Kërko

Martirët e Kishës në Shqipëri Martirët e Kishës në Shqipëri

Përkujtohet sot, 28 mars, i Lumi don Dedë Maçaj, meshtar e martir

U akuzua nga regjimi komunist për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e për shumë të tjera. Prandaj, u torturua tmerrësisht, për të pranuar fjalë të pathëna e veprime të pabëra e të sajuara. Sipas shembullit të Mësuesit e Shpëtimtarit të Tij, Jezu Krishtit, dom Dedë Maçaj përballoi fyerjet dhe vuajtjet deri në pushkatim, pa gjyq, më 28 mars 1947 në Përmet, në moshën 27 vjeç.

R.SH. - Vatikan

Më 28 mars kalendari kishtar përkujton të Lumin shqiptar dom Dedë Maçaj, meshtar e martir.
 
I Lumi dom Dedë Maçaj lindi në fshatin Mal i Jushit, më 5 shkurt 1920. Nxënës i Seminarit Papnor Shqiptar në Shkodër, Kolegjit Saverian, drejtuar prej jezuitëve, vijoi studimet filozofike e teologjike pranë Universitetit Papnor Urbaniana në Romë, ku qe shuguruar meshtar në vitin 1944. U kthye në vendlindje pikërisht në fillimet e persekutimit të të krishterëve nga regjimi komunist. Pas detyrës e misionit të parë më 1945 si zëvendës-famullitar i Katedrales së Shkodrës, ku ishte famullitar dom Mikel Koliqi, kardinali ardhshëm më 1994, një vit më vonë, më 26 janar 1946 u emërua Administator i famullisë së Sheldisë, duke zëvendësuar të Lumin dom Ndré Zadeja, që ishte pushkatuar nga regjimi komunist më 25 mars 1945, njëzet ditë pas paraardhësit tjetër të tij, të Lumit Dom Lazër Shantojës. Kështu dom Deda qe pasardhësi i tyre në mbarështimin e komunitetit famullitar dhe, siç do të tregojë jeta e tij, edhe në martirizim.

Dom Dedë Maçaj ishte meshtar i ri shumë i zgjuar, i vendosur dhe i patundur. Ishte i qeshur, me takt, i shoqërueshëm, i thjeshtë si një shenjt. Ishte shumë i mirë, shpirtëror, i zellshëm dhe i devotshëm, që e përmbushte shërbimin e tij meshtarak shpirtëror me përgjegjësi e përkushtim. Një lutje, që e bënte gjithmonë dhe ua mësonte edhe të tjerëve, siç ka treguar, më 19 mars 2005, Vasë Toma ishte: “O Zojë, ki mëshirë. Lutu për mua në fill të vdekjes dhe ruaje trupin tim e shpirtin tim përgjithmonë e jetës”. U angazhua shumë për edukimin shkollor, njerëzor dhe të krishterë të fëmijëve, të rinjve të cilët i këshillonte të mësonin shumë për jetën.

Vetëm një vit zgjati misioni i tij meshtarak në Sheldi dhe praktikisht qe viti i vetëm i plotë ku mundi të vërë të gjithë pasionin dhe energjitë e tij në shërbim të atij populli të Hyjit. Nëse zelli i tij i kënaqte besimtarët, jo aq vlerësim gëzonte nga ana e regjimit, i cili shihte tek ai një përhapës të vlefshëm të vlerave të fesë “obskurantiste”. Pastaj, fakti se prej pak kohësh ishte kthyer nga Roma dhe, kushedi, mendonin ata të pushtetit komunist të popullit, se çfarë do t’u kishte treguar Papa kundër tyre, e edhe ndikimi i tij i fortë mbi të rinjtë.

Pra, në një mënyrë apo në tjetrën, sipas regjimit komunist që “kishte formuar një fe të re pa fe me në qendër hyjin Stalin dhe donin të zhduknin Kishën e mbarështuesit e saj”, dom Dedë Maçaj duhej të hiqej qafe. Kështu i përgatitën dhe i ngritën një kurth. Megjithëse ishte famullitar, duke mbushur 26 vjeç, dhe megjithëse i brishtë për nga shëndeti, në javën e parë të janarit 1947, u thirr për të kryer shërbimin ushtarak mes keqardhjes së besimtarëve, që ankonin për largimin e tij dhe çorientimin prej faktit se regjimi komunist thërriste edhe meshtarët për të kryer shërbimin ushtarak.

Në Sheldi, një ditë para se të nisej për shërbimin ushtarak, tha në Kishë: Kush dëshiron të marrë pjesë në Meshën e shenjtë të vijë nesër, sepse që nesër nuk do të jem më famullitar ketu. Besimtarët pothuajse parandien se nuk do ta kishin parë më, vetë u grumbulluan dhe e shoqëruan një pjesë të mirë rruge duke lotuar. Që të shmangte më të keqen, i saktë siç ishte, me përpikëri u paraqit në repart. Gjatë shërbimit ushtarak dom Dedë Maçaj ishte shofer i autoambulancës së ushtrisë. Ndryshimin e jetës e të veprimtarive nga prift famullitar në ushtri, dom Deda e jetoi si diçka të diktuar nga regjimi komunist, ndryshim të jetës që ia dhuroi Zotit, edhe pse apo pikërisht sepse shërbimi ushtarak nuk ishte në pajtim me thirrjen e vet.

Nga letrat e tij kuptohet se ai ishte i gatshëm për t’u përballuar me gjithçka “për vullnet të Zotit”. Si shofer ushtarak, një herë, u kthye me vonesë, për shkak se i ishte prishur makina, e kjo u përdor nga regjimi si pretekst politik me pasoja tragjike. Menjëherë më pas u sëmur me grip dhe u dërgua në infermierinë e repartit ushtarak të Përmetit, ku, katër ditë para se të dilte, u arrestua nga komanda e regjimentit. Në momentin e arrestimit, më 10 mars 1947, u tha: Jam i sëmurë! Ata i janë përgjigjur: Do të të shërojmë ne!. Dhe ilaçe regjimi komunist kishte mjaftueshëm në dispozicion, edhe nga ato që të bënin të pushoje....përgjithmonë. Diagnoza iu bë me të shpejt: iu gjetën, madje iu sajuan, veprimtari sabotimi kundër pushtetit popullor dhe vepra spiunazhi në favor të Vatikanit. Praktikisht për regjimin komunist, dhe nuk ishte hera e parë, studimi në Romë e qenia prift katolik, donte të thoshte se ishe spiun i Vatikanit.

Pra, u akuzua edhe për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe se kishte inkurajuar ushtarët që të dezertonin dhe të iknin në Greqi, gjithashtu, duke pasur në ushtri edhe detyrën e radiolidhësit, se ishte kapur ndërsa komunikonte me jashtë. Prandaj u torturua tmerrësisht, për të pranuar fjalë të pathëna e veprime të pabëra e të sajuara, dhe sipas shembullit të Mësuesit e Shpëtimtarit të Tij, Jezu Krishtit, dom Dedë Maçaj përballoi fyerjet dhe vuajtjet deri në pushkatim, pa gjyq, më 28 mars 1947 në Përmet, në moshën 27 vjeç. Së bashku me 38 martirët e Kishës katolike shqiptare, dom Dedë Maçaj u shpall i Lum më 5 nëntor 2016 gjatë Meshës solemne kremtuar në Shkodër. “Po më vrisni vetëm prej urrejtjes që keni për Kishën katolike” tha para se të jepte jetën për Fe e Atdhé.

28 mars 2023, 11:09