Fjala e Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve ‘A’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Krezhmëve ‘A’
Fjala se Zotit e Dielës së Tretë të kohës së Kreshmëve, viti ‘A’, posaçërisht pjesa e Ungjillit nga Gjoni, përmes episodit të dialogut ndërmjet Jezusit e Samaritanes, nënvizon simbolin e ujit dhe na fton të reflektojmë për vlerën e Kreshmëve në rrugëtimin tonë shpirtëror drejt Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.
Fjala e Zotit na kujton se Zoti është shumë më i madh se paragjykimet tona njerëzore dhe se të gjithë jemi në kërkim të ujit të gjallë të Mëshirës së Zotit, prandaj na fton të shikojmë brenda nesh, në shpirt, sipas shembullit që na vjen nga takimi i Jezusit me gruan samaritanase te pusi ujit, e cila e shuan etjen e Jezusit.
Gjest, që i kapërcen pengesat e armiqësisë e dialog, që i thyen skemat e paragjykimeve ndaj grave! Kështu, me pak fjalë, mund të përmblidhet takimi i Jezusit Zot me gruan samaritane tek pusi në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, siç na tregon Ungjilli i Gjonit, i cili vë theksin mbi fjalët e Jezusit drejtuar samaritanes “më jep të pi”.
Kërkesa e thjeshtë e Jezusit, është edhe nisja e dialogut të çiltër, përmes të cilit Ai, me delikatesë të madhe, hyn në botën shpirtërore të një njeriu (gruaje), të cilit, sipas skemave shoqërore, nuk duhej as t’ia hidhte sytë. Aq më pak, t’i fliste. Po Jezusi e shikon, e edhe i flet! Nuk ka frikë. Kur shikon një njeri, shkon përpara, sepse di të dojë. I do të gjithë. Nuk heq dorë kurrë nga takimi me njeriun, për shkak të paragjykimeve.
Jezusi e vë Samaritanen para një situate, pa e gjykuar, por duke e bërë ta ndjejë veten të përfillur, të pranuar, e duke ngjallur kështu, në shpirtin e saj, dëshirën për ta kapërcyer rutinën e përditshme. Kjo e Jezusit nuk ishte thjesht etje për ujë, por për takim me një shpirt të etur. Jezusi kishte nevojë ta takonte Samaritanen, për t’i hyrë në zemër: i kërkoi një pikë ujë, për të vënë në dukje etjen e shpirtit të saj.
Gruaja preket thellë nga ky takim, i bën Jezusit ato pyetje, që i kemi të gjithë në shpirt, por që shpesh nuk duam t’i përfillim. Edhe ne kemi shumë pyetje për të bërë, por nuk kemi guxim t’ia drejtojmë Jezusit! Krezhmët janë kohë e përshtatshme për të shikuar brenda nesh, për të hyrë në shpirtin tonë, për të shquar nevojat tona të vërteta shpirtërore e për t’i lypur ndihmë Zotit, në lutje.
E dhe sot, ne duhet ta ndjekim shembullin e Samaritanes e të lypim ujin, që shuan etjen në amshim. Ungjilli rrëfen se dishepujt e Jezusit u mrekulluan, kur e panë Mësuesin e tyre duke folur me atë soj gruaje.Po Krishti Zot është më i madh se paragjykimet tona njerëzore, prandaj nuk pati frikë të ndalet me Samaritanen, mëshira është më e madhe se paragjykimi. Këtë duhet ta nxëmë mirë! Mëshira e Dashuria e Zotit është më e madhe se paragjykimi ynë.
