T'i jetojnë Krezhmët duke shikuar Krishtin e vdekur në Kryq për ne
R.SH – Vatikan
Që nga e Mërkurën e Përhime, kemi filluar kohën liturgjike e shpirtërore të Krezhmëve, tashmë po i afrohemi të dielës së 5-të krezhmëve, kohë kjo që paraprin dhe na përgatit për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit.
Kisha i fton besimtarët ta jetojnë Kohën e Krezhmëve përherë me një frymë të re shpirtërore, duke iu përgjigjur me bujari e gëzim thirrjes së Zotit Jezu Krisht, që vdiq në Kryq për ne. E kjo mund të bëhet realitet në se na zgjohet në shpirt dëshira e lutjes, e pendesës, e kthimit në rrugën e Zotit, që të ndihmojnë t’i mundësh joshjet e Tunduesit e të gjesh në jetën e përditshme, rrugën e re të lirisë, larg skllavërisë së mëkatit e të vdekjes.
Gjatë kësaj kohe krezhmësh, mes tjerash, Kisha na bën thirrje për t’u kthyer në rrugën e Zotit kundër mediokritetit moral, që e karakterizon shpesh jetën tonë. Të kthehesh në rrugën e Zotit do të thotë t’i ndryshosh drejtimin jetës: por jo me ndonjë ndreqje të vogël, por me një ndryshim të vërtetë 180°. Të kthehesh në rrugën e Zotit do të thotë të shkosh kundër rrymës ku “rryma” nënkupton mënyrën e përciptë të jetesës, jo koherente dhe iluzore, që shpesh na tërheq, na dominon e na bën skllevër të së keqes ose gjithsesi, na fut në burgun e mediokritetit moral.
Ndërsa me kthimin në rrugën e Zotit synohet niveli i lartë i jetës së krishterë, i besohet Ungjillit të gjallë e personal, që është Jezu Krishti. Është Ai qëllimi përfundimtar dhe kuptimi i thellë i kthimit të zemrës, është Ai – Jezusi rruga në të cilën duhet të ecin të gjithë në jetë, duke e lënë veten të shndritemi nga drita e tij e të mbështetemi nga forca e tij, që na mundëson të bëjmë hapa përpara.