Zoja përtej murit
R.SH. / Vatikan
Një Zojë e realizuar me teknikën e afreskut, e mbuluar me mister, riduket papritur me gjithë bukurinë, pas shekujsh…. Ndodhi në Parmë, në kriptën e Katedrales ku, përtej një muri të dekoruar në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u gjet një kompozim piktorik pothuajse i plotë, që daton rreth tre shekuj më parë. Në skenë, Virgjëra me Foshnjën, rrethuar nga të paktën gjashtë figura të tjera, që mund të soditen nga dy zgavrrat e inspektimit, gdhendur në tullat e murit të shekullit të 18-të.
Mikrokamera zbret në viset e historisë
Në kërkim të thesarit, një mikro-kamer u ul në zgavrën afërsisht 15 cm të thellë. Falë saj u arrit te Madona, Zoja me qerpikë të ulur, e tek fytyra serioze e Krishtit Fëmijë. Mbi kyçet e dorës, byzylyku me rruazat e kuqe- korali, simbol i mundimeve. Kush e pikturoi vallë? Specialistët kujtojnë piktorët e shekujve të pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, nga Cristoforo Caselli - te babai i Parmigianinos, Filippo Mazzola; nga Alessandro Araldi - te Bertolino de' Grossi … Do të duhet të presim rezultatet e restaurimit, që të mësojmë diçka më shumë për piktorin ende të paemër, për vendin ku pikturoi e, doemos, për Zojën e Bekuar me Krishtin Fëmijë, që na intereson më shumë si për bukurinë e veprës, ashtu edhe për devocionin ndaj Saj në shekuj.
Restaurimi
Gjatë restaurimit, pritet të zbulohen shumë hollësi dhe kuriozitete, që lidhen me historinë e pikturës dhe, në përgjithësi, të Katedrales së Parmës. Silvia Simeti, pronare e di Archè Restauri, duke folur për Vatican News, tregon se është tejet e emocionuar nga surpriza fillestare e privilegji i madh i ndihmës për zbulimin e një pjese të historisë së pikturës në Parmë, në shekullin e pesëmbëdhjetë: "Restauruesi ka funksionin e tij, por ai mbetet në plan të dytë, në fund të fundit sepse detyra jonë është të ruajmë dhe t'u ofrojmë brezave të ardhshëm diçka që na erdhi për mrekulli, një thesar krejt i panjohur deri tani”.
Silvia Simeti tregon: “Gjatë restaurimit, që pritet të përfundojë nga fundi i vitit 2023, kripta do të mbetet e hapur për publikun: prej këndej do të jetë e mundur të ndiqen 'drejtpërdrejt' fazat e ndryshme të ndërhyrjes delikate konservatore, kostoja e së cilës vlerësohet në rreth 33 mijë euro. Hapi i parë do të jetë heqja e festonit të shekullit të tetëmbëdhjetë nga luneta: ajo do të kthehet në një panel vetë-mbështetës dhe do të vendoset në një zonë tjetër të kriptës. Më pas, muri me tulla pas të cilit flinte në shekuj kryevepra e re e një vendi, ku nuk mungojnë kurrë dëshmitë e bukurisë që del nga dora e njeriut!
Zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm, sepse afresku u gjend në një zgavër. Dukej sikur dikush kishte dashur ta ruante këtë afresk, duke e fshehur, që ta ruante për brezat në vijim…
Pakëz histor
Në fund të vitit 2021 u hoq një pllakë e vendosur në qendër të lunetës, në murin që fsheh afreskun. E kjo, me synimin për të hapur dy dritare kontrolli pak më të mëdha e për të kuptuar se çfarë përfaqësonte afresku themelor. Që nga ai çast nisi një proces mjaft i gjatë dhe i ndërlikuar. Superintendenca për Arkeologjinë e Arteve dhe Peizazhit e Parmës dhe Piaçencës ngriti një komitet këshillimor shkencor të përbërë nga kimistë, arkitektë, restaurues, historianë arti, për ta trajtuar këtë lloj ndërhyrjeje të veçantë në mënyrën më të koordinuar dhe më të thelluar.
