Kardinali Zenari: tragjedia e tërmetit 'provë humanizmi' për të kapërcyer konfliktin sirian
R.SH. - Vatikan
Përgjigja ndaj "tragjedisë" së tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, do të jetë "provë humanizmi" për të gjithë, në mënyrë që më në fund të "heshtin armët" dhe "të marrin fund përçarjet ". Këtë nënvizon nunci apostolik në Damask, kardinali Mario Zenari, i cili nga data 7 deri më 9 shkurt vizitoi Halebin, qyteti i dytë më i rëndësishëm në vend dhe një nga më të prekurit nga tërmeti. I lidhur në telefon me agjencin e lajmeve AsiaNews, kardinali Zenari kujtoi se do të udhëtojë orët e ardhshme për në Latakia, në bregdetin e Mesdheut, një zonë tjetër e plagosur nga tërmeti, njëheresh me provincën veriperëndimore të Idlib, të kontrolluar nga grupet rebele dhe xhihadiste. "Edhe bashkësia ndërkombëtare - nënvizon me forcë - duhet t’i kapërcejë konfliktet ideologjike" e të bashkëpunojë në mënyrë që "sanksionet, veçanërisht për gazin dhe naftën", ende "nën embargo", të lihen mënjanë.
Të shumta, ndarjet e së shkuarës: plagë ende të hapura, duke nisur nga përplasja e ndodhur në dekadën e fundit mes liderëve të Sirisë dhe Turqisë, dy vendeve më të prekura nga tërmeti i 6 shkurtit, që shkaktoi deri tani. mbi 21 mijë të vdekur. Bilanc i përkohshëm, ende në rritje, tashmë më i lartë se vlerësimet e para - katastrofike - të bëra nga ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndërkohë, rrezet e para të optimizmit po shndrisin në një rajon që prej kohe njeh vetëm luftëra dhe ndarje: për të inkurajuar dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave, Shtetet e Bashkuara njoftuan ngrirjen e disa sanksioneve kundër Damaskut. Përtej kufirit, në anën turke, PKK (Partia e Punëtorëve Kurdë), e cila prej vitesh është në luftë të armatosur kundër Ankarasë dhe Presidentit Recep Tayyip Erdogan, shpalli armëpushim të njëanshëm.
"Të dy vendet kanë një histori ndarjesh, që duhet t'i kapërcejnë", nënvizon nunci apostolik, i cili shpreson e pret "përpjekje humanitare nga të gjithë", si nga Siria, ashtu edhe nga Turqia. "Kjo është një bankëprovë - paralajmëron ai - që diçka të ndryshojë" dhe që t'i jepet fund i vërtetë "12 viteve të luftës, duke filluar përsëri punën e rindërtimit. Përveç tërmetit, shpresojmë të shohim anën tjetër të medaljes, vullnetin e mirë”. “Në fillim - vazhdon ai - përballë tragjedive të tilla mbetesh pashpresë”, por pikërisht në fillim është koha të “përveshësh mëngët, si në nivel njerëzor, ashtu edhe institucional. E përsëris, kjo fatkeqësi e vë në provë mbarë njerëzimin" duke nisur nga një Siri ende e përçarë, në të cilën është themelore “arritja e armëpushimit kombëtar dhe qarkullimi i lirë i të gjitha ndihmave humanitare".
Ditët e fundit, Kardinali Zenari vizitoi Halebin ku, më shumë se "shkatërrimet dhe shembjet", pasojë tashmë e dukshme e 12 vjetëve luftë, e edhe se lagjet e rrafshuara për tokë, ajo që bie më shumë në sy është atmosfera e përgjithshme "e pasigurisë". “Natyrisht - pohon Prelati - duken ndërtesa të shembura, minare të rrëzuara, kisha të dëmtuara, por ajo që nuk duket, është edhe më e rëndë. Një ndër tri godina nuk është e sigurt, njerëzit nuk mund të kthehen në të, preferojnë të qëndrojnë jashtë” pavarësisht nga të ftohtit, ose të strehohen në famulli a në institucione të tjera kishtare “edhe në kushte shumë të pasigurta, e me rrezikun për të mos u kthyer kurrë më nën strehët e tyre”. “Familjet me të moshuar dhe fëmijë - vazhdon ai - pa dyshekë, detyrohen të flenë në karrige, për t’u ndjerë më të sigurt. Urgjenca e vërtetë është si t'u japësh këtyre njerëzve një çati: do të nevojiten ndihmat e bashkësisë ndërkombëtare, në një perspektivë që shkon përtej urgjencës së menjëhershme".
Konflikti, Covidi, sanksionet, bomba e varfërisë, kolera e tani edhe tërmeti e gjunjëzuan Halebin, metropol dikur, e kryeqytet ekonomik dhe tregtar, sot gjithnjë e më i plagosur. “Në kohën e betejës së madhe - kujton ai - pamë mbi 200,000 njerëz në rrugë, një heksod i madh, e njësoj edhe tani. Sirisë, që mbetet kombi me njerëzit më të zhvendosur në botë, gati 13 milionë brenda dhe refugjatë jashtë vendit, tani po i shtohen edhe viktimat e tërmetit”.
Duke prekur temën e ndihmave, kardinali nënvizon se “të veprosh në Siri sot është diçka shumë më e ndërlikuar se në çdo vend evropian të goditur nga ndonjë tërmet. Përveç strukturave të shkatërruara, mungojnë benzina, energjia elektrike, nafta... M’u desh të udhëtoj nga Damasku në Haleb duke marrë me vete edhe furnizimin me karburant, sepse është e pamundur të gjendet. Falënderojmë cisternat e qeverisë, që i furnizojnë me dritë strukturat tona, sepse do të ishte e papërfytyrueshme të strehosh mbi 1000 njerëz, pa energji elektrike. Duhet pastaj ushqim, gaz për gatim … barra e luftës është tepër e madhe – thekson me shqetësim tthellë”.
E zhytyr në një oqean nevojash, Kisha, përveç pritjes të të shpërngulurve, vendosi ta shtrijë për të gjithë nevojtarët kujdesin mjekësor të ofruar nga njëri prej tre Spitaleve të hapura (dy në kryeqytet, një në Haleb) aktivë në vend, prej vitesh. “Me AVSI u morëm vesh të mjekohen pa pagesë të gjithë ata, për të cilët deri tani kemi paguar - përfundon tejet i prekur Prelati – Tani jemi të gjithë të bashkuar në një tragjedi të vetme, pa dallim, ndaj dhe kujdesi duhet të garantohet, pa dallim”.