Paraqitja e Jezusit në Tempull, takim me Zotin
R.SH. - Vatikan
Më 2 shkurt Kisha katolike kremton festën e Paraqitjes të Krishtit në Tempull. Nё përkim me tё, sot bie edhe Ditën kushtuar Jetës Rregulltare. Në festën e Paraqitjes së Krishtit në Tempull kremtohet misteri i jetës së Krishtit, që lidhet me ligjin e Moisiut. Sipas këtij ligji, prindërit, 40 ditë pasi i parëlinduri të shihte dritën, duhet të ngjiteshin në Tempull të Jeruzalemit për t’ia falur djalin Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8).
Kjo e kremte na kujton të gjithëve takimin me Zotin. Duke lexuar me vëmendje Shkrimin Shenjt Biblën, kuptojmë se në atë çast fatlum është vet Zoti që, përmes fjalëve të Simeonit plak e të Anës profeteshë, ia paraqet njerëzimit Birin e vet të Njëlindurin. “Sytë e mi panë shëlbimin” - brohoret Profeti plak, e Profetesha Ana u flet për fëmijën të gjithë atyre, të cilët prisnin Mesinë në Jeruzalem. E kështu në Tempull shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë. Simeoni e shpall Jezusin duke e paraqitur si “shpëtimtarin” e njerëzimit, si “dritën” e të gjithë popujve, por edhe “si shenjë kundërshtimi”, sepse do të zbulojë mendimet e zemrave të shumëkujt”(krh Lk 2,29-35).
Sot kremtohet edhe Dita e Jetës rregulltare
Po kujtojmё edhe se më 2 shkurt, në përkim me këtë festё liturgjike, Shёn Gjon Pali II, duke u nisur nga viti 1997, deshi që në mbarë Kishën katolike të kremtohet një Ditë e veçantë kushtuar Jetës Rregulltare. E kjo, sepse flijimi i Birit të Zotit - i simbolizuar përmes paraqitjes së tij në Tempull - është shembull për çdo burrë e për çdo grua, që ia kushton tërë jetën e vet Zotit. Nё kёtё Ditё, të cilën Kisha ua kushton rregulltarëve e rregulltareve, e falënderojmë Zotin për dhuratën e çmuar të jetës së rregulltare, jetës së kushtuar dhe të të gjitha formave të saj, pasuri e vërtetë për Kishën.
Prandaj Kisha e fton mbarë popullin e Zotit t’i nderojë ata, të cilët ia kushtojnë tërë jetën Zotit me kushtin e pastërtisë, të dëgjesës e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu praninë e Zotit në çdo kohë e në çdo vend, nga dita e Paraqitjes së Krishtit në Tempull - deri në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët e rregullaret, murgjërit e murgeshat. Janë roje që shikojnë larg dhe që kumtojnë agimin e jetës së re shpirtërore, jetës në Zotin, tashmë e pranishme në histori.
Po kujtojmë një lutje të përmallshme, prekëse, drejtuar Zojës së Bekuar, në solemnitetin e Paraqitjes së Krishtit në Tempull:
“O Mari, Nënë e Kishës,
në duart e tua jemi sot ne
të gjithë rregulltarët:
Me duart e shtrira drejt teje në lutje
kërkojmë hirin e dritës hyjnore;
hirin e jetës në dëgjim të Fjalës së Zotit,
të përvujtërisë, në ndjekje të Krishtit,
Birit tënd e Zotit tonë,
e hirin e hapjes së zemrave,
në pritje të Shpirtit Shenjt!".