Ajo çka patë deri tani u bë e mundur edhe falë ndihmës së një mikrokamere. Çfarë keni arritur të kapni?
Nga dy vrimat e inspektimit ne ulëm një mikrokamerë në hapësirën ndërmjet murit të banakut dhe murit të afreskut për të marrë më shumë informacion. Ishte e mundur të shihej froni i Virgjërës, i veshur me një pëlhurë shumë të pasur, me fije ari dhe yje të praruar: një pjesë e madhe e këtij ari tani ka humbur. Në të majtë të Virgjërës është figura e Shën Pjetrit me çelësin në gishtin e vogël dhe figura e një të riu, që ne e identifikuam si Shën Gjoni: një Shën Gjon i ri, me mantelin e kuq të ikonografisë tipike. Në të djathtë të fronit të Virgjërës kemi një skenë shumë të ndryshme: Ana dhe Joakimi në profil, me Marinë e vogël. Është skena e Paraqitjes së Marisë në Tempull. Nuk arrijmë të shohim saktësisht çka paraqitet në pjesën e sipërme djathtas: ndoshta është figura e ndonjë kryeprifti, sepse shohim dy duar të bardha. Njëra mbi kokën e Virgjërës Mari si fëmijë dhe tjetra gati e shpalosur në shenjë mirëseardhjeje. Më shumë nuk mund të kuptohet!
Po Shenjtorët Joakimi dhe Ana?
Nuk e kuptojmë ende se si vijon afresku në pjesën e poshtme, sepse në një çast duket se dekorimi ndalon, ndoshta për vendosjen e një tavoline altari. Përmbledhtas, mund të themi se kemi një ide mjaft të paqartë, ndërsa pranojmë se është një punë shumë e rëndësishme. Pasi të jetë çmontuar muri i banakut, do të bëhet faza e analizës së pigmenteve dhe lidhëseve. Sigurisht që kemi prani të ndryshme prej floriri: yjet që përmenda, filetot në kufijtë e manikineve, por edhe disa shkrime.
A keni gjetur shkrime tashmë të deshifruara?
Deri më sot vetëm një: ai në mëngën e Virgjërës që shihet nga vrima e inspektimit. Duket se shkruhet minus dhe më pas diçka tjetër. Shohim se edhe në kufirin majtas ka një shkrim të tërë, por absolutisht të palexueshëm.
Në ç’ gjendje konservimi është vepra? Cili është statusi i saj?
Në gjendje të mirë. Të paktën me sa shohim tani për tani, nuk vërehen dëmtime të mëdha në ruajtjen e figurave. Por tashmë kemi vënë re se ka shumë gërvishtje, pika ngjyrash, vrima gozhdash.
Padyshim ky është një restaurim që do të ketë shumë të papritura, edhe sepse disa pjesë nuk janë saktësisht të dukshme: disa flasin tashmë për dy autorë të ndryshëm dhe madje për dy faza të njëpasnjëshme të realizmit të afreskut: e para, në shekullin e pesëmbëdhjetë; e dyta, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Çfarë veçantie keni vërejtur në pikturë?
“Vërejmë se skena e Paraqitjes në Tempull është vendosur në atë mënyrë që Anna dhe Joakimi i kthejnë shpinën fronit të Virgjërës. Fytyrat e tyre të kujtojnë të njëjtën paraqitje, gjetur në kapelën Ravacaldi, në Kriptën e Katedrales, ndërtuar pas vitit 1417 dhe para vitit 1427. Thua ai që e pikturoi këtë afresk shikoi Kapelën Ravacaldi? Apo e pikturuan dy duar të ndryshme? Dy autorë të ndryshëm? Të gjitha këto janë pyetje të cilave historianët e artit do t'u përgjigjen vetëm kur të jetë e mundur të shihet e të studiohet gjithçka.