Kërko

Novicet e Motrave  Sherbyese, në Ukrainë Novicet e Motrave Sherbyese, në Ukrainë 

Në rrethana dramatike, secili duhet të kryejë misionin që i beson Zoti!

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin… në Ukrainë është tashmë dita e 359-të e një lufte të përgjakshme në shkallë të gjerë - këtë na kujton përsëri në letrën e zakonshme të fundjavës, Kisha greko-katolike ukrainase, e cila sot ndalohet tek misioni, që i beson Zoti secilit, e sidomos, tek roli i pazëvendësueshëm i meshtarëve e murgjërve, në ditë lufte e paqeje.

R. SH. - Vatikan

Letra e 359-të e Kishës greko-katolike ukrainase nis me përshkrimin e ndeshjeve dhe të sulmeve masive me armë të të gjitha llojeve, posaçërisht në Kharkiv, Zaporizhzhia, Khmelnytskyi, Shepetivka Kryvyi Rih, Dnipropetrovsk,  Kramatorsk, e megjithatë, e vijon me optimizëm: “Çdo ditë në tempujt tanë, në faltoret tona lexohet lutja kombