Kërko

Feja është personale por edhe komunitare Feja është personale por edhe komunitare

Çelësi i fjalëve të Kishës: feja mund të rilindë nga plagët e historisë

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet pjesëmarrësve në Kuvendin kishtar të dioqezës së Romës, më 5 qershor 2006 dhe gjithë besimtarëve të botës në Mesazhin “Urbi et Orbi” të Pashkëve të 8 prillit 2007

R.SH. – Vatikan

         Zbulimi i bukurisë dhe i gëzimit të fesë është udhë, që çdo brez duhet ta përshkojë personalisht, sepse feja vë në lojë gjithçka kemi më personale e më intime, si zemrën, inteligjencën, lirinë, në marrëdhënie thellësisht të veçanta me Zotin, që vepron në shpirtin tonë. Kështu u thoshte Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve në Kuvendin kishtar të dioqezës së Romës. Por njëkohësisht e po aq në mënyrë radikale, feja është vepër dhe qëndrim komunitar, është “ne besojmë” e Kishës. Gëzimi i fesë pra, është gëzim, që duhet ndarë me të tjerët. Prandaj, edukimi i brezave të rinj me fe është një detyrë e madhe dhe themelore, që përfshin gjithë bashkësinë e krishterë.

         Secili prej nesh mund të tundohet nga mosbesimi i shën Tomës, që nuk i besoi Krishtit deri sa i vuri gishtin mbi plagë. Dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, sidomos kur godasin të pafajshmit – për shembull, fëmijët viktima të luftës e të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë – a nuk e vënë në provë të vështirë fenë e secilit? Kjo ishte pyetja, që bënte Papa Ratzinger në Mesazhin “Urbi et Orbi” të Pashkëve 2007. E megjithatë, paradoksalisht – përgjigjej ai – pikërisht në këto raste, mosbesimi i shën Tomës është i dobishëm e i çmuar, sepse na ndihmon ta qartësojmë çdo konceptim të rremë për Hyjin e na bën të zbulojmë fytyrën e Tij të vërtetë: fytyrën e një Zoti që, në Krishtin, mori përsipër të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Shën Toma mori prej Hyjit dhe ia transmetoi Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit, por edhe të përforcuar nga takimi me Krishtin e Ringjallur. Fe, gati e vdekur, që u rilind falë kontaktit me plagët e Krishtit, me ato plagë që i Ringjalluri nuk i fshehu, por i tregoi haptazi dhe vazhdon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.

         Sa plagë, sa dhimbje në botë! Nuk mungojnë fatkeqësi natyrore e tragjedi njerëzore, që shkaktojnë viktima pa fund e dëme të jashtëzakonshme materiale. Përmes plagëve të Krishtit të ringjallur mund t’i shohim me sytë e shpresës këto të këqija, që e sprovojnë njerëzimin. Vërtet, duke u ringjallur, Zoti nuk e zhduku vuajtjen dhe të keqen nga bota, por fitoi që në rrënjë mbi to me begatinë e Hirit të tij. Arrogancës së të Keqes iu kundërvu me gjithëpushtetin e Dashurisë së Tij. Si rrugë për paqen e gëzimin na la Dashurinë, që nuk ka frikë nga vdekja. “Sikurse unë ju desha ju, - u tha apostujve para se të vdiste - duajeni edhe ju njëri-tjetrin” (Gjn 13,34).

30 mars 2023, 11:44