24 orë për Zotin, në Shën Marinë e Hireve, në zemër të Romës
R. SH. - Vatikan
Në fund të Udhës Candia, në qendër të Romës, në kufirin ndërmjet Pratit dhe Trionfale-s, shihet silueta e një kishe me fasadë të madhe dhe të pastër, në stilin neorinashimental: është famullia Santa Maria delle Grazie al Trionfale. Papa e zgjodhi këtë kishë për të kryesuar sot, 17 mars, kremtimin e dhjetë të "24 orëve për Zotin", nismë kreshmore e lutjes dhe e pajtimit, e dëshiruar nga vetë Françesku, e cila kremtohet në dioqezat anembanë botës, në prag të së dielës IV të Kreshmëve, në përgatitje për Pashkët e Ngjalljes. Kishat janë të hapura gjithë ditën, për t'u krijuar besimtarëve dhe shtegtarëve mundësinë që në çdo kohë të mund të ndalen në adhurim e edhe të mund të rrëfehen. Në Ditën e Pajtimit, dyert e kishave janë të hapura deri në muzg, si simbol i dashurisë së mëshirshme të Zotit, që i pret gjithë bijtë e tij! E zgjedhja e Santa Maria delle Grazie i përshtatet mrekullisht kësaj ngjarjeje: një nga karakteristikat e saj është drita e artë, që rrezaton brenda kishës përmes tri dyerve. Dritë që shihet nga larg dhe bëhet edhe më rrezëlluese në perëndim të diellit.
Ndërtesa e kishtare
Ndërtim modern fetar, i ngritur pranë një këndi periferik në fund të viteve 1930, Kisha, ndërtesë betoni dhe tullash, bie menjëherë në sy. Projekti është i arkitektit Tullio Rossi, shumë aktiv në Romë, veçanërisht për projektimin e ndërtesave kishtare me gjurmë klasike, dhe inxhinierit Franco Formari. Fasada simetrike pa dritëhije, përshkohet nga një mbishkrim i gjatë kushtuar Virgjërës së Hireve në latinisht. Në të dallohet dhe viti i përurimit të ndërtesës, 1941, nën papninë e Piut XII, që kujtohet edhe në stemat dhe në mbishkrimet. Në anët e skajshme ka dy engjëj me krahë hapur. Brendia ka tri navata me kolona mermeri të gjelbër, mbi të cilat janë vendosur harqe të rrumbullakëta. Në hapësirën absidale të mozaikut spikasin figuret e Zojës e të Krishtit. Në anët, engjëjt dhe dy figura të tjera; në të majten e shikuesit, mund të soditet Piu XI, paraardhësi i Piut XII, i cili vdiq në vitin kur u përurua kisha.
Trashëgimtare e një titulli të mëparshëm
Moderniteti i kësaj ndërtese të shenjtë i ka rrënjët në një histori shumë më të lashtë, mbasi e trashëgoi titullin nga kisha Santa Maria delle Grazie, jashtë Portës Angelica, rrënuar në vitin 1930, që ndodhej në një vend relativisht të largët, pranë kolonadës të Bazilikës së Shën Pjetrit, në pikën ku sot vërehet një mozaik me sfond të artë kushtuar Virgjërës dhe të Birit, të dy të kurorëzuar. Rrëzë kamares, një mbishkrim e përmbledh të gjithë historinë: “Përshëndeteni këtë figure të së Lumes Virgjër Mari të Hireve, sjellë në vitin 1587 nga Jeruzalemi në Romë, nga eremiti fra Albenzio De Rossi”. Origjinali, i ekspozuar dikur këtu, në shenjtëroren e rrënuar për arsye të nevojave publike, tani nderohet në kishën e re në Sheshin Francesco Morosini [sot Santa Maria delle Grazie], të cilën devotshmëria bujare e papëve Piu XI dhe Piu XII e rindërtoi dhe e kushtoi A.D. MCMXLI ".
Një eremit kalabrez
I lindur në Cetraro, në provincën e Kozencës, në vitin 1542, frati i nderuar Albenzio de Rossi ishte një figurë jashtëzakonisht emblematike e kohës. Gjallëria e rrëfimit të jetës së tij, në burimet hagjiografike, na rikujton një personalitet plot gjallëri, në përkim të plotë me rrethanat historike në të cilat jetoi: në Romën plot trazira, gjithnjë në valim, gjithnjë më të shkëlqyer në art e bukuri skenike, por po aq edhe të zhytur në varfëri e sëmundje, qytet që i tërhiqte shumë shtegtarët, të cilët shkelnin në këto vise përplot me histori, me shpresën se lutjet e tyre te varret e Apostujve do të dëgjoheshin.
