Kërko

Lutja për paqen në Ukrainë Lutja për paqen në Ukrainë

Në Evropë, meshë për viktimat e luftës e për paqen në Ukrainë

Sot, 10 mars, duke iu përgjigjur thirrjes së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), në të gjitha dioqezat evropiane u kremtua mesha për ata që humbën jetën në konfliktin e nisur më se një vit më parë në Ukrainë. Të gjitha ofertat do të destinohen për familjet ukrainase

R.SH. – Vatikan

Lutja korale dhe thirrja për paqen u lartuan sot nga të gjitha bashkësitë kishtare evropiane, ftuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) të kremtojnë meshë për viktimat e luftës në Ukrainë dhe për paqen. Kështu, Kishat e kontinentit të vjetër “japin kontributin e tyre për arritjen e vëllazërimit dhe për mbrojtjen e drejtësisë e të paqes”, luten që qeveritarët e kombeve evropiane “të punojnë për t’i kapërcyer ndarjet dhe për të nxitur bashkimin ndërmjet popujve” dhe që “ata, të cilët vuajnë nga tmerret e çdo lufte, të përjetojnë dhuratën e mëshirës së Zotit, ta thyejnë spiralen e urrejtjes dhe ta shohin të ardhmen me shpresë të re”.

Të gjithë mund të kontribuojmë për paqen

Një vit pas pushtimit rus të Ukrainës, Kisha Katolike në Evropë dëshiron ta ngrejë sërish zërin për t’i thënë “jo” të gjithë formave të dhunës e të luftës. Nëse, nga njëra anë, është më urgjente se kurrë një ndërhyrje diplomatike, në gjendje të ndryshojë logjikën e shterpët të kundërvënies, nga ana tjetër, të gjithë besimtarët duhet të ndihen përgjegjës për ndërtimin e një bote paqësore, të drejtë e solidare. Koha e Krezhmëve, nënvizon Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, na kujton vlerën e lutjes, të agjërimit e të bamirësisë, armët e vetme, të afta ta shndërrojnë zemrën e çdo njeriu e të na bëjnë të gjithë vëllezër. Prandaj, e gjithë Kisha në Evropë lutet për viktimat e luftës në Ukrainë, që “Zoti t’i pranojë në Jeruzalemin qiellor për të kundruar fytyrën e Atit të Gjithëpushtetshëm e për të gëzuar paqen e amshuar”.

10 mars 2023, 14:18