Kjara, vasha që e mund pushtetin, me varfërinë dhe besnikërinë ndaj Ungjillit
R.SH. - Vatikan
E drejta për të mos pasur asgjë. Detyra për t'iu bindur vetëm Zotit dhe ndërgjegjes, duke dalluar urdhrat e autoritetit. E greva e urisë, si mjet paqësor i besnikërisë ndaj Zotit dhe ndërgjegjes, duke e lënë trupin e vdekshëm mënjanë, si guri kur merr mëthua, pa u kujdesur për jetën”. Kjara e Asizit i flet edhe sot botës, me zë të lartë, shumë aktual. Rregulla e saj - e para në historinë e Kishës e shkruar nga një grua - për gratë - dhe zgjedhjet e jetës së saj revolucionare, vijojnë t’u flasin drejtpërdrejt grave dhe burrave të sotëm. Nuk duhet t’i bindemi një urdhri, që shkel marrëdhënien me Zotin dhe besimin në Të – na kujton edhe sot e kësaj dite Rregulla për të cilin Kjara luftoi tetë shekuj më parë. E kjo është detyrë, jo mundësi. Parim i afirmuar në Rregullën Clariane të vitit 1258, e cila, megjithëse me miratimin e Papës, nuk e kapërceu kufirin e rrethit të grave të manastirit të Shën Damianit, të cilat e quanin Kjarën "nënë". E kështu edhe ishte!
Fjalë të pabotuara dhe revolucionare
Në Rregullën e Kjarës lexojmë: "Motrat (...) janë të detyruara t'i binden abateshave të tyre në zbatimin e premtimeve që ia bënë Zotit dhe që nuk janë në kundërshtim me shpirtin tonë e me kushtet tona". Fjalë të panjohura për epokën kur u shkruan, për rrethanat, problematikën, edhe pse të shkruara nga një grua: 800 vjet më parë një vashë nën kontroll patriarkal nga djepi deri në varr, e fundit ndërmjet të fundëve, mbronte, në mënyrë profetike, detyrën për të mos iu bindur urdhrave të njerëzve, që mund t’i kërkonin edhe për të bërë keq! Edhe sikur të ishin autoritete! Mbronte, ndërkaq, idenë se kjo quhej “bindje ndaj Zotit” – bindje me vlera tejet aktuale për të gjitha kohërat! Pohuar pas dyerve të mbylluara të një manastiri, ku një grusht vajzash morën guximin t’i bindeshin vetëm Fjalës së Zotit! Kjo, po, ishte e është bindje ndaj Zotit. Bindje që asokohe - e ndoshta edhe këso kohe - ndokujt mund t’i duket shkandulluese!
Pretendim për liri, që shqetësoi shumëkënd
Interpretimi i këtyre fjalëve me vlerë të përhershme, është i motrave të Federatës së Shën Kjarës së Asizit, Kjarës së pasur të Asizit, që u bë Kjara e varfër, me një mori motrash nëpër botë, të cilat krijuan dhe nënshkruan një studim me tre vëllime për gruan që edhe sot e kësaj dite e quajnë nënë, titulluar “Chiara D'Assisi”, botime Messaggero Padova, ribotuar në vitin 2018. Është libër mbi një Rregull-sfidë. Në shekullin e trembëdhjetë, pretendimi për liri të plotë dukej absurd, pothuajse skandaloz, ashtu si duket shpesh edhe sot. Po edhe sot e kësaj dite Motrat e Shën Kjarës vijojnë të pohojnë të drejtën për të mos pasur asgjë, për ta pranuar Ungjillin si formë jete, për të pohuar me forcë se mosbindja ndaj një urdhri të paligjshëm ose të padrejtë është bindje ndaj së vërtetës! Bindje ndaj Fjalës së Zotit!