Ja, pra, pse Samaritania ngarendi në qytet, për t’ua treguar të gjithëve ngjarjen e jashtëzakonshme që përjetoi gjatë takimit me Jezusin. Kishte shkuar të mbushte ujë në pus, e aty kishte gjetur një ujë tjetër, ujin e gjallë të mëshirës së Zotit, që gurron për jetën e pasosur. Gjeti ujin, të cilin e pati kërkuar etshëm gjithë jetën, e i kumtoi atij fshati, që e dënonte, që nuk donte ta pranonte fare, se kishte takuar Mesinë.Një, që ia ndryshoi jetën. Sepse çdo takim me Jezusin na e ndryshon jetën. Gjithnjë. Është hap para, një hap më pranë Zotit. Çdo takim me Jezusin na e shndërron jetën. Gjithnjë! Kështu është gjithnjë!.
Kjo faqe ungjillore na nxit edhe ne ta lëmë shtambën, në dukje, simbol i gjërave më të rëndësishme, por që e humbet gjithë vlerën, përballë dashurisë së Hyjit. Të gjithë e kemi një shtambë të tillë, a ndoshta edhe më shumë! Po ju pyes ju, e edhe veten: ‘Cila është shtamba shpirtërore, ajo që të rëndon, që të largon nga Zoti?’. Ta lëmë pakëz mënjanë e të dëgjojmë me zemër zërin e Jezusit. Ai na jep një ujë tjetër, ujë, që na afron me Zotin. Edhe ne jemi të thirrur ta rizbulojmë sa rëndësi ka kuptimi i jetës sonë të krishterë, nisur në Pagëzim e, si Samaritania, ta dëshmojmë gëzimin e takimit me Zotin. Ta dëshmojmë gëzimin e takimit me Jezusin, sepse çdo takim me Jezusin na e ndryshon jetën, na mbush me gëzim, me atë gëzim shpirtëror, që vjen prej Tij.
Liturgjia e Fjalës
Lexim prej Librit të Daljes 17, 3-7
Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.” Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin, dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.” Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Mas a dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?” Fjala e Zotit.
Psalmi 95
Ref: Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot.
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve 5, 1-2. 5-8
Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Fjala e Zotit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës:
na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Gjn
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 4, 5-42
Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!” Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?” Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.” Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA III E KREZHMËVE: GRUAJA E LA ENËN DHE SHKOI NË QYTET.
(Dal 17, 3-7; Ps 95 (94); Rom 5, 1-2.5-8; Gjn 4, 5-42)
Në Shkrimin Shenjt të kësaj të diel, tema e ujit dhe ajo e mëshirës së Hyjit përmenden shpesh. Në leximin e parë, uji shpërthen mrekullueshëm nga një shkëmb e, nga ai ujë, pati mundësi ta shuante etjen e vet mbarë bashkësia e Izraelit, e munduar nga etja dhe nga dyshimi mbi dashurinë e Hyjit. Në Ungjill termi “ujë” merr një domethënie më të gjerë, por do ta shohim më vonë. Megjithatë, po e themi qysh tani se, uji që përshkruhet në leximin e parë, paska qenë thjesht shëmbëllesë e «ujit të gjallë» që do të sillte Jezusi. Tema e mëshirës së Zotit përmendet në leximin e dytë, në të cilin Shën Pali pohon se sa fort Hyji na ka dashur: «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishtit vdiq për ne.»
E kjo e vërtetë, pra, dashuria e Hyjit për mëkatarët, në Ungjillin e sotëm shpërthen me një bukuri të rrallë. Shën Gjoni mund të quhet pa dyshim mjeshtri i përshkrimit e kjo sidomos ngaqë ai është shumë i aftë të vërë në pah detajet e disa ngjarjeve. Edhe më fort është mjeshtri i krijimit të kontrasteve, i vënies në dukje të ndryshimit të madh në mes të mënyrës se si arsyeton Jezusi dhe mënyrës se si arsyetojnë bashkëfolësit e Tij.
Le të fillojmë, pra, pikërisht me detajet. I pari prej tyre na tregohet në rreshtin që thotë: «Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë.» Hyji që lodhet… Po, edhe Hyji lodhet. E lodh shumë kjo rendje e Tij në kërkimin e mëkatarit, të cilin, gjithësesi, nuk heq dorë ta kërkojë.
