. Sepse janë shumë, ngaqë shumë gjak u derdh e derdhet për Krishtin!
E këtu mund të soditësh edhe relike, që të kujtojnë martirët shqiptarë të vrarë mizorisht nga diktatura më e egër komuniste: ostensorë, rruzare, petka meshe, ardhur nga kohë që vazhdojnë t’i kujtojnë njerëzimit mbarë qëndresën e pashoqe të klerit katolik shqiptar, në vitet e përgjakshme të diktaturës!
Edhe në "Memorialin e Martirëve të Ri", të përuruar pardje në Romë, gjithnjë në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishull me nismën e Bashkësisë së Shën Egjidit, ekspozohen disa relike dhe objekte personale të martirëve, nga të gjitha kontinentet.
Vend kushtuar dëshmorëve të “kohëve moderne”
Pas jubileut të vitit 2000, me dëshirën e Shën Gjon Palit II, në ishullin Tiberin u krijua një vend kujtimi për dëshmorët e shekullit të 20-të, kryesisht viktima të totalitarizmit nazist dhe komunist. Me kalimin e viteve, u dhuruan dhe u ekspozuan në kapelat e Kishës me qindra relike. E tani, pas punimeve të ndryshme restauruese dhe përgatitore - kujton famullitari, Don Angelo Romano - u krijua një hapësirë e re ekspozite në Kriptën e Bazilikës, në vendin ku, në Romën e lashtë, ishte një tempull dhe një pus kushtuar perëndisë së mjekësisë Eskulapius, të cilit njerëzit i luteshin për të rifituar shëndetin. Simbolik, ky kënd, ku dhjetra objekte dhe dëshmi radhiten sipas kritereve gjeografike, për të dëshmuar se në të gjitha vendet e botës, edhe sot rrezikohet jeta për Fenë në Krishtin! E se njerëzimi i sëmurë ka shumë nevojë të lutet, për të rifituar “shëndetin e humbur!”.