Kërko

Kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk Kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Shevchuk

Ukrainë, Shevchuk: luftë absurde e sakrilegj, por tani nuk ndihemi të braktisur

Kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, në lidhje internet me një grup gazetarësh, pak ditë para përvjetorit të parë të konfliktit: “Luftë e verbër, absurde, sakrilegj. Ua vodhi fëmijërinë të vegjëlve”. Urimi që "bota të mos i mbyllë sytë para vuajtjeve të popullit”. Ukraina, nënvizoi Shevchuk, duhet të përmendet gjithnjë nga media e të mos ndodhë si në 2014-ën me Donbasin: “indiferenca vret”

R.SH. – Vatikan

Kryeipeshkvi i madh i Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, flet për "tragjedi", për Ukrainën dhe për botën, flet për një "popullsi të traumatizuar" nga këta dymbëdhjetë muaj të lufte "të verbër, absurde, sakrilegj", flet për "pafuqinë" në udhën e paqes. Pastaj, u bën thirrje politikanëve, mediave, kujtdo që ka zë dhe përgjegjësi në nivel ndërkombëtar: “Mos na lini të vetëm... Gënjeshtra dhe indiferenca vrasin”. Kryeipeshkvi Shevchuk, pati një bisedë në internet me një grup të vogël gazetarësh, pak ditë para përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt 2022.

Paaftësia për ta parandaluar e për ta ndalur luftën

 Imzot Shevchuk i shprehu mirënjohjen "Zotit, sepse arritëm të mbijetonim dhe t'i shërbenim popullit duke bërë gjithçka mundëm". Mirënjohje, edhe "për solidaritetin e pamasë universal", që, megjithatë, shoqërohet me një "ndjenjë pafuqie", pasi nuk u arrit të parandalohej lufta e, tani, pas një viti, nuk ndalet. “Në fund të vitit 2021, shihej fantazma e luftës që po afrohej... Nga ana ime – pohoi imzot Shevchuk – jam përpjekur të ndërgjegjësoj shumë institucione për këtë rrezik, por, për fat të keq, as mekanizmat e së drejtës ndërkombëtare dhe as mjetet diplomatike nuk qenë në gjendje ta parandalojnë tragjedinë. E gjithë bota ndihet e pafuqishme përballë kësaj lufte të verbër, absurde, luftë sakrilegj”.

Shkatërrimet në Mariupol
Shkatërrimet në Mariupol

Armët moderne shkatërrojnë gjithçka: jetë njerëzore, qytete, ekologji

Keqardhja më e madhe, pranon ai para gazetarëve, është se nuk arritëm t’ua shpëtojmë jetën njerëzve: "Më kujtohet Mariupol: sa herë u përpoqëm të çonim ushqim dhe ujë, por shumë njerëz vdiqën nga uria dhe etja". E shumë të tjerë humbën jetën në tortura, ose u vranë nga bombat. "Këtë vit, ndoshta për herë të parë, – vërejti kryeipeshkvi - pashë se si armët moderne janë të afta të shkatërrojnë gjithçka: jetë njerëzore, qytete, ekologji".

Mirënjohje për solidaritetin ndërkombëtar

"Një vit më parë - vazhdoi imzot Shevchuk - të gjithë na braktisën. Pas 24 shkurtit mbetën vetëm dy përfaqësi: nunci apostolik, Visvaldas Kulbokas dhe ambasadori polak. Shumë u zhvendosën në Lviv, në perëndim të Ukrainës, ose në Poloni. Pas një viti të gjithë janë kthyer, vijnë të na vizitojnë këtu”.

 “Në nivelin politik e ushtarak, frytet e këtyre vizitave do të vihen në dukje nga ekspertët. Por, duke folur në emër të njerëzve të thjeshtë, kjo na bëri e na bën ta ndiejmë se nuk jemi të harruar, nuk jemi të braktisur, se mund të mbështetemi në solidaritetin e Evropës, të Italisë, të botës”. “Është ngushëllim i madh”, pohoi kryeipeshkvi, që nënvizoi se “ushtria ruse na ka dënuar me vdekje. Solidariteti na jep shpresë se ky dënim nuk do të zbatohet, se do të mbijetojmë, do të mbrohemi dhe do të ndërtojmë një vend të lirë dhe demokratik”.