Detaji tjetër janë rreshtat që thonë: «Ishte kund rreth orës gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë.» Ora e gjashtë, përkon me mesditën. E nuk ishte zakon të shkohej te burimi në mesditë, por në mëngjes. Pjesa ungjillore tregon se kjo grua kishte një histori personale lehtësisht të dënueshme nga turmat e prandaj nuk kishte dëshirë të shkonte te burimi në orarin kur e dinte se atje do të gjente njerëz të tjerë, me shikimet gjykues të të cilëve i duhej të përballej. Prandaj shkoi në mesditë, atëherë kur e dinte se aty nuk do të gjente njeri.
Edhe pse ka plot të tjerë, detaji i fundit që patjetër duhet përmendur, është rreshti që thotë: «Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet». Është detaji që mua personalisht më prek më shumë se të tjerët, sepse kjo grua kishte ardhur tek ai pus pikërisht për të mbushur ujë, por tani po kthehet në qytet pa të. E çuditshme, apo jo?! E ku shkoi? «Shkoi në qytet.», pikërisht tek ata njerëz të cilëve, me shumë ngulm, dëshironte t’u shmangej. Për më tepër shkon e u thotë «Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?» Edhe sikur në qytet të mund të gjendej ndokush që nuk e dinte ende historinë e saj moralisht të dënueshme, tani po e mësonte nga vetë goja e saj.
E thamë se të shumtë janë edhe detajet e tjera në këtë pjesë të gjatë ungjillore, por le t’i kthehemi mjeshtrisë së dytë të Shën Gjonit, asaj të vënies në pah të ndryshimit të madh në mes të mënyrës se si arsyeton Jezusi dhe mënyrës se si arsyetojnë bashkëbiseduesit e Tij.
Kur Jezusi fliste për ujin, nënkuptonte hapjen ndaj Shpirtit Shenjt, por samaritania mendonte për tjetër gjë. Po ashtu, edhe kur nxënësit e lusnin Jezusin që të hante diçka e Ai u përgjigjet se kishte një ushqim tjetër, nxënësit filluan të pyesnin veten nëse ndokush tjetër i kishte sjellë Atij ushqim. Prandaj Jezusit iu desh t’ua thoshte haptas: «Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që me dërgoi, ta kryej veprën e tij.»
E nuk mbaron me kaq kjo mjeshtri e Shën Gjonit. Megjithatë, për ta parë më mirë atë, na duhet t’i marrim me radhë rreshtat e Ungjillit të sotëm.
A e dini se për çfarë tjetër “përdorej” mbushja e ujit tek pusi? Duke qenë se ajo ishte një punë që tradicionalisht u takonte grave e sidomos vajzave, burimi apo pusi ishte edhe vendi më i përshtatshëm për ata që ne i quajmë sot “takime”. Sot ka metoda e mundësi të tjera, por atëherë ishte kryesisht kjo mundësia më e favorshme për t’u parë e për t’u takuar djemtë me vajzat. Mund të themi me pak humor se aty ishte vendi i “fejesave”. Në Besëlidhjen e Vjetër gjejmë kësi shembujsh që e konfirmojnë atë që po themi. Përse tjetër “murmuruan” nxënësit kur u kthyen dhe e panë Jezusin duke folur me një grua? Është e vërtetë se habia e tyre qëndronte edhe në faktin se nuk ishte e zakonshme që një Rabi të bisedonte me një grua, por, patjetër, mendja duhet t’u ketë shkuar edhe tek ai dyshimi tjetër zhbirues. Tani e kuptojmë edhe arsyen pse, kur Jezusi i thotë samaritanes: «Më jep të pi!», ajo reagoi me aq habi: «Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritanase?» Si t’i thoshte: “Si? Ti je judeas, po i propozon një samaritaneje?» Nëse një djalë i kërkonte ujë një vajze, ishte njësoj sikur, sot, t’i kërkonte asaj numrin e celularit, nëse kështu mund të thuhet. Na bëjnë të vëmë buzën në gaz këto detaje, patjetër, por kështu e kuptojmë më mirë frymën e bisedës. Kështu e kuptojmë edhe atë shpjegimin, që përndryshe duket i tepërt, që Shën Gjoni ndihet i detyruar ta bëjë: «Sepse judenjt nuk marrin e japin me samaritanë.» E ka fjalën për martesat që në mes të këtyre dy popujve nuk bëheshin, për shkak të shumë ndryshimeve fetare e historike që kishin me njëri-tjetrin.
