Kardinali Zuppi: pa zhvillim nuk ka paqe, as drejtësi
R. SH. - Vatikan
“Ta mbash premtimin për të ndarë 0.70% të të ardhurave kombëtare brut për solidaritetin ndërkombëtar, nuk është lëmoshë, por ndihmë për paqen, që duhet dhënë së bashku - me organizatat ndërkombëtare, duke pasur parasysh misionarët e shumtë të pranishëm në mbarë botën - e edhe përmes ndërhyrjeve që mund t'i ndihmojnë njerëzit të largohen a të qëndrojnë në viset e tyre". Këtë theksoi kryeipeshkvi i Bolonjës, Matteo Zuppi, Kryetar i CEI (Konferencës Ipeshkvnore Italiane), duke folur dje, më 4 mars, në Bolonjë, në seminarin "Ju duhet. Ju mundeni!" për vënien në jetë të “Fushatës 0,70” e cila kërkon që 0.70% e të ardhurave kombëtare brut t’i kushtohen, deri në vitin 2030, mbështetjes së veprimtarive të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të solidaritetit.
“Duhet të kalojmë nga deklaratat, në angazhime të sakta e në projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, që mbështesin zhvillimin - theksoi përsëri – duke e pasur mirë parasysh se po të mos ketë zhvillim, nuk mund të ketë as paqe e as drejtësi”. “Jemi të barabartë dhe vëllezër: të punosh për zhvillimin - shpjegoi kardinali - do të thotë të hedhësh themelet për mirëqenien e të gjithëve; të mendosh për të tjerët, e në veçanti për Afrikën, mund të jetë një mundësi e shkëlqyer.
Takimi i Bolonjës u organizua nga Qendra Misionare Dioqezane, në bashkëpunim me Campagna070 dhe Generation Cooperation Project. Morën pjesë edhe disa përfaqësues institucionalë dhe organe baritore të Konferencës së Ipeshkvijve Italianë.
Të gjithë duhet të punojmë për drejtësinë në botë
“Koha e Kreshmëve - nënvizoi akoma Kryetari i CEI (Konferencës Ipeshkvnore Italiane) – na fton të dalim nga bota e ëndrrave dhe të hyjmë në botën reale. Shpesh herë shikojmë shtrembër dhe mendojmë se gjithçka do të jetë më e mirë, por nuk është kështu. Jemi në një luftë, e cila na kujton rrezikun e konfliktit bërthamor me efekte të pallogaritshme, që e kemi të vështirë t'i kuptojmë.
Dëgjojmë çdo ditë të flitet për të vrarë në fushat e betejave nëpër botë, për tërmete, për fëmijë që mbyten në mes të ujërave të detit! Dete, që shndërrohen në varreza! Prej gjithë kësaj tragjedie nuk mund të dalim të vetëm! Jemi në të njëjtën barkë - siç na kujton Papa Françesku. - Ndaj duhet të punojmë të gjithë për paqen, për drejtësinë, për zhvillimin. Të gjithë munden dhe duhet të japin ndihmesën e tyre për ta ndryshuar botën!”. “Duhet të kalojmë nga deklaratat, në angazhime të sakta – ngulmoi kardinali Zuppi - të gjithë duhet të punojmë për drejtësinë në botë!”.