Kërko

Katedralja e shën Aleksandrit në Bergamo Katedralja e shën Aleksandrit në Bergamo

Më 27 mars kremtohet Shën Aleksandri i Driziparës

U ftua të flijonte për nder të Jovit, në festën e përurimit të tempullit, kushtuar atit të zotave paganë, që përkonte me Zeusin e mitologjisë greke. Nuk pranoi. Për më tepër, deklaroi hapazi se nuk mund të adhuronte zotat e rremë, në sa i besonte dhe i shërbente Zotit të vërtetë

R.SH. - Vatikan

Sipas historisë së martirizimit të tij, me ngjyrime të theksuara legjendare e fantastike, Aleksandri, legjionar romak, kryente shërbimin ushtarak nën urdhërat e tribunit Tiberiani, në kohën e sundimit të perandorit Maksimiani (286-305). U ftua të flijonte për nder të Jovit, në festën e përurimit të tempullit, kushtuar atit të zotave paganë, që përkonte me Zeusin e mitologjisë greke. Nuk pranoi. Për më tepër, deklaroi hapazi se nuk mund të adhuronte zotat e rremë, në sa i besonte dhe i shërbente Zotit të vërtetë. E arrestuan menjëherë dhe e zvarisën para perandorit. Përsëriti me guxim gjithë ç’kishte dëshmuar në çastin e arrestimit. Atëherë nisën ta torturonin, por ai nuk u lëkund për asnjë çast. Ia dorëzuan Tiberianit, i cili e mori me vete në Thrakë, ku pësoi tortura të reja, të cilat i përballoi me guxim të madh. E nisën atëherë në Iliri, ku e lëvizën nga një vend në tjetrin, duke e pyetur për fenë e tij të re e duke vijuar ta torturonin në njëmijë mënyra, derisa Tiberiani e dënoi me prerjen e kokës në Drizipara, jo larg nga Karistirani i sotëm. Trupi i tij u flak në një lumë, ku e ëma, Pemenia, që e kishte ndjekur pas kudo, e shpëtoi me ndihmën e katër qenve.

Kulti i Shenjtit nis që në shekullin VI në Drizipara, ku banorët lartuan një kishë madhështore, pikërisht në vendin ku e kishte varrosur e ëma. Kisha u plaçkit e u rrenua në fillim të viteve 600 gjatë dyndjeve të fiseve barbare të avarëve të cilët, sipas dëshmisë së kronistit bizantin Teofilat Simokati, dhunuan edhe reliket e shenjtit. Por – vijon kronisti - pësuan aty për aty ndeshkimin hyjnor: u sëmurën e vdiqën nga murtaja.

Martiriologu romak e kremton Shën Aleksandrin më 27 mars.

Me 27 mars, Kisha katolike kremton edhe festën liturgjike të shën Rupertit, ipeshkëv i Salsburgut.

Me prejardhje nga Irlanda, pinjoll i një dere fisnike, Ruperti ёshtё pajtor qiellor i Salsburgut, nё Austri. Pas u formua nё jetën murgare irlandeze,  rreth vitit 700 shkoi në Bavari, ku iu përkushtua predikimit dhe jetës murgare shëtitëse.

Me ndihmën e një konti bavarez ndërtoi një kishë kushtuar Shën Pjetrit, pranë liqenit të Wallerit dhe një manastir pranë lumit Salzach, në afërsi të qytetit romak Juvavum. Rreth këtij manastiri lindi qyteti i Salsburgut (qyteti i kripës), i cili e kujton Rupertin jo vetëm si ipeshkvin e parë, por edhe si ri-themeluesin e qytetit, mbi rrënojat romake. Vdiq më 27 mars, të dielën e Pashkëve të vitit 718. Ikonografia e pasqyron me një enë me kripë.

27 mars 2023, 10:14