Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti ka fantazi pa fund

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet besimtarëve në meshën e kremtuar në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2011 dhe në audiencën e përgjithshme të 13 prillit të po atij viti

R.SH. – Vatikan

Mbretërit Dijetarë kërkonin gjurmët e Zotit; përpiqeshin të lexonin “firmën” e Tij në gjithësinë e krijuar; e dinin se “qiejt tregojnë për lavdinë e Hyjit” (Ps 19,2); ishin të sigurt, pra, që Zoti mund të shihej në Krijimin e tij – kështu pati thënë Papa Benedikti XVI në ditën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2011. - Ama, si dijetarë që ishin, e dinin edhe se jo me ndonjë teleskop të çfarëdoshëm, por me sytë depërtues të arsyes në kërkim të kuptimit të fundëm të realitetit dhe me dëshirën për Zotin, frymëzuar nga feja, do të bëhej e mundur ta takonin, madje, vetë Zoti do t’u afrohej njerëzve. Universi – nguli këmbë para 12 vitesh Joseph Ratzingher – nuk është rezultat i rastit, siç duan të na e mbushin mendjen disa. Kur e kundrojmë, ftohemi të lexojmë në të diçka vërtet të thellë: urtinë e Krijuesit, fantazinë e Zotit, që s’mbaron kurrë, dashurinë e Tij pa fund për ne. Nuk duhet të lejojmë që të na e kufizojnë mendjen teoritë, të cilat arrijnë gjithnjë deri në një farë pike e që – nëse i shohim mirë – nuk janë aspak në konkurrencë me fenë, por nuk arrijnë ta shpjegojnë kuptimin e fundëm të realitetit.

Në bukurinë e botës, në misterin e saj, në madhështinë e në racionalitetin e saj nuk mund të mos shohim arsyen e amshuar e nuk mund të mos e lemë veten në dorë të saj deri sa të në çojë tek Hyji i vetëm, Krijuesi i qiellit e i tokës. Nëse do ta kemi këtë këndvështrim, do ta shohim se Ai që krijoi botën e Ai, që lindi në një shpellë në Betlehem e vazhdon të banojë ndërmjet nesh në Eukaristi, është i njëjti Zot i gjallë, që na afrohet, na do e dëshiron të na udhëheqë drejt jetës së pasosur.

Krishti, ligji i vetëm, më i epërmi

Në qendër të panit hyjnor është Krishti, në të cilin Hyji na tregon Fytyrën e vet: Misteri i fshehur në shekuj u zbulua plotësisht në Fjalën e bërë Njeri. Në Krishtin, Hyji i gjallë u bë i afërt, i dukshëm, mund ta dëgjojmë, ta prekim e secili prej nesh mund të marrë nga begatia e hirit dhe e së vërtetës së Tij (shih Gjn 1,14-16). Prandaj, e gjithë ekzistenca e krishterë njeh vetëm një ligj të vetëm e suprem, atë që Shën Pali apostull e shpreh me një formulim, i cili përsëritet në të gjitha shkrimet e tij: në Krishtin Jezus. Shenjtëria, – shpjegonte Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 13 prillit 2011 – plotësia e jetës së krishterë nuk ka të bëjë me realizimin e gjërave të jashtëzakonshme, por me bashkimin në Krishtin, duke i jetuar misteret e Tij, duke i bërë tonat qëndrimet e Tij, mendimet e sjelljet e Tij.

Masa e shenjtërisë jepet nga sa vend zë Krishti brenda nesh, nga sa e modelojmë jetën tonë sipas të tijës, me forcën e Shpirtit Shenjt. Do të thotë të jemi sipas Jezusit, ashtu siç shkruan Shën Pali: “Ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet” (Rm 8,29). Ndërsa Shën Augustini brohoriste: “E gjallë do të jetë jeta ime, e gjitha plot me Ty” (Rrëfimet 10,28). Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën për Kishën – kujtonte Papa Ratzingher – flet qartë për thirrjen universale të shenjtërisë, duke pohuar se askush nuk përjashtohet prej saj: “Në llojet e ndryshme të jetës e në profesionet e ndryshme, një shenjtëri e vetme dëshmohet nga të gjithë ata, që frymëzohen nga Shpirti Shenjt dhe… ndjekin Krishtin e varfër, të përvuajtur, plot me kryqe mbi supe, në mënyrë që ta meritojnë pjesëmarrjen në lavdinë e Tij” (n.41).

09 mars 2023, 08:37