Kërko

Jezusi ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër Jezusi ia rikthen dritën e syve një njeriu, lindur i verbër

Fjala e Zotit e dielës së 4-të Krezhmëve 'A'

Permes të verbrit të lindur Ungjilli Gjonit (Gjn 9, 1-41) ka dashur t’ua le besimtarëve të çdo epoke një mesazh të qartë: kur Jezusi ndërhyn, e shëron tërë personin e jo vetëm një pjesë; nuk shëron vetëm nga sëmundja fizike, por nga tërë e keqja që e kërcënon njeriun. Ai është Shpëtimtari i botës: i çdo njeriu, i njeriut në tërësi. Drita e Krishtit Zot na ndihmon të jetojmë një jetë të re e të sjellim fryte të mira, të drejta e të vërteta në jetën e përditshme.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Krezhmëve 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Krezhmëve 'A'

Tregimi ungjillor i shërimit të një njeriu të verbër që nga lindja bëhet metaforë për udhëtimin tonë të fesë drejt Pashkëve. Ungjilli i Gjonit flet për shërimin e njeriut, i cili kishte lindur i verbër, por që Krishti e shëron e i tregon se ka ardhur në botë për t’i veçuar të verbërit e shërueshëm, nga ata që nuk duan të shërohen, duke kujtuar se janë shëndosh Episodi ungjillor i njeriut, që kishte lindur i verbër, të cilit Jezusi ia kthen dritën e syve, na kujton se në fund, i verbëri, i shëruar, fiton edhe fenë. E ky është hiri më i madh, që i dhuron Krishti. Njeriu, që iu hapën sytë, shikon Atë, Jezusin që është drita e botës. Dhe e njeh.

Zgjedhja e Davidit të ri për mbret të izraelit (Leximi Parë) i përgjigjet logjikës së Zotit që lexon e shikon zemrën dhe vështrimet e tij nuk përkojnë domosdoshmërisht me tonat. Vërtet, shpesh herë, ne ndalemi te aspektet e jashtme, te përshtypja e madje edhe bindja që krijojmë nga dukja apo pamja e jashtme. Zoti shikon në thellësi dhe zgjedh me urti, kujdes e përpikëri.

Shën Pali i fton Efasianët (Leximi Dytë) t’i bien mohit errësirës dhe të jetojnë si bijtë e dritës. Të kaluarës së errësirës duhet t’i kundërvihet drita, plogëtisë veprimtaria e zelli, mos angazhimit pjesëmarrja. Besimtari, i pagëzuar në Krishtin, duhet të sjell fryte.

Shërimi i të verbrit të lindur e të shëruar nga Jezusi, (Ungjilli), i ofron Gjonit ungjilltar rastin për të vënë në pah udhën e fesë që avancon mes mundimesh e vështirësish. I verbri arrit te drita, do të thotë tek feja në Zotin, dhe atë e kumton. Ai është “drita e botës”. Ky episod ungjillor na nxit të reflektojmë për fenë tonë në Krishtin, Birin e Zotit, e njëkohësisht, na kujton edhe Pagëzimin, që është Sakramenti i parë i fesë: Sakramenti, që na bën të dalim në dritë, përmes rilindjes nga uji dhe nga Shpirti Shenjt Zot.

Në ungjillin e kёsaj sё diele vihen përballë njëra-tjetrës drita dhe errësira. Njeriu i prekur nga verbëria e pashërueshme, i mënjanuar nga shoqëria dhe feja është personifikimi simbolik i gjendjes mëkatare në të cilën është njeriu i pandriçuar nga Krishti. Vetëm takimi me Jezu Krishtin, Dritën e botës, dritë “që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9) – e heq perden nga sytë, e ripërtërin njeriun, ia kthen tërë dinjitetin, e lejon të pikasë shkëlqimin e gjërave dhe shijen e re të jetës.