Por, kultura në të cilën ishte e zhytur samaritania e shkretë, nuk ia mundësonte të mendonte se, kërkesa që po i bëhej nga Jezusi, ishte e një natyre krejt tjetër. Kështu e shohim se sa shumë mund të jenë pengesë disa kultura e zakone për kuptimin e duhur të fjalëve të Jezusit! Duke i thënë: «Më jep të pi!», Jezusi po kërkonte fenë e saj. Jezusi ka etje për fenë tonë, aq sa edhe në kryq tha: «Kam etje!» Etja e Jezusit është dëshira e Tij e madhe që ne njerëzit t’i hapemi veprimit të Shpirtit Shenjt.
Jezusi pastaj i thotë se mund t’i jepte asaj një ujë të cilin, kush do ta pinte, nuk do të kishte më kurrë etje, por gruaja prapëseprapë nuk merrte vesh. E shumta që arriti të kuptonte qe se, ky bashkëfolës i saj i çuditshëm, nuk e paska fjalën për fejesa e martesa, por për ndonjë ujë të magjishëm. Prandaj i thotë: «Zotëri, më jep asi uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr.» Sa i vështirë është njeriu! «Nëse mësimi (Hyjnor) nuk është i mbështetur nga Hiri, thotë Shën Izidori, edhe nëse hyn në veshë, prapëseprapë nuk arrin deri në zemër. (...) Fjala e Zotit zbret nga veshët në fund të zemrës vetëm atëherë kur ndërhyn Hiri, vepron në thellësi dhe çon në kuptim.»
Prandaj, Hirit Hyjnor iu desh të ndërhynte më fuqishëm. Jezusi ia bëri të kuptonte kësaj gruaje se e njihte shumë mirë historinë e saj personale dhe filloi ta ndihmonte që të ballafaqohej me të. Duke i përmendur burrat e shumtë që kishte pasur në jetë, Jezusi nuk kishte ndër mend ta fyente. Ne mbase mund të mendojmë se, duke e fyer dikë, do të arrijmë kthimin e tij në fe, por duhet të kemi shumë kujdes, sepse, zakonisht, ndodh që, në vend të kthimit, të provokojmë indinjatë e largim edhe më të madh nga feja. Ndodh aq rrallë që ndokush të ndryshojë jetë pas ndonjë fyerje e poshtërimi, saqë është shumë më mirë që të mos rrezikojmë fare. Në rastin e kësaj gruaje, Jezusi, me pushtetin e Hirit të vet, dëshironte ta thyente shurdhësinë e shpirtit të saj. Prandaj na duhet të lutemi për mëkatarët, sepse vetëm Hiri Hyjnor mund t’i kthejë ata me të vërtetë. Kishte të drejtë Shën Augustini i Iponës kur thoshte me shumë mençuri: «Nëse, kur je duke i folur dikuj për Hyjin, e vëren se ai nuk po të dëgjon, atëherë foli Hyjit për të.» Duhet të lutemi, sepse kthimi është vepër e Hirit.
