Kërko

 Santa Teresa di Lisieux Santa Teresa di Lisieux

Kremtimet e Kremonës, për 150 vjetorin e Shën Terezës së Lisieux

Për 150-vjetorin e lindjes së karmelitane, shpallur Doktore e Kishës, dioqeza Lombarde e Kremones organizon një sërë nismash, që lidhin artin me përshpirtërinë, për të vlerësuar figurën e një Vashe që, megjithëse vdiq shumë e re, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e krishterimit

R.SH. / Vatikan

“Tereza e Lisieux. Dituria e dashurisë”: ky është titulli dhe lajtmotivi i serisë së veprimtarive, që po zhvillohen në Kremonë, kushtuar figurës së e Shenjtes franceze në 150-vjetorin e lindjes(1873-20 23), nga Dioqeza e Kremones, Komisioni Italian për Unesco-n dhe Fakulteti Teologjik Papnor Teresianum i Romës.

Arti e përshpirtëri, në kujtim të Murgeshës karmelitane

Nismat filluan sot në Baptisterin e Kremonës me ekspozitën, që u hap në orën 17:00 në prani të imzot Antonio Napolionit dhe autoriteteve të qytetit e që do të jetë e hapur deri më 30 mars. Një takim tjetër do të jetë konferenca kushtuar thellimit në jetën, përshpirtërinë dhe mendimin e Terezës së Lisieux. Do të mbahet pasditen e së enjtes, 23 mars, në orën 17, në sallën e madhe të Kampusit të Santa Monica, seli kremoneze e  Universitetit të Zemrës së Krishtit. Në konferencën "Teresa e Lisieux, eko-krijuese" do të flasin Nënë Cristiana Dobner, Karmelitane e zbathur dhe autore tekstesh të ndryshme për Shenjtoren dhe Arnoldo Mosca Mondadori, nga Fondacioni Casa dello Spirito e delle Arti (Shtëpia e Shpirtit dhe e Arteve). 

Veprimtaritë do të përfundojnë mbrëmjen e së enjtes, 30 mars, ora 21, në Katedralen e Kremonës, me një koncert të organizuar nga konservatori "Claudio Monteverdi" dhe me pjesëmarrjen e korit të gjimnazit "Antonio Stradivari", me tingujt e "Kuartetit të detit", violina të punuara me dru nga varkat e emigrantëve, falë angazhimit të Fondacionit Casa dello Spirito e delle Arti. Mbrëmja do të pasurohet edhe me leximin e disa fragmenteve të zgjedhura nga shkrimet e Terezës së Lisieux.

Dialog i besimit me kulturën, për të nderuar Terezën

Nisma synon të festojë 150-vjetorin e lindjes së Shenjtores së Karmelit, vdekur në vitin 1897, në moshën 24 vjeçare, e cila megjithëse nuk kishte kryer studime akademike, la shkrime që, për shkak të thellësisë, risisë së mendimit dhe përhapjes në mbarë botën (veprat e saj janë përkthyer në 60 gjuhë), i dhanë titullin Doktor i Kishës. Në vitin 2021, me propozimin e qeverisë franceze dhe mbështetjen e Italisë dhe të Belgjikës, 193 shtetet anëtare të Unesco-s  votuan për ta përfshirë në listën e personaliteteve, që do të nderohen në vitin 2023. E kjo e bën edhe më të dëshiruar ngjarjen kulturor, që mbështet dhe vazhdon dialogun e fesë me kulturën.

Ky takim ka një rëndësi të veçantë për Kremonën, qyteti i parë lombard, ku u ngrit një manastir karmelit në famullinë aktuale të Sant'Imerios, i lidhur me një sërë kuvendesh të tjera të ngjashme. Në Francë: në Alençon, Lisieux, në Paris. Në Itali: në Romë pranë Fakultetit të Teologjisë Teresianum, në Rimini, Milano, Pavia. Në Spanjë: në Universitetin e Avilës. Në Zvicër, në Fakultetin Teologjik të Luganos.

Flitet aq shumë për Terezinën, sa të duket se jeton ende mes nesh, duke na shoqëruar në rrugën që hapi: rrugë e shenjtërisë, e ndjekur edhe nga Nënë Tereza, që zgjodhi emrin e Shenjtores, për t’u bërë edhe ajo vetë Shenjtore!

20 mars 2023, 17:42