Kërko

Sh'na Ndou i Padovës Sh'na Ndou i Padovës 

Sh’na Ndou i Padovës: nesër, “Festa e Gjuhës”

Nesër, e diel, 19 shkurt, në Padovë, do të kremtohet festa tradicionale e zhvendosjes së relikeve të Shëna Ndout, që populli e quan “Festa e Gjuhës”. Është kremtimi më i rëndësishëm antonian pas solemnitetit të 13 qershorit.

R. SH. - Vatikan

Nesër, në Padovë, do të kremtohet festa tradicionale  e  zhvendosjes së relikeve të Shëna Ndout, që populli e quan “Festa e Gjuhës”. Është kremtimi më i rëndësishëm antonian pas solemnitetit të 13 qershorit. Festa na kujton çastin historik, kur reliket e Shenjtit u zhvendosën nga Kapela, ku pushonin në paqe pas vdekjes, në Bazilikën e re. Kremtimin e zhvendosjes e kryesoi eprori i përgjithshëm i asokohshëm i Urdhërit Françeskan, Shën Bonaventura. Ishte viti i largët 1265, kur Shën Bonaventura, i rrethuar nga besimtarët e mrekulluar, pa se ndërmjet relikeve të Shenjtit, spikaste gjuha, që kishte mbetur krejt e freskët, si të qe kallur atë ças në varr. Ishte mrekulli, mbasi dihet se gjuha duhet të ishte kalbur e para. Si gjuha e gjithë të vdekurve. Por jo ajo gjuhë, që pati kumtuar  Fjalën e Zotit me aq devocion, sa të bëhej shenjë, që tregonte se Zoti i kishte bekuar fjalët e Tij. Këtë e pati theksuar Shën Bonaventura në ato çaste mahnitjeje të përgjithshme. Kështu gjuha mori vlerë të madhe simbolike, duke u kujtuar të gjithëve fjalët, me të cilat Shëna Ndou i fillonte predikimet: “Premto, o Zot, që gjuha ime t’i lëshojë fjalët si shigjetë, për të shpallur mrekullitë tua”. Është, pra, gjuhë, që foli gjithnjë për mrekullitë e dashurisë së Zotit. Fjala, që doli prej saj, i përngjet “Magnificat”, himnit me të cilën Zoja e Bekuar madhëroi Zotin. Prej këndej, fjala në gojën e Shenjtit u bë mesazh, e mesazh, edhe gjuha e tij e paprishur, festa e së cilës kremtohet nesër, në Padovë.

Gjuha, në Relikën e nderuar, është ende e dukshme, e pakalbur, brenda relikuarit që ruhet në Kapelën e Thesarit, ndërtuar në vitin 1436 nga argjendari Giuliano da Firenze.

Këtë vit, pas dy vitesh ndalesë për shkak të pandemisë, procesioni brenda shenjtërores do të kremtohet në fund të Meshës së kënduar, në orën 18:00.  Do të marrin pjesë edhe grupet e shoqatat e ndryshme, aktive në Bazilikë. Ndër to, Pia Unione Macellai "Militi dell'Immacolata", Archconfaternity e S. Antonio, Arca Veneranda e Shenjtit dhe Urdhërat e Kalorësisë.

Ndër kremtimet e ndryshme, në orën 8 të mëngjesit, Mesha e Shenjtë, e kryesuar nga Atë Antonio Ramina, rektor i Bazilikës, transmetuar nga Radio Maria.

Në orën 10 Mesha për anëtarët e “Lajmëtarit të Shëna Ndout”  kryesuar nga Atë Massimiliano Patassini, drejtor redaktues i së përmuajshmes Antoniane.

Mesha e shenjtë solemne, në orën 11, kryesuar nga Imzot Fabio Dal Cin, kryepeipeshkëv-prelat i Loretos dhe delegat papnor për Bazilikën e Shën Andout në Padovë. Festën do ta gjallërojë Kapela muzikore Antoniane.

Mesha e kënduar në orën 18:00, sërish e gjallëruar nga kapela muzikore Antoniane, do të kryesohet nga At Roberto Brandinelli, Provincial i Provincës Italiane të Fretërve të Vegjël të Shën Andout të Padovës. Procesioni brenda bazilikës do të vijojë me relikën e Gjuhës së Shenjtit, mbajtur mbi supet e besimtarëve. Në fund, lutja "O Gjuhë e Bekuar" dhe bekimi i fundit me reliken e falangës së gishtit të Shën Andout,  që ruhet në Kapelën e Thesarit.

18 shkurt 2023, 11:28