E më në fund, kur Jezusi e vuri në praninë e Hyjit, samaritania kuptoi: kuptoi se kishte përpara jo një njeri dosido, por dikë që mund t’i dhuronte familjaritet me botën Hyjnore. Prandaj biseda që vazhdon më pas në mes saj dhe Jezusit, është shumë ndryshe. Ndërkohë që, në fillim të bashkëbisedimit, dukej sikur Jezusi po fliste nga lart e kjo po fliste nga thellësia e një bote mëkatare, tani fryma e bisedës ka ndryshuar: gruaja ka hyrë në sintoni me Jezusin, bashkëfolësin e saj të vështirë. Për këtë arsye ajo tani filloi t’i “shpaloste” ato pak dijeni që kishte rreth Shkrimit Shenjt dhe traditës hebraike. Edhe ajo, si çdo hebre tjetër, po priste ardhjen e Mesisë. Nuk kemi kohë këtu të hyjmë në thellësinë e përgjigjeve të Jezusit, por po mjaftohemi të themi vetëm se, pas çdo fjale të gruas, pason një përgjigje ndriçuese e Tij. E kësaj, mëkatares që më në fund hyri në sintoni me Të, Jezusi do t’i zbulojë vetveten në një mënyrë të cilën rrallë herë e hasim në Ungjill, aq sa t’i thotë: «Unë jam (Mesia), unë që po flas me ty!»
Samaritania arriti atje ku duhej: u zbraz mbi të dashuria Hyjnore. Ajo iu hap dhuratës së Shpirti Shenjt, të cilën Jezusi po mundohej aq fort t’ia bënte. U vërtetua ajo që thotë Shën Pali në leximin e dytë: «Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.» Tani asaj i është shuar etja: kishte ardhur aty për ujin e rëndomtë, por mori një ujë tjetër. «E la ënen» dhe iku, sepse nuk kishte më nevojë për atë ujë: tani kishte në vetvete një “ujë” tjetër, Shpirtin Shenjt, i cili na nxit ta shpallim Krishtin. Kjo grua e kuptoi se audhuruesit e vërtetë janë ata që «e adhurojnë Atin në Shpirt e në të Vërtetë», pra, duke iu hapur veprimit të Shpirtit Shenjt dhe fjalës së Jezusit, i cili është e Vërteta. Këtë ajo shkon t’ua shpallë, pa frikë paragjykimesh, pikërisht atyre njerëz nga të cilët më parë shmangej, sepse tani e gjeti forcën që ta kapërcejë vetveten e të shpallë Atë që ia ndryshoi jetën.
Lodhja e Jezusit, që u përmend në fillim të Ungjillit, nuk shkoi kot, por e dha frytin e saj. Prandaj Jezusi u thotë apostujve, ndërkohë që samaritanët e tjerë, të lajmëruar nga gruaja, tashmë ishin rrugës për tek Jezusi: «Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! (...) Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë. Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.» Sa herë që Kishës i shtohen bij e bija të tjerë, ata janë fryti i mundimit të Dikujt tjetër, i Jezusit, i cili dha jetën e vet për ta. Kisha thjesht korr e pranon frytet e pjekura, tashmë të gatshme. Është me shumë rëndësi kjo fjalë e Krishtit, sepse Ai këtu e përkufizon veprën e Tij si mbjellje, kurse veprën e apostujve si korrje. Sa bukur na mëson Biri i Hyjit se, kthimi në fe, është vepër e Tij, ndërsa dëshminë, shpalljen dhe mbarështimin e sakramenteve që i kërkohen Kishës, Ai i quan korrje, veprim i cili ka për qëllim të ruajë e të mbrojë nga dëmtimi veprën e Krishtit në botë.
Le t’i hapemi edhe ne, pra, mënyrës së të arsyetuarit të Jezusit. Le t’i hapemi edhe ne Shpirtit Shenjt, të cilin Ai dëshiron me gjithë shpirt të na e dhurojë. Atëherë, së bashku me samaritanët e tjerë, edhe ne do të themi për Jezusin: «...Vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës».
dom Dritan Ndoci