Të meditojmë me Ungjillin: ju jeni drita e botës
R.SH. – Vatikan
Ç’na tregon imazhi i kripës dhe i dritës, që përdor Jezu Krishti në kreun 5 të Ungjillit sipas Mateut (13-16), në të dielën V të këtij viti kishtar ‘A‘ ? Secili prej nesh, edhe nëse ndihet i izoluar, mund ta ndryshojë atmosferën, që e rrethon, duke kontribuar që bota të mbetet njerëzore. Jezusi na bën të aftë për këtë: ju jeni kripa e tokës, ju jeni drita e botës! A jemi vërtet? Të ndjekim pjesën ungjillore nga Mateu…
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.
Të lutemi së bashku
Jemi kaq të zënë nga frenezia
për të qenë dikushi, për t’u dukur, për t’u mbledhur,
sa kemi harruar pothuaj krejtësisht
gjithçka na ke thënë.
Ti na kërkon të jemi kripa
në brumin e çuditshëm të kësaj bote,
vetëm pak kripë, që bën të ndihet
shija e Mbretërisë së Zotit,
shije drejtësie e vëllazërimi,
shije solidariteti e kthese,
shije pajtimi e dashurie.
Në çdo lloj ushqimi,
kripa nuk duhet të jetë shumë
dhe është “e dënuar” të shkrihet e të zhduket.
Kështu, edhe Ti na fton
të mos udhëtojmë me mjete të rezervuaar,
me uniforma, që shndrisin plot shkëlqim,
por të bëhemi të padukshëm në mesin e udhëtarëve të kësaj bote.
Ti dëshiron që të ndajmë së bashku aventurën
e burrave dhe të grave të kësaj kohe,
duke bartur mbi vete, në gjithçka bëjmë,
shijen e re të Ungjillit.
Ti na kërkon të jemi dritë,
në mënyrë që njerëzit pranë nesh
të mos e humbasin rrugën në errësirë,
që udha të mbetet e ndriçuar
e nata të thyhet
nga fragmente e rreze drite.
Secilit prej nesh i ke besuar
një flakëz të varfër, të vogël,
që kërcënohet nga çdo lloj puhie e stuhie.
Ti na e ndeze e pastaj, na e dhurove,
që edhe të tjerët t’i gëzohen
rrezes së re e të ngrohtë,
gjurmë e zjarrit tënd.