I verbri i lindur e i shëruar na përfaqëson ne, kur nuk kujtohemi se Jezusi është ‘drita e  botës’, kur shikojmë gjetiu, kur na pëlqen më shumë t’i besojmë dritave të vogla, kur ecim në terr. Fakti që i verbri nuk ka emër, na ndihmon të shikojmë fytyrën tonë, në të tijën dhe emrin tonë, në historinë e tij. Edhe ne u shndritëm nga Krishti në Pagëzim e, prej këndej, u thirrëm të sillemi  e të jetojmë si bij të dritës. E kjo kërkon ndryshimin rrënjësor të mendësisë, aftësinë për jetën e përtishmëm, pët t’i vlerësuar njerëzit e sendet sipas një shkalle tjetër vlerash, që vjen nga Zoti. Kështu, Fjala e Zotit na nxit të gjithëve t’i njohin verbëritë e dritëshkurtësisë tona e, posaçërisht, mëkatin e madh të mendjemadhësisë dhe tё pranojmë Dritёn e Jetes qё Jezusi na ofron.

                                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit


Leximi i parë (1 Sam 16, 1. 4. 6-7. 10-13)

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë, Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta qash Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja të të çoj tek Jeseubetlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij”.
Samueli bëri siç i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem.
Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij”.
Por Zoti i tha Samuelit: “Mos e shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”.
Kështu Jeseu i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Jeseut: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin”.
Samueli i tha përsëri Jeseut: “A janë vetëm këta bijtë e tu”?
Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet”.
Samueli i tha Jeseut: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa të vijë ai këtu”.
Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është”.
Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi mes vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej asaj dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë. Fjala e Zotit!

Psalmi 23 (22)

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon
.
____________________________________________

Nëpër fusha të gjelbra, Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

_____________________________

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
________________________________

Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit`
derisa të jem gjallë.
____________________________________________

Leximi i dytë (Ef 5, 8-14)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – vendosuni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbuloni! Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të flitën! E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vërtetë të veten, sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!”. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti,
kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë,
por do ta ketë dritën e jetës.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli (Gjn 9, 1-41)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi, duke kaluar rrugës, pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën: “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?”
“Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij - u përgjigj Jezusi - por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë, jam drita e botës.”
Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë: I dërguari)”.
Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”
“Ai është” - thoshin disa.
“Jo, por është një që i përngjan atij - thoshin disa të tjerë.
Ai vetë thoshte: “Unë jam”.
Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”
Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”
“Ku është ai?” - i thanë.
“Nuk di” - u përgjigj.
Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve.
Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava - dhe, ja, tani shoh!”
Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”
Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?” Dhe u bë përçarje ndër ta.
Pastaj e pyetën prapë të verbrin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”
“Është profet” - iu përgjigj.
Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”
Atëherë prindërit e tij u përgjigjën: “E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”
Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’
Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”
“A është mëkatar - u përgjigj - s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”
Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”
“Tashti ju thashë - u përgjigj - e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin:
“Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut! Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!” “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme - u përgjigj njeriu - ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia dha pamjen e syve të verbrit që lindi i verbër! Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”
“Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat - iu përgjigjën - e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta.
Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha:
“A beson ti në Birin e njeriut?”
Ai iu përgjigj: “Po kush është Ai, Zotëri, që të besoj në Të?”
“E pe - i tha Jezusi - Është ai që po flet me ty!”
Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.
Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër, e të verbohen ata që shohin!”
Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”
Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër, s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.”
Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA IV E KREZHMËVE: ERDHA NË KËTË BOTË TË BËJ GJYQ.

(1 Sam 16, 1.4.6-7.10-13; Ps 23 (22); Ef 5, 8-14; Gjn 9, 1-41)

E pastaj në jetë vjen çasti kur të duhet të përballesh patjetër me dritën e së vërtetës. Vjen çasti kur Zoti të vë përballë një dritë shumë të veçantë, një dritë e cila jo domosdoshmërisht i bën njerëzit që të shohin, por që të verbohen edhe më fort. Është karakteristika më tipike e Krishtit, Dritës së vërtetë të botës, i cili i shfaqet njeriut si në faqet e Ungjillit, ashtu edhe në thellësinë e ndërgjegjes së tij. E, kur kjo dritë bëhet e pranishme, të detyron të mbash qëndrim: ose t’i hapesh asaj, që të shohësh edhe më qartë, ose t’i mbyllesh shkël­qi­mit të saj, për t’u verbuar kështu edhe më fort. Janë të shumta faqet e Ungjillit që na e shtjellojnë këtë të vërtetë, por pjesa e sotme ungji­llore duket sikur merret vetëm me këtë çështje: «Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin.», thotë Jezusi. Ky «gjyq» i ashpër këtu na tregohet jo teorikisht, por me një histori konkrete; me një histori ku personazhet që përfshihen në të, janë të gjithë të detyruar që të mbajnë qëndrime e të marrin vendime përballë kësaj Drite që është Jezusi.

Të parëve që u duhej të mbanin qëndrim e të merrnin vendimin, nëse lejonin përvujtërisht të shndriteshin nga Jezusi, qenë apostujt të cilët, përballë të verbërit që kishte lindur i tillë, i bënë Jezusit atë pyetjen që njerëzit e kanë zakon ta bëjnë shpesh në këso ras­tesh: «Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që lindi i verbër?» Jezusi do t’i korrigjojë qetësisht: «Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij, por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.» Çdo vuajtje në këtë botë është e mbështjellë me një mister, njohjen e të cilit e zotëron vetëm i Gjithëpushtetshmi. Njeriut i duhet vetëm që, me plot dashuri ndaj Hyjit të vet e ndaj njeriut-vëlla që po vuan, të vihet në kërkim të këtij plani të mistershëm e, ndërkohë, të vihet edhe në shërbim dashurie. «Këtu, misteri i vuajtjes shndritet nga misteri i dashurisë.», tha Papa Gjon Pali II kur vizitoi në Kalkutë njërën prej shtëpive të të sëmurëve që kishte themeluar Nënë Tereza.

Së pari, na duhet të vëmë re në Ungjillin e sotëm se Jezusi nuk e shëron këtë të verbër prej asgjëje, pa bashkëpunimin e tij, por i kërkon atij besim në fjalën e Tij, duke i thënë, pasi ia kishte lyer sytë me baltë: «Shko e lahu në banjën Siloam!» Balta të kujton krijimin e Adamit prej dheut të tokës në fillimin e botës. Duke përsëritur gjestet e Krijuesit, Jezusi po i sfidonte ata që i rrinin përreth, duke i ftuar në besueshmëri ndaj Personit të Tij, ndaj një Hyji të veshur plot e përplot me përvujtëri.

E, pasi ndodhi shërimi i të verbërit, skena, në dukje e qetë e plot ëmbëlsi, mori shumë shpejt ngjyra e dinamika nga më të ndryshmet. Reagimet e atyre që janë të pranishëm në një mrekulli të tillë, janë nga më të çuditshmit. Ka prej atyre që nuk vonojnë të thonë deri edhe se ai njeri nuk ishte i verbëri i vërtetë që ishin mësuar të shinin gjithnjë, por ishte «një që i përngjan atij».

