Çelësi i fjalëve të Kishës: fe do të thotë të prekësh dorën e Zotit në terrin e botës
R.SH. – Vatikan
“Logos”, pra Fjala e Zotit, nuk është vetëm arsye matematike: “Logos”-i ka një zemër, “Logos”-i është edhe dashuri – u thoshte Benedikti XVI kardinajve të Kuries. – E vërteta është e bukur, e vërteta e bukuria ecin së bashku: bukuria është vula e së vërtetës. Duke u nisur nga Psalmet e nga përvoja e përditshme, shohim gjithsesi, se “bukuria e madhe” e ditës së gjashtë - në të cilën Hyji krijoi njeriun, në fund të gjashtëditëshes së krijimit të botës - cënohet vazhdimisht nga e keqja, nga vuajtja, nga korrupsioni. E duket sikur i Keqi dëshiron përherë ta ndyejë krijimin, për t’i rënë ndesh Zotit e për ta bërë të panjohshme të vërtetën dhe bukurinë e Tij.
Në një botë, që karakterizohet kaq shumë nga e keqja, “Logos”-i, Bukuria e amshuar dhe Ars (arti) i pafund, duhet të duket si kokë e përgjakur, e plagosur. Biri i mishëruar, “Logos”-i i bërë njeri, mban në krye një kurorë me gjemba e, megjithatë, pikërisht këtu, në këtë figurë të vuajtur të Birit të Zotit, fillojmë të shohim bukurinë më të thellë të Krijuesit e të Shëlbuesit tonë. Kështu, në heshtjen e “natës së errët”, mund të dëgjojmë Fjalën e tij. E të kuptojmë se të besosh në Zotin nuk është tjetër, veçse të prekësh dorën e Hyjit në terrin e kësaj bote e, në heshtje, të dëgjosh Fjalën e tij, të shohësh vetë Dashurinë.
Për këtë arsye - vërente Papa në Engjëllin e Tënzot të 28 gushtit 2005 - aty ku Hyji nuk zë vendin e parë në jetën e njerëzve, aty ku nuk njihet e adhurohet si E mira e epërme, dinjiteti i njeriut vihet në rrezik. Prandaj, është urgjente që njeriu i sotëm ta “zbulojë” fytyrën e vërtetë të Zotit, e cila vjen tek ne në fytyrën e Jezu Krishtit. Kështu, edhe njerëzimi i kohës sonë, ashtu si Mbretërit Dijetarë, mund të gjunjëzohet para Tij e ta adhurojë.
Besimtarët, të rinj e të rritur, njerëzit e Kishës dhe barinjtë e saj – thoshte Joseph Ratzinger – duhet të kenë pa pushim etje për Krishtin e ta kërkojnë atë. Ky kërkim duhet inkurajuar, duhet mbështetur e duhet udhëhequr. Feja nuk është thjesht pranimi i një tërësie dogmash të ndërlikuara, që do ta shuante etjen për Zotin në shpirtin njerëzor. Përkundrazi, ajo e projekton njeriun, gjatë udhës së tij në kohë, drejt një Zoti gjithnjë të ri në pafundësinë e Tij. Prandaj, të krishterët janë njëkohësisht njerëz, që kërkojnë dhe njerëz, që gjejnë. Pikërisht kjo e mban Kishën të re, të hapur për të ardhmen, të pasur me shpresë për mbarë njerëzimin.