Të meditojmë me Ungjillin: Jezusi, s’erdha ta shlyej Ligjin, por ta përkryej
R.SH. – Vatikan
Të krishterët janë së pari dishepuj të Jezu Krishtit, jo ndjekës të thjeshtë të Ligjit, me të cilin ishin fiksuar farisenjtë, duke ia harruar krejt frymën e tij të vërtetë. Në Ungjillin sipas Mateut (5,17-37) të së dielës VI të vitit kishtar (A), Biri i Hyjit na paralajmëron të gjithëve: nëse drejtësia juaj nuk është më shumë se ajo e skribëve dhe e farisejve… Dashuria nuk është ndjenjë për të bërë ç’të duam vetë, por motori i shërbimit për të afërmin, sipas planeve hyjnore. Jezusi numëron gjashtë raste të jetës së përditshme, në të cilën shfaqet kjo dashuri konkrete. Ta dëgjojmë një fragment nga Ungjilli i kësaj së diele marr nga Mateu…
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat.
Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhëra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë nerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.
Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.” E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.
Keni dëgjuar se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.
Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej qoftëlargut.”
Të lutemi së bashku
Çdo lojë ka rregullat e ligjet e veta
por, për ta fituar garën nuk mjaftojnë vetëm rregullat:
duhet diçka më TEPËR,
që lind nga zemra e nga fantazia
e na shtyn në maksimum për të fituar.
Edhe jeta ngjan me një lojë,
por nëse ndalemi në respektin për Ligjin
jemi të destinuar të mos lëvizim nga shiriti i nisjes.
Nevojitet më TEPËR dashuri e utopi
që të bëhet e mundur
edhe ajo, që duket e pamundur
për të fluturuar lart me shqiponjat
në vend që të zvarrisemi përtokë, si gjarpri.
Fjala jote, o Zot,
është si çekani që bën copë-copë
shkëmbinjtë masivë e plot thepa
të normave tona të hartuara mirë e të sigurta.
I shkatërron muret tona prej farisenjsh
për t’i bërë vend kopshtit
të vëllazërimit e të dashurisë.
Ti nuk i do xhonglerët dinakë
e as ata, që luajnë me drejtësinë,
ose ata, që punojnë veç për t’u dukur.
Ti dëshiron që ne të luajmë në fushë të hapur,
me besnikëri e sinqeritet,
të udhëhequr jo nga metri, as nga peshorja,
por nga dashuria pa masë e kut
që gjithçka fal,
gjithka duron,
gjithçka kapërcen,
e, pikërisht për këtë,
gjithnjë fiton.
Na ndihmo, o Zot,
të shkojmë përtej hijes sonë. Amen