Nuk e di a do të kisha dashur të isha atë ditë aty: nga njëra anë ndoshta kjo mrekulli do të ma kishte shtuar afrimin tim me Jezusin, por nuk e di nëse edhe unë do të kisha qenë jashtëzakonisht i aftë për të gjetur shpjegime të tjera për atë që ndodhi. Duhet të dimë mirë, madje ta dimë shumë mirë, se mrekullitë nuk është e thënë se i kthejnë gjithnjë njerëzit kah Zoti. Është e vërtetë se shpeshherë mrekullitë e shtojnë fenë e disave, por është e vërtetë edhe krejt e kundërta. Mrekullitë janë si puna e erës në lidhje me një varkë: nëse varka i ka velat e hapura, atëherë era ka çfarë të shtyjë, por nëse jo, era nuk mund të bëjë asgjë. Ashtu edhe mrekullia: nëse njeriu i ka hapur “velat” e ndërgjegjes së vet për ta kërkuar të vërtetën e për ta pranuar atë përvujtësisht, atëherë mrekullia thjesht do ta shtyjë atë me forcë në këtë proces kërkimi. Por, nëse në ndërgjegjen e tij, njeriu nuk e kalit vetveten në kërkimin e së vërtetës, atëherë shumë shpejt edhe ai do të jetë i aftë të gjejë shpjegime e justifikime nga më të ndryshmet për mrekullitë që mund t’i ndodhin në jetë. Hyji kthen mëkatarët, por jo kokëfortët. Ka shumë mëkatarë që janë të tillë nga padija e jo ngaqë zgjedhin të jenë të tillë. Gabojmë nëse e krahasojmë Shën Palin, para se të kthehej, me farisenjtë e kryepriftërinjtë që përmenden sot në Ungjill. «Veproja nga padija.», shpjegonte Shën Pali kur fliste për gjendjen e tij të dikurshme prej përndjekësi të të krishterëve (1 Tim 1, 13). Kur Sauli (Shën Pali) do të dëgjonte zërin e Jezusit, do të kthehej, kurse farisenjtë e Ungjillit të sotëm, përballë mrekullisë së qartë, gjetën shpjegime të tjera. Sa keq është kur heqim dorë nga kërkimi i së vërtetës!

Mendoj se ky është shpjegimi i vetëm që mund t’i jepet faktit që paria e farisenjve nuk e pranuan mrekullinë e shërimit të të verbërit. Madje arritën të gjenin edhe justifikimin teologjik për të thënë se ai shërim nuk ishte vepër e Hyjit: Jezusi nuk kishte respektuar pushi­min e së shtunës kur kishte marrë në duar baltën me të cilën i kishte shëruar sytë të verbërit. Na ruajttë Zoti nga teologët që hiqen më teologë se vetë Zoti.

Pastaj u është dashur edhe prindërve të të shëruarit që të mbanin qëndrim përballë mrekullisë së shërimit të djalit të tyre. Ata publikisht e pranojnë se i shëruari është i biri i tyre që u kishte lindur i verbër, por nuk pranojnë të shtyhen më tutje për shkak të frikës së judenjve, të cilët kishin dhënë urdhër të përjashtohej nga sinagoga kushdo që e pranonte Jezusin për Mesi. Është si të kërcënohej një i krishterë me shkishërim.

Por qëndrimin më prekës e mbajti vetë i shëruari. Ai nuk pranoi kurrësesi ta mohonte apo ta zbehte origjinën e shërimit të tij. E pohonte publikisht para popullit të thjeshtë që e rrethonte dhe vazhdoi ta pohonte atë edhe në “gjyqin” që farisenjtë shpejt e shpejt improvizuan kundër tij. Kur farisenjtë deshën t’ia impononin që ta pranonte se Jezusi kishte mëkatuar kur kishte marrë baltën në duar, ai u përgjigj prerazi: «A është mëkatar s’e di: një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh.» Madje kur ata fillojnë ta fyejnë, ai sikur merr jetë edhe më shumë. «Kur janë të ndëshkuar, gëzohen, thuajse po marrin jetë.», thoshte për të krishterët në shekullin e dytë autori i Letrës së drejtuar Dionjetos. Po, «i krishterë» kishte filluar të bëhej tani i shërua­ri. Farisenjtë e kishin hetuar këtë, prandaj i thanë: «Ti je nxënës i tij.» Drita e syve që kishte marrë, i kishte hapur një dritë tjetër në shpirt: dritën e besimit në Personin e Jezusit si Biri i Hyjit. I krishteri është pikërisht një i tillë.

