Kreshmë, kohë për agjërim nga krenaria dhe egoizmi
R.SH. / Vatikan
Janë tre, elementet kryesore të shtegtimit kreshmor, që nisi me të Mërkurën e Përhime: lutja, agjërimi dhe lëmosha. Agjërimi, në veçanti, nuk duhet kuptuar vetëm në përmasën e tij formale. Ka kuptim - na kujton disa herë Papa Françesku - vetëm nëse na çon në rrugën e Samaritanit të Mirë. E vlerë, nëse jetohet me maturi "një jetë që nuk shpërdoron, që nuk i flak tutje gjërat, të cilat duhen ruajtur".
Çfarë lloj agjërimi dëshiron Zoti?
Kreshmët janë kohë kushtuar agjërimit e pendesës. Por çfarë lloj agjërimi dëshiron Zoti nga njeriu? Papa Françesku iu përgjigj kësaj pyetjeje më 16 shkurt 2018 gjatë meditimit të mëngjesit në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës: nuk është vetëm çështje që ka të bëjë "me zgjedhjen e ushqimeve", por me stilet e jetesës, të cilat njeriu duhet të ketë "përvujtërinë" dhe "koherencën” t’i pranojë e t’i korrigjojë si mëkate.
Përgjigja, vëren Françesku, vjen nga Shkrimi Shenjt, ku lexojmë: "Duhet ta përkulësh kokën si kallam", domethënë "të përulësh veten", të mendosh për mëkatet tuaja. Ky, nënvizon Papa Françesku, është "agjërimi që do Zoti: e vërteta, qëndrueshmëria".
Në predikimin e tij gjatë Meshës të së Mërkurës së Përhime, në Bazilikën e Shën Sabinës, më 22 shkurt 2023, Papa kujtoi se "agjërimi nuk është sjellje e thjeshtë, por gjest i fortë për t’i kujtuar zemrës sonë çka është e rëndësishme e çka kalimtare".
Vlera e agjërimit?
Në këtë kohë Kreshmësh, duhet të pyesim se çfarë kuptimi ka për ne, të krishterët ta "lëmë veten pa diçka, që do të ishte e mirë dhe e dobishme për jetesën tonë". Në mesazhin e tij për Kreshmët e vitit 2009, Papa Benedikti XVI kujton mësimet e Shkrimeve të Shenjta dhe të traditës së krishterë: “Ata na mësojnë se agjërimi është ndihmë e madhe për të shmangur mëkatin dhe gjithçka që të çon në të. Për këtë arsye, ftesa për agjërim përsëritet disa herë në historinë e shëlbimit.
Në faqet e para të Shkrimit Shenjt, Zoti e urdhëron njeriun të mos e prekë mollën e ndaluar”. “Meqenëse të gjithë jemi të rënduar nga mëkati dhe pasojat e tij - shkruan Benedikti XVI - agjërimi na ofrohet si mjet për të ripërtërirë miqësinë tonë me Zotin”. Duke kujtuar, më pas, faqet e Besëlidhjes së Re, Papa Ratzinger nënvizon se "agjërimi i vërtetë synon të hajë 'ushqim të vërtetë', domethënë, të bëjë vullnetin e Atit".
Po çfarë përfaqëson agjërimi?
Pra, agjërimi, në shtegtimin shpirtëror të Kreshmëve, nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimet materiale. Përfaqëson "një realitet kompleks dhe të thellë". Papa Gjon Pali II e pati nënvizuar këtë më 21 mars 1979 duke iu drejtuar të rinjve në Sheshin e Shën Pjetrit: “Agjërimi është simbol, është shenjë, është thirrje serioze dhe nxitëse për të pranuar apo për të flijuar. Çfarë flijimi? Heqje dorë nga “vetja”, domethënë nga tekat, nga të metat, nga pasioni i tërbuar, nga dëshirat e palejueshme".
Agjërim do të thotë të dish t’i thuash “jo” me plot gojën dëshirave që burojnë nga krenaria, egoizmi, vesi, dëgjimi i zërit të vetvetes, duke respektuar ndërgjegjen tënde, të mirën e të tjerëve e duke i qëndruar besnik Ligjit të shenjtë të Zotit. Agjërim do të thotë t’u vësh cak dëshirave të shumta, ndonjëherë edhe të mira, për të pasur vetëkontroll të plotë, të mësohesh t’i rregullosh instinktet, të stërvitësh vullnetin për të bërë gjithnjë mirë”.
Agjërim - kujton më tej Gjon Pali II - do të thotë t’ia heqësh diçka vetes, "për të plotësuar nevojën e vëllait, duke bërë kështu, një ushtrim mirësie, dashurie të krishterë".
Po cili është agjërimi më i preferuar?
Kreshmët janë kohë e heqjes dorë dhe e pendimit. Por edhe “kohë e bashkimit dhe e solidaritetit”. Papa Pali VI e nënvizon këtë në Mesazhin për Kreshmët e vitit 1973, duke na ftuar të dëgjojmë këshillat e Izaisë Profet: “A nuk është ky agjërimi më i pëlqyer? (...) Të ndash bukën me të uriturit, të mirëpresësh të pastrehët nën strehën tënde, të veshësh të zhveshurin, të mos largohesh nga ai, që është korpi yt”.
Këto këshilla - vëren Papa Montini - pasqyrojnë shqetësimet e njerëzimit bashkëkohor" në mënyrë që secili "të marrë pjesë vërtet në vuajtjet dhe mjerimet e të gjithëve".
Reflektime, këto, të cilat u shtohen atyre të Papës Gjoni XXIII. “Kisha - pohon Papa në mesazhin radiofonik të vitit 1963 me rastin e fillimit të Kreshmëve - nuk u prin bijve të saj në një ushtrim të thjeshtë praktikash të jashtme, por në një angazhim serioz dashurie dhe bujarie për të mirën e vëllezërve, në dritën e mësimeve të lashta të profetëve": "A nuk është ky agjërimi që dua më shumë? Zgjidhi lidhjet e mbrapshtisë: liro të shtypurin, shkarkoje çdo barrë. Thyeje bukën tënde me të uriturit e hape derën e shtëpisë sate për të varfërit”… “Atëherë drita jote do të shndrisë si agimi, shpëtimi yt do të mbijë së shpejti, drejtësia jote do të ecë para teje dhe lumnia e Zotit do të dalë përpara!” (Is 58, 6-8).