Le të bëjmë mirë, sa jemi në kohë
Albenzio fillimisht udhëtoi për në Tokën Shenjte, ku mori si dhuratë Figuren e Zojës, me të cilën ishte shumë i lidhur. Kjo ikonë u vendos më pas në Romë pas vdekjes së tij, më 19 prill 1606. Ndërsa lundronte drejt Italisë, në kthim nga Palestina, shpëtoi gjallë falë ndërmjetësimit të Virgjërës, e cila, nga figurja shenjte, e mbrojti atë dhe ekuipazhin e anijes gjatë një stuhie të tmerrshme detare. Kur mbërriti në Romë, mbeti thellësisht i çuditur nga të varfërit, që grumbulloheshin nëpër rrugë dhe nga shtegtarët, shpesh të sëmurë dhe të rraskapitur nga lodhja e udhëtimit, ndonjëherë edhe nga pritat e cubave. U ngarkua nga Papa Siksti V, më 3 qershor 1587, me detyrën që të ndërtonte një kishë me emrin “Ngjitja e Zotit në Qiell”, një kuvend për vetmitarët, një spital për të varfërit, një kopsht perimesh dhe një varrezë të vogël. Ishte vend jashtëzakonisht i organizuar, që ofronte strehë, kujdes dhe ushqim falas, siguruar vetëm nga lëmoshët. Motoja e tij të kujton veprimtarinë e ethshme bamirëse për të varfrit dhe të sëmurët: "Të bëjmë mirë, sa jemi në kohë" – lexohet edhe sot e kësaj dite në një mbishkrim, në hyrje të zyrës së famullisë së Hireve, në Trionfale.
Devocion gjithnjë më i flaktë
Kur vdiq, Albenzio i dhuroi kishës së Ngjitjes në Qiell ikonën e çmuar të Virgjërës, e cila ndryshoi emrin e u quajt Zoja e Hireve, duke tërhequr gjithnjë e më shumë besimtarë. Në vitin 1806, kisha u kaloi Etërve të Urdhrit Pendestar e, pas rrënimit të saj, ndërmjet viteve 1936 dhe 1939, figurja e shenjtë, e ruajtur në Vatikan, u kthye më në fund për devocionin popullor në selinë e saj të re, në famullinë e sotme të Shën Marisë së Hireve, ku mbërriti së bashku me orendi të tjera.
Ikona e Virgjërës
Piktura, realizuar mbi një pllakë bakri, 26x23 cm, e stilit bizantin, datohet ndërmjet shekujve XII dhe XIII. Paraqet Virgjërën duke mëkuar Krishtin Fëmijë në krahët e saj; Fëmija mban në dorë një rrotull me vargun e parë të Izaisë, në gjuhën greke: Πνεῦμα Kυρίου ἐπ' ἐμέ, "Shpirti i Zotit është mbi mua" (61,1). Zoja është e mbështjellë me një mantel të kuq të errët, me qëndisje ari dhe një tunikë jeshile, ndërsa Foshnja, me mantel më të ndritshëm. Në të dyja anët e Marisë,janë ende të dukshme shkronjat greke, ndërsa ato që kanë të bëjnë me Jezusin tashmë janë shlyer nga shfrimet e motit.
Tre Kurorëzimet
Në vitin 1636, Konti Alessandro Sforza financoi dy kurora, për Virgjërën dhe Birin, të cilat i vendosi Kapitulli i Vatikanit më 9 qershor 1644, por që u vodhën së bashku me kushtoret e tjera ndërmjet viteve 1798 dhe 1799, gjatë pushtimit francez të Romës. Një kurorëzimi i dytë, shoqëruar me një festë solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, u kremtua nga kardinali Rafael Merry del Val, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, më 22 qershor 1924. Kisha e Hireve, në Trionfale u përtëri në vitet 1980. U restaurua edhe ikona e Virgjërës, e kurorëzuar solemnisht nga Gjon Pali II, gjatë vizitës famulli, më 16 dhjetor 1984.
Një kamare kushtore, gjatë rrugës
Duke kaluar nga rruga Candia, në rrugën Leoni IV, në këndin më të lartë të një ndërtese, mund të shihet një kamare e Virgjërës me të Birin, e frymëzuar nga ikona e mrekullueshme. Një fill ideal, që shënon rrugën e saj dhe lidh selinë origjinale të zhdukur me atë të re, në Piazza Santa Maria delle Grazie.