Varrosja e të rënëve
Varrosja e të rënëve

Tema e armëve është qendrore

         Në këtë çast, tema e armëve është qendrore. "Flitet për një përdorim proporcional," iu përgjigj ai një pyetjeje lidhur me thirrjen e fundit të BE-së për të furnizuar Ukrainën me armë. "Nuk jam i qetë kur flas për këtë", vërejti kryeipeshkvi i Kievit, "por, tani për tani, aftësia e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur nuk është proporcionale me aftësinë e Rusisë për të na sulmuar. Ne jemi vend shumë më i vogël. Është mrekulli që jemi gjallë". Këshilli Panukrainas i Kishave, i cili ishte në Romë kohët e fundit, i drejtoi një letër të hapur bashkësisë ndërkombëtare, duke i kërkuar të dërgojë armë kundër raketave. "Përse Kishat kërkojnë furnizimin me disa lloj armësh? Sepse nëse e rrëzojmë paraprakisht një raketë askush nuk vdes, por nëse ajo bie aty ku është menduar të hidhet, shkakton shumë vdekje. Në këtë çast, Këshilli Panukrainas e konsideron moralisht të pranueshme dërgimin e armëve në Ukrainë, që ajo ta rrisë aftësinë mbrojtëse”, nënvizoi imzot Shevchuk.

Dialogu me Kishat ortodokse të Ukrainës të lidhura me Moskën

         Çështja s’është e lehtë, njësoj si ajo e dialogut me Kishat ortodokse të Ukrainës të lidhura me Moskën. Në dhjetor, presidenti Volodymyr Zelensky, pas hetimeve dhe kontrolleve të Shërbimit të brendshëm të Sigurisë, nënshkroi një dekret për kufizimin e veprimtarisë së asaj pjese të Kishës Ortodokse, që është e bashkuar me Patrikanën e Moskës. “Kjo Kishë po konfrontohet haptasi me shoqërinë ukrainase”, komentoi imzot Shevchuk. "Para luftës njerëzit bërtisnin për bashkim, ndërsa tani ka një kërkesë të fuqishme për ta ndalur këtë Kishë. Gati urrejtje... Nuk është e krishterë, por janë ndjenja njerëzish zemërplasur". Problemi, paralajmëron prelati, është se "kur një Kishë përplaset me opinionin publik, herët a vonë vjen një politikan, që e shfrytëzon këtë ndjenjë dhe e kthen në ligj". Ndërkaq, në Parlamentin ukrainas, njoftoi imzot Shevchuk, po studiohet një projektligj, sipas të cilit "Shteti do të detyrohet të bëjë ç’është e mundur që asnjë Kishë apo shoqëri fetare të mos shfrytëzohet nga një vend i huaj për qëllimet e veta politike".

Imzot Sviatoslav Shevchuk në bisedë me gazetarët, përmes Zoom
Imzot Sviatoslav Shevchuk në bisedë me gazetarët, përmes Zoom

Zoti e dëgjoftë britmën e gjakut, që lartohet nga toka ukrainase

         Të lutemi – kjo thirrja e fundit e kreut të Kishës greko-katolike - që Zoti ta dëgjojë britmën e gjakut, lartuar drejt Qiellit nga toka ukrainase. Kërkojmë që bota të mos mbyllë sytë para plagëve dhe vuajtjeve të njerëzve, të mos lodhet nga kjo çështje. Shpesh dhimbja e Ukrainës zhduket nga gazetat, nuk përbën më lajm, ashtu siç ndodhi në vitin 2014 me pushtimin e Donbasit. E vërteta, siç thotë edhe Papa, është gjithmonë viktimë e luftës. Një luftë dezinformimi. Gënjeshtra dhe indiferenca vrasin, vrasin shumë njerëz”.

21 shkurt 2023, 13:14