Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti shqetësohet për ne

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet besimtarëve në meshën e kremtuar në përfundim të Vitit meshtarak, më 11 qershor 2010 dhe mban një homeli në Palermo të Italisë, më 3 tetor të po atij viti

R.SH. – Vatikan

 Zoti kujdeset personalisht për mua, për ne, për njerëzimin, u thotë besimtarëve Papa Benedikti XVI, në përfundim të Vitit meshtarak. Nuk na lë vetëm, të humbur në univers e në një shoqëri, ku jemi gjithnjë e më të çorientuar. Ai kujdeset për ne. Nuk është një Zot i largët, për të cilin jeta jonë vlen tepër pak.

Është gjë e bukur e ngushëlluese kur e di se kemi dikë, që na do fort e kujdeset për ne. Por është edhe më vendimtare kur e dimë se ekziston një Zot, i cili na njeh, na do dhe shqetësohet për ne. “Unë i njoh delet e mia e delet më njohin” (Gjn 10,14), thotë Kisha, duke pasur parasysh Ungjillin e Fjalën e Zotit. Hyji na njeh, shqetësohet për ne. Ky mendim duhet të na gëzojë vërtet shumë. Ta lejojmë të na depërtojë thellësisht në shpirt.

Ne vetë jemi shërbëtorë të Zotit; jemi në borxh para Tij, sepse Atij i detyrohemi për gjithçka, pasi gjithçka është dhuratë e Tij. Të pranojmë e të bëjmë vullnetin e tij: ky është qëndrimi, që duhet të mbajmë përditë, në çdo çast të jetës. Para Hyjit nuk duhet të paraqitemi kurrë si ata, që mendojnë se kanë bërë ndonjë shërbim të madh, prandaj, meritojnë ndonjë shpërblim. Ky është iluzon, që mund ta kenë të gjithë, edhe njerëzit, të cilët punojnë shumë në shërbim të Zotit, në Kishë.

Përkundrazi, duhet të jemi të vetëdijshëm se, në të vërtetë, nuk bëjmë kurrë aq sa duhet për Hyjin. Duhet të themi ashtu siç na mëson Jezu Krishti: “Jemi shërbëtorë të padobishëm: Bëmë ç’duhej bërë” (Lk 17,10). Ky është qëndrimi i përvuajtur, i cili na tregon se ku e kemi vendin dhe i jep mundësinë Zotit të jetë shumë bujar me ne. Vërtet, në një pjesë tjetër ungjillore, Ai na premton se do të vishet, do të na ulë në tryezë e do të kalojë për të na shërbyer (shih Lk 12,37). Të dashur miq, pohonte në Palermo Papa Benedikti XVI, nëse do të bëjmë çdo ditë vullnetin e Zotit, me përvuajtëri, pa pretenduar asgjë prej Tij, vetë Jezu Krishti do të na shërbejë, do të na ndihmojë, do të na inkurajojë, do të na dhurojë forcë e qetësi.

02 mars 2023, 06:41