Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’është kthimi në udhën e Zotit?

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet besimtarëve në audiencën e përgjithshme të 13 shkurtit 2013

R.SH. – Vatikan

Secili prej nesh – u thoshte besimtarëve Benedikti XVI – duhet ta pyesë veten: ç’vend zë Zoti në jetën time? Ai është Zot a jam unë? Kapërcimi i tundimit për t’ia nënshtruar Zotin vetvetes dhe interesave personale, ose për ta vënë atë në një qoshe e, kthimi në rendin e drejtë të përparësive, duke i dhënë Zotit vendin e parë, është një rrugë që çdo i krishterë duhet ta përshkojë sërish e gjithnjë. “Kthim” do të thotë të ndjekim Jezu Krishtin, në mënyrë që Ungjilli i Tij të jetë udhëheqje konkrete në jetë; do të thotë ta lejojmë Zotin të na shndërrojë, duke mos menduar se jemi ne të vetmit ndërtues të ekzistencës sonë; do të thotë të pranojmë se jemi krijesa, që varemi nga Hyji, nga dashuria e Tij e se vetëm duke e “humbur” jetën në Të, mund ta fitojmë. Kjo kërkon që vendimet tona t’i shohim në dritën e Fjalës së Zotit. Sot - vijon më tej Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 13 shkurtit 2013 - nuk mund të jemi të krishterë, thjesht, si pasojë e faktit se jetojmë në një shoqëri me rrënjë të krishtera: edhe ata, që lindin në një familje të krishterë dhe edukohen me fe, çdo ditë, duhet të vendosin sërish se janë të krishterë, pra, t’i japin Zotit vendin e parë, para tundimeve që propozon vazhdimisht kultura e shekullarizuar, para gjykimit kritik të shumë bashkëkohësve.

Sprovat, që vë para të krishterëve shoqëria bashkëkohore, janë të shumta dhe prekin si jetën personale, ashtu edhe atë shoqërore. Nuk është e lehtë t’i qëndrojmë besnikë martesës së krishterë, të sillemi me mëshirë në jetën e përditshme, t’i lëmë hapësirë lutjes dhe heshtjes shpirtërore; nuk është e lehtë t’i kundërvihemi publikisht gjërave, që konsiderohen normale nga shumë vetë, si: aborti në rastin e shtatzanisë së padëshiruar, eutanazia në rastin e sëmundjeve të rënda, ose përzgjedhja e embrioneve për të parandaluar sëmundje të trashëguara. Tundimi për ta vënë mënjanë fenë është gjithnjë i pranishëm e kthimi bëhet përgjigje për Zotin, e cila duhet konfirmuar shpesh në jetë. Njeriu ynë i brendshëm duhet të përgatitet për vizitën e Hyjit e, pikërisht për këtë, nuk duhet të lejojë të pushtohet nga iluzionet, dukjet, gjërat materiale.

E rinovojmë impenjimin tonë në udhën e kthimit, për të kapërcyer prirjen e mbylljes në vetvete e për t’i bërë hapësirë Zotit, duke e parë me sytë e Tij realitetin e përditshëm. Alternativa ndërmjet mbylljes në egoizmin tonë dhe hapjes ndaj dashurisë së Zotit e të të tjerëve, mund të themi se përkon me alternativën e tundimeve të Jezu Krishtit: pra, një alternativë ndërmjet pushtetit njerëzor dhe dashurisë së Kryqit, ndërmjet shëlbimit parë vetëm në mirëqënien materiale dhe shëlbimit që është vepër e Hyjit, të cilit i japim përparësi absolute në jetën tonë. Kthim do të thotë të mos mbyllemi në kërkimin e suksesit personal, të prestigjit e të pozitës, por të bëjmë ç’është e mundur që çdo ditë, në gjërat e vogla, e vërteta, besimi në Zotin dhe dashuria të jenë më të rëndësishmet.

16 mars 2023, 11:39