Kërko

Katedralja e Iskenderun  rrënuar nga tërmeti Katedralja e Iskenderun rrënuar nga tërmeti 

Turqia, shembet Katedralja e Iskenderunit. Vikari: Mirëpresim, mes rrënojave

At Antuan Ilgit po koordinon ndihmat, që vazhdojnë të mbërrijnë në portin turk. Selia e Vikariatit Apostolik strehon të paktën njëqind njerëz, që presin lajme nga të afërmit, ende nën rrënoja. Kleri katolik dhe armen ndajnë ndihmat e ardhura nga Patriarkana dhe Vikariati i Stambollit

R. SH. - Vatikan

Tingulli i sirenave të ambulancave dhe automjeteve të urgjencës është sfondi i zërit të At Antuan Ilgit, jezuit, vikar i përgjithshëm i Vikariatit Apostolik të Anadollit, me të cilin u lidhëm me telefon, ndërsa koordinonte mbërritjen e ndihmave në Iskenderun, qytet port, i quajtur Alexandretta në kulturën greke. Një nga lokalitetet, që ndodhet pikërisht përgjatë shkarjes ku u shkaktua tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Pas më shumë se 48 orësh, në qytetin përballë Mesdheut, ku ndodhet Vikariati Apostolik për Anadollin, vijon gërmimi ndër rrënoja. Forca shkatërruese e tërmetit shembi edhe katedralen katolike, por kisha lokale është ende në vijë të parë për të mirëpritur dhe për të ndihmuar popullsinë. Ndihmat dhe gjërat më të domosdoshme, ndahen me besimtarët dhe klerikët e të gjitha besimeve të tjera fetare. Por, të dëgjojmë Atin Antuan:

Atë Antuan, ku jeni tani dhe çfarë po bëni?

“Tani jam para shtëpisë së guvernatorit të Iskenderunit. Jam në këtë pikë, sepse vetëm këtu funksionon mirë celulari. Po telefonoj, për të koordinuar ndihmat, që vijojnë të vijnë. Ndihma filloi të arrijë vetëm dje pasdite dhe, për këtë arsye, ka ende shumë njerëz që duhen nxjerrë nga rrënojat. Katedralja jonë katolike u shemb plotësisht, por gjithsesi strehuam njëqind njerëz të të gjitha besimeve, sepse kemi një oborr të madh, ku mund t’i ndihmojmë të gjithë”.

Domethënë, jeni në ballë të mikpritjes?

“Po! Deri dje na mungonte edhe uji i pijshëm, më pas, në mbrëmje, filluan të vijnë ndihmat, që po i ndajmë me të gjithë popullsinë, pa bërë asnjë dallim. Shpërndajmë edhe ushqime të nxehta, tejet të domosdoshme mes ngricave!”.

A vazhdon gara me kohën, për t’i nxjerrë ende gjallë njerëzit nga nën rrënojat?

“Ekipet e para të shpëtimit mbërritën vetëm pasditen e djeshme, por njerëzit po nxirren ende të gjallë. Fatkeqësisht mësuam se disa prej tyre dolën nga gërmadhat me këmbë e duar të prera, edhe për shkak se fillimisht u nxorën nga qytetarët e thjeshtë, të cilët, duke dashur t’i shpëtojnë sa më shpejt, gërmuan me gjithë forcën. Në këtë kuadër pati edhe episode grabitjesh. Njerëz, që kishin nevojë për ushqim dhe ujë, thyen xhamat e disa supermarketeve për të marrë çfarë të gjenin. Po sot, megjithatë, situata është më e qetë. Po vijnë ndihma nga e gjithë Turqia”.

A shihen edhe ekipe shpëtimi dhe ndihma nga jashtë?

“Personalisht nuk i kam parë ende, por më kanë kontaktuar kompani nga vende të ndryshme, të cilat më kanë thënë se janë gati të mbërrijnë ose tashmë kanë mbërritur në zonat e shkatërruara nga tërmeti”.

Cilat janë nevojat e popullatës tani?

“Në këto ditë të para pas tërmetit, njerëzit kanë nevojë për ushqim, ujë të pijshëm dhe batanije. Kemi edhe Caritasin e Anadollit, që po merr ndihmat, të cilat i rishpërndan menjëherë, në mënyrë të drejtë dhe duke u përpjekur të arrijë edhe në vendet më të largëta, ku nuk arrin askush tjetër. Përpiqemi të ndihmojmë me maturi, sepse në këto çaste urgjence të madhe njerëzit priren të grumbullojnë më shumë se u nevojitet. Pse tremben nga e ardhmja! E edhe pse është shumë ftohtë e bie shi”.

Ç’po bëjnë njerëzit dhe familjet, përballë rrënojave të frikshme?

“Anëtarët e bashkësisë sonë, të mbledhur në Vikariate, kanë shumë të afërm dhe miq ende nën rrënoja dhe presin ethshëm lajme prej tyre”.

A duhet bërë shumë për rindërtimin? Është shkatërruar gjithçka?

“Në Iskenderun nuk është shkatërruar gjithçka. Disa lagje u bënë rrafsh me tokë, të tjerat jo, por sigurisht që do të duhet një përpjekje e madhe për t'u rindërtuar gjithçka u shkatërrua. Katedralja jonë u shemb plotësisht. Një strukturë shumë e madhe u lëkund e ra në një çast të vetëm, e më pas, edhe shumë struktura të tjera, po kaq të mëdha, pësuan të njëjtin fat”.

Kisha Katolike, atëhere, është pikë referimi për të gjithë qytetin?

“Po, Iskenderun është selia e vikariatit apostolik të Anadollit, që mbulon gjysmën e Turqisë. Edhe Kisha e Turqisë po tregon një unitet të madh: të gjithë ipeshkvijtë po na dërgojnë ndihma, të cilat ne i shpërndajmë për popullsinë e të gjitha besimeve. Mund të them se një nga institucionet që funksionon më së miri tani për tani, është Kisha Katolike. Më pas jemi në kontakt me priftërinjtë e bashkësisë armeno-ortodokse, me të cilët vetëm pak ditë më parë kremtuam një mbrëmësore lutjeje për bashkimin e të krishterëve. E tani, po na bashkon kjo emergjencë: armenët e ndanë me ne ndihmën e marrë nga patriarkana e tyre, e edhe ne e ndamë me ta ndihmën që na erdhi nga Vikari Apostolik i Stambollit”.

08 shkurt 2023, 15:43