Kërko

Arkivoli i Shën 'Augustinit, Bazilika e Shën Pjetrit in Ciel d'Oro, Pavia Arkivoli i Shën 'Augustinit, Bazilika e Shën Pjetrit in Ciel d'Oro, Pavia 

Shën Augustini, festime në Pavia një mijë e treqind vjet pas mbërritjes së relikeve

Një vit ngjarjesh, për të përkujtuar zhvendosjen e trupit të Atit të madh të Kishës nga Sardenja, ku u mbart shumë vjet pas vdekjes në Afrikë, me urdhër të mbretit longobard Liutprando. Dje, reliket e Shenjtit u ekspozuan në Bazilikën San Pietro in Ciel d'Oro. Sot, hapja solemne e festimeve për kujtim të ipeshkvit të Ipponës, filozofit e teologut, njeriut me zemër të madhe e mendje të ndritur.

R. SH. - Vatikan

Lexime nga kryevepra Confessioni, webinarë, takime letrare, ekspozita, liturgji, konferenca, recitale, koncerte, ngjarje kulturore: këto janë vetëm disa nga nismat që do të organizohen për të kremtuar një mijë e treqind vjetorin e zhvendosjes së trupit të Shën Augustinit, në Pavia. Reliket e Atit të madh të Kishës, që nderohen në Bazilikën San Pietro in Ciel d'Oro, dje, 25 shkurt, u ekspozuan për nderim nga besimtarët, në përfundim të një kremtimi, kryesuar nga kardinali Angelo Bagnasco, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve të dioqezave të ndryshme. Pasdite, në Palazzo del Broletto u përurua ekspozita filatelike titulluar "Shën Augustini në Pavi: një mijë e treqind vjet". Dhe përsëri në San Pietro in Ciel d'Oro, më 28 shkurt, ditën kur festohet kujtimi i mbartjes, në orën 18.30, do të kremtohet një liturgji me rivendosjen e urnës me eshtrat e Shën Augustinit në arkën prej argjendi të epokës Longobarde, ku prehej dikur trupi i Shenjtit.

Varri i Shën Augustinit

Eshtrat e Shën Augustinit ruhen në një relikuar qelqi të shekullit të 19-të, brenda urnës së argjendtë, ku preheshin pas vdekjes. Relikuari, i vendosur poshtë një monumenti prej mermeri të shekullit të XIV, mund të soditet përmes një grile të mbyllur me katër brava të ndryshme, çelësat e të cilave iu besuan eprorit të bashkësisë augustiniane të  bazilikës San Pietro in Ciel d'Oro, ipeshkvit dhe kryetarit të bashkisë së Pavisë dhe kapitullit të Katedrales, si të donin t’u kujtonin të gjithëve se Ipeshkvi i Ipponës është trashëgimi e përbashkët feje dhe kulture si për kishën, ashtu edhe për jetën fetare e shoqërore të qytetit. Figurat e skalitura tregojnë historinë njerëzore të filozofit të madh të Tagastes, të mbartjes së trupit në Pavia dhe mrekullitë që bëri gjatë jetës e pas vdekjes. Basorelievet, shtatoret dhe figurat e ndryshme përfaqësojnë themelet dhe simbolet e fesë së krishterë: apostujt, shenjtorët dhe personalitet që patën lidhje me Atin e Madh të Kishës. Në pjesën qendrore, përmes harqeve të dekoruara mirë, shihet Augustini në shtrojën e vdekjes, në prag të përjetësisë dhe takimit me Zotin, në çastin kur i hapet vegimi i Parrizit.

Reliket e ipeshkvit të Ipponës shtegtojnë nga Afrika, në Itali

Aurelius Augustini ishte ipeshkëv i Ipponës, Annaba e sotme në Algjeri, Aty jetoi 34 vjet e aty edhe vdiq, në moshën 75 vjeçare, më 28 gusht 430. Mendohet se trupi i tij u mbart në Sardenjë kur Afrika e Veriut u pushtua nga arabët, ndërmjet shekullit të shtatë dhe fillimit të shekullit të tetë, nga   frika se varri i tij mund të përdhunohej nga ndjekësit e Muhametit. Atëhere eshtrat e Ipeshkvit të madh u mbartën e u vendosën në Cagliari. Kripta e kishës së lashtë, në të cilën u mirëpriten, u përfshi në Pallatin aktual Accardo. Sipas traditës, hapësira e zbrazët pas altarit, ndoshta një kamare, qe vendi ku u vendos trupi i Atit të madh të Kishës, të cilin në shekullin e 8-të saraçenët ia shitën me peshë ari mbretit Liutprando, që deshi ta kishte në kryeqytetin e mbretërisë së tij, Pavisë. Beda i nderuar shkruan: “Liutprandi, pasi mësoi se saraçenët, përveç se kishin shpopulluar Sardenjen, kishin dhunuar edhe ato vende ku në të kaluarën, për shkak të pushtimit barbar, ruheshin eshtrat e Shën Augustinit, urdhëroi që, duke paguar një shumë e madhe, t’i riktheheshin. Më pas i zhvendosi në Pavia, ku ndërtoi një varr të denjë për nderimin e një Ati të tillë”. Data e saktë e zhvendosjes nuk dihet, por në bazë të disa burimeve, u vendos që si datë e tillë të caktohej viti 723, pasi për ditën, me të njëjtin kriter, u vendos që të kujtohej më 28 shkurt. Liutprand, sovrani katolik, i shpengoi eshtrat e Augustinit me këshillën e ipeshkvit të dioqezës së Pavias, Pietro, farefis i tij, para së gjithash për t'i shpëtuar nga sulmet e arabëve e, së dyti, për ta bërë të njohur kryeqytetin e tij në gjithë botën, duke u krenuar kështu me praninë e një figure kaq të shquar të krishterimit. Ka nga ata që hamendësojnë se prelati donte t'i jepte famë dioqezës së tij me reliket e doktorëve më të mëdhenj të Kishës perëndimore, të vendosura në bazilikën e San Pietro në Ciel d'Oro,  duke i përngjarë Romës, e cila ruan në rrjedhë shekujsh, në Bazilikën e Shën Pjetrit, reliket e Princit të Apostujve.

Mbi varrin e Ipeshkvit të madh shkruhen fjalët, për t’u mbajtur mend nga të gjithë:

«Fecisti nos ad te et inquietum est cor nostrum donec requiescat in te»(Confessioni, I, 1).

“Na krijove për Vete [o Zot] e zemra jonë është e shqetë derisa të gjejë pushim në Ty” (Confessioni, I, 1).

26 shkurt 2023, 15:29