Teksti i fundit i Kardinalit Martini, i ripropozuar me komentin e Papës Françesku
R. SH. - Vatikan
"Dy ipeshkvij, që ruajnë dhe shoqërojnë grigjën e Zotit. Secili me stil të veçantë, por duke ecur të dy në gjurmët e Shën Injacit të Loyolës". Kështu motra Nicla Spezzati, nënsekretare e Dikasterit për jetën e shuguruar, gërshetoi përvojën baritore të kryeipeshkvit të ndjerë të Milanos, Carlo Maria Martini, me atë të ipeshkvit të Romës, Papës Françesku, autorë të librit “Ipeshkvi Bari. Autoriteti në Kishë është gjithmonë në shërbim” (botimet San Paolo) i paraqitur dje, më 24 shkurt, në selinë e La Civiltà Cattolica.
Libër i thellë, frymëzues
Vëllimi rikthen në qarkullim librin e titulluar “Ipeshkvi”, tekst i Imzot Martinit, shoqëruar me komente të Papës, që na lejojnë të thellojmë temën e lidhjes ndërmjet ipeshkvit dhe njerëzve. Publikimi u propozua me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Martinit, nga Fondacioni kushtuar Ipeshkvit, duke krijuar vazhdimësi përmes reflektimeve të dy jezuitëve, në një kohë kur sinodaliteti merr një rëndësi vendimtare.
Portreti i Bariut: njeri i lutjes dhe i mëshirës
Në libër takojmë Bariun e vërtetë, që nuk lindi në laborator dhe që duhet të përpiqet gjithmonë të dëgjojë këshillat e klerit dhe të popullit të tij, duke shmangur çdo formë karrierizmi - shkruan Papa Françesku – e duke kujtuar se Martini synonte të pikturonte figurën e gjallë të ipeshkvit: konkret, pa pretendime të rreme, me sinqeritet të panjollë. Ndërsa rishikon reflektimet, që e prekën më shumë, Papa e pikturon portretin e ipeshkvit, sipas përshkrimit të Kardinalit Martini, kujton marrëdhënien e tij themelore me Zotin në lutje, thekson se duhet të jetë "njeri i mëshirës" e se duhet të veprojë si "mjek në spitalin fushor”, pa e harruar as marrëdhënien me gazetarët.
Kjo është një pikë, të cilën Françesku e konsideron po aq të rëndësishme, sa kryeipeshkvi i Milanos. "Edhe nëse mund të ndodhin disa gabime - pohon - për shkak të mospërgatitjes së tij, ipeshkvi duhet të dijë ta drejtojë varkën drejt portit, të komunikojë vërtetësisht me njerëzit, të hyjë në situata pothuajse personale, me 'ndihmën e medias”. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh veprat aktuale sinodale, Françesku nënvizon se ipeshkvi, ashtu siç shkruan Martini, duhet ta manifestojë bashkimin me ipeshkvijtë e tjerë dhe me Papën, ashtu si edhe atësinë shpirtërore ndaj priftërinjve. Me vetëdijën se nuk ka bari 'standard' për të gjitha Kishat, Françesku e portretizon figurën e ipeshkvit si "ai që ruan, duke mbështetur me durim proceset përmes të cilave Zoti sjell shpëtimin e popullit të tij". E, duke e përdorur edhe një herë metaforën e erës së deleve, shton:
"Nuk mjafton të jesh vigjilent, është e nevojshme të kesh butësinë, durimin dhe qëndrueshmërinë e bamirësisë”.
Libri na rikujton fjalët e Injacit të Antiokisë, që e pati përmbledhur me pak fjalë figurën e Ipeshkvit: “Ku është ipeshkvi, atje është Kisha”. Përmes këtij libri, kardinali Martini vijon dialogun me lajmet e historisë dhe të njerëzve…