Kërko

Shtëpia e Familjes Abramitike Shtëpia e Familjes Abramitike 

Përurohet në Abu Dhabi “Shtëpia e Familjes Abramitike”.

Struktura, e projektuar nga arkitekti David Adaye, e ndërtuar në ishullin Saadiyat, përbëhet nga një xhami, një sinagogë dhe një kishë, që lartohen mbi themele të përbashkëta në një kopsht të blertë. Ceremonia e hapjes u ndoq nga kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar.

R. SH. - Vatikan

 Shpesh “ndërtohen mure për të ndarë njerëzit, në vend të urave, për t’i lidhur”, por “muret që janë ngritur në këtë vend bien ndesh me logjikën përçarëse të pushtetit dhe të urrejtjes”. Kjo u nënvizua nga kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, në Abu Dhabi, në forumin e parë kushtuar Shtëpisë së Familjes Abramitike, kompleks ndërfetar i frymëzuar nga Dokumenti mbi Vëllazërinë Njerëzore, i cili u nënshkrua nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit më 4 shkurt 2019, pikërisht në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Një xhami, një sinagogë dhe një kishë, të bashkuara nga një themel i vetëm, rreth një kopshti. Pamje prekëse, me kuptim prekës për secilën nga tri fetë e mëdha monoteiste.

E projektuar nga arkitekti David Adaye, "Shtëpia e familjes Abramitike" u përurua në ishullin Saadiyat, në prani, ndër të tjerë, të prefektit të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe të ipeshkvit kapuçin Pal Hinder, ish famullitar i Arabisë Jugore. Kardinali Ayuso - i cili kryeson Komitetin e Lartë për Vëllazërinë Njerëzore, promovues i vlerave të Dokumentit dhe i Ditës Ndërkombëtare që i kushtohet më 4 shkurt të çdo viti - përsëriti se "qeniet njerëzore dëshirojnë një bashkëjetesë më paqësore dhe më harmonike". Prandaj «roli i feve për shërimin e plagëve të botës dhe për ndërtimin e urave që lidhin njerëzit, fetë, vendet, është urgjent. Tani më shumë se kurrë!”.

E misioni i përhapjes së kulturës së respektit dhe dialogut realizohet konkretisht në Abu Dhabi, në Shtëpinë e Familjes Abramitike, hapësirë ​​për shkëmbim ndërfetar, që ushqen vlerat e bashkëjetesës paqësore dhe të pranimit mes njerëzve të besimeve dhe kulturave të ndryshme. “Kjo nismë historike e hapur për të gjithë, pasqyron me besnikëri vlerat e tolerancës dhe të mikpritjes”. Tregon edhe se Dokumenti për vëllazërimin njerëzor “nuk është hartë, por angazhim i përditshëm për të punuar së bashku, për të mirën e përbashkët dhe për të kontribuar në shërimin e kësaj bote të brishtë”. “Vëllazëria, sipas kuptimit të kësaj fjale aq të dëshiruar nga popuj e kombe, nuk mund të përjashtojë askënd, por t’i përfshijë të gjithë". Prandaj tri ngrehinat, mbi të njëjtin themel mund t’i ndihmojnë tri fetë kryesore të ngrihen mbi dallimet e të ndërtojmë edhe ura bashkëjetese”.

Duke rinisur nga vlerat që përmban "Deklarata e Abu Dhabit", e kujtuar edhe në enciklikën Fratelli tutti, njerëzit mund t’i kapërcejnë pengesat, paragjykimet, konfliktet, vështirësitë, pa e prekur identitetin e tyre përkatës e duke i shmangur sinkretizmat. Prandaj, pa hequr dorë nga burimet e ndryshme shpirtërore, e brenda traditave të ndryshme, "secili ka një mesazh qiellor për ta jetuar së bashku me gjithë vëllezërit dhe motrat tona, kushdo qofshin ata dhe cilido qoftë besimi i tyre”. Këtë na kujtojnë tri ndërtesat me themele të përbashkëta, në një kopsht që bleron dimër e verë". Ndërsa besimtarët e adhurojnë Zotin në hapësira të caktuara, këtu  nuk mund ta harrojmë kurrë tjetrin, që është aty pranë, duke kërkuar Zotin,  duke komunikuar me Zotin e duke shpresuar të njihet më mirë me tjetrin dhe ta jetojë vërtetësisht dritën e pranisë hyjnore, mes vëllezërish”.

20 shkurt 2023, 16:26