Prandaj, përballë përçmimit plot krenari të farisenjve që i thonë «Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej kah është.»  ai, si për ta ndezur me dashje edhe më fort tërbimin e tyre, u përgjigjet: «Shi kjo është e çuditshme: ju s’dini as prej kah është e mua më dha dritën e syve!... Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë.» Farisenjtë e tërbuar përballë një përgjigjeje të tillë çarmatuese, nuk arrijnë të bëjnë gjë tjetër veçse ta qesin përjashta me arrogancë. Arroganca përballë mrekullisë së ndodhur, shpreh vendimin për të mos iu hapur së vërtetës. Të gjithë ata që duan t’i mbrojnë idetë e tyre me arrogancë, me tallje, me shpërfillje e me dhunë (qoftë ajo edhe vetëm verbale), janë të ngjashëm me këta farisenj të verbuar në shpirt.

Pasi të shëruarin e qitën përjashta, atëherë Jezusi, edhe Ai i përjashtuari nga të mëdhenjtë e kësaj bote, mori vendimin që t’i dilte atij përpara e t’i thoshte, si për ta verifikuar nëse kishte ndodhur apo jo shërimi i vërtetë i shpirtit të tij: «A beson ti në Birin e njeriut?» «Biri i njeriut» ishte njëri prej titujve që Besëlidhja e Vjetër i jepte Atij të cilin e prisnin si Mesinë e premtuar. E i shëruari e shpalli me shumë bindje fenë e tij tashmë të pjekur «Besoj, o Zot.» dhe ra përmbys para Jezusit. Drita e Jezusit e kishte prekur shpirtin e tij dhe tani ai bie përmbys para Jezusit, si për t’i thënë se është krejtësisht i tiji. Një ecje e mundimshme ajo e tij, që u desh të piqej edhe më fort nga kundërshtimi e arroganca e të mëdhenjve të kësaj bote, por që u bë një ecje e vërtetë feje, një ecje drejt dritës.

I krishteri nuk mund ta shohë ndryshe veten pëveçse në këtë prizëm: një ecje drejt Dritës që është Krishti, me qëllimin që të bëhet një gjë e vetme me Të. Në leximin e dytë, Shën Pali, i thellë si gjithnjë, u thotë të krishterëve të Efesit: «Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë.» Nuk u thotë «ishit në errësirë,… jeni në dritë», por «ishit errësirë,… jeni dritë». E heq atë «në», sepse të pagëzuarit janë bërë një me Krishtin-Dritë. «Deri sa të jem në botë, jam drita e botës.», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm. Kështu, duke u bashkuar me Krishtin, të krishterët bëhen edhe ata vetë dritë e botës dhe i pështjellojnë edhe më shumë të “fortët” e botës. E, gjithë këtë, e bëjnë me të vetmen “armë” të cilën askush nuk mund t’ua marrë: faktin se Krishtin e kanë takuar në jetën e tyre dhe e kanë përjetuar shërimin e syve të shpirtit që Ai u ka sjellë.

Tek «shërimi i syve të shpirtit» janë përqendruar të krishterët. Në fund të fundit, tek shpirti i njeriut janë përqendruar edhe sytë e vetë Hyjit: «Mos shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar! Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.», dëgjuam se Zoti i thoshte Samuelit profet në leximin e parë.

Vjen çasti, pra, kur çdo njeriu i kërkohet të vendosë se me çfarë sysh dëshiron ta shohë vetveten, tjetrin, botën dhe Hyjin. «Erdha në këtë botë të bëj gjyq.», dëgjuam se thoshte Jezusi në Ungjillin e sotëm: kjo sepse, herët a vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, Hyji i del përballë njeriut dhe e “detyron” atë të vendosë që të mbajë qëndrim.

Dom Dritan Ndoci

18 mars 2023, 09:21