Kërko

Kardinali Jean-Claude Hollerich gjatê Asamblesë sinodale në Pragë Kardinali Jean-Claude Hollerich gjatê Asamblesë sinodale në Pragë 

Sinodi, Hollerich: në Pragë, mendime të ndryshme, por dialog ndërmjet vëllezërish

Kryetari i COMECE komenton punën e Asamblesë Sinodale Evropiane, duke shprehur kënaqësinë: “Shpirti Shenjt vepron në kohë e ne duhet ta dëgjojmë thirrjen e Tij”. Në lidhje me kërkesat për pranimin e grave në meshtari, na fton të lutemi dhe të reflektojmë, për të mos rënë në një formë tjetër 'klerikalizmi'.

R. SH. - Vatikan

Pas katër ditësh shumë të ngarkuara, kaluar në Pragë së bashku me 200 delegatë mbledhur për Asamblenë Sinodale Kontinentale, Kardinali Jean-Claude Hollerich, president i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, shprehu kënaqësinë e tij për çka doli në dritë - dhe si doli (Comece).

Të dëgjohet Shpirti Shenjt, që punon në kohë

"Jam shumë i kënaqur. E dimë të gjithë se Evropa ka dy tradita të ndryshme fetare, lindoren dhe perëndimoren, por mbetëm vëllezër e motra. Shumëllojshmëria e mendimeve nuk e prek përkatësinë tonë të thellë ndaj Krishtit" – pohon për Vatican News  kardinali, pas miratimit në kuvend të bocës së dokumentit përmbledhës të punimeve. "Mund të kishim pasur një bisedë shumë më të acaruar, po kjo nuk ndodhi" - thekson ai. - E, lidhur me propozimin për të organizuar periodikisht Asamble të këtij lloji me ipeshkvij e laikë, të paktën çdo dhjetë vjet - propozim që u bë gjatë diskutimeve - Hollerich shpreh miratimin, sepse - pohon - "Shpirti Shenjt vepron me kalimin e kohës! Duhet ta dëgjojmë thirrjen e tij edhe pse ndonjëherë është shumë e vështirë, sepse veshët janë plot me fjalë të tjera, që nuk vijnë nga Shpirti Shenjt, për shembull “unë mund të shkoj në meshë, pa qenë vërtet atje, sepse është ritual, zakon për egon time, e nuk dua të më çojnë larg nga zona e rehatisë". E, si jezuit, ai shton se aftësia dalluese e vërtetë ka nevojë për 'indiferencë' të vërtetë, duke nënkuptuar indiferencën e kujtesës injaciane.  

Të shmanget rreziku i rënies në një 'klerikalizëm' tjetër

Përsa u përket kërkesave të shprehura nga disa delegatë, sidomos nga Evropa qendrore-veriore - të vijuara nga ata, që qëndruan kryeisht në emër të LGBT-ve ( Lesbikë, Gay, Biseksualë e Transgender) para selisë së asamblesë duke kërkuar me pankarta 'barazi' në kishë - pohon kardinali: "Kisha është e gatshme të reflektojë dhe të lutet për këto kërkesa. Papa na tha të jemi gjithëpërfshirës, ​​nuk diskutohet për këtë. Por për meshtarinë e grave e martesën e priftërinjve duhet të lutemi, të reflektojmë". Është e qartë - shton ai - që gratë duhet të jenë në të njëjtin nivel me burrat, mendoj se është e qartë për të gjithë. Por nëse themi se nuk mund të jenë të barabarta pa qenë edhe meshtare, ndoshta biem në një klerikalizëm të ri. Ndoshta do të ishte mirë të kishim një kishë ku gratë të kenë një rol, qoftë edhe si udhërrëfyese, edhe pa qenë priftërinj, nuk e di… Duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të veprojë, vendimi i marrë vetëm nën presion, nuk mund të mos jetë vendim i keq".

Të përtërihet gjuha

Prelati është i mendimit se po të zbatohet plotësisht procesi drejt një kishe sinodale, edhe kishat do të mbushen më shumë. "Sepse po të jetë kisha si një klub, ku prifti është drejtor, ai e kremton liturgjinë si të dojë, ngaqë në të vërtetë nuk ka bashkësi. Po krishterimi jetohet në bashkësi. Edhe nëse do të ketë bashkësui të vogla, por me një gjuhë që njerëzit ta kuptojnë, atëherë këto do të jenë tërheqëse”. Më në fund, Hollerich rikthehet edhe një herë tek mikpritja, duke shprehur besimin për një Kishë që i mirëpret  refugjatët, të sëmurët, të varfërit. "Ky është kuptimi i përfshirjes. U prek tema e të varfërve dhe unë u gëzova për këtë - pohoi - Duhet të kthehemi, në këtë kuptim, në rrënjët e fesë, por të kthehemi me gëzim".

10 shkurt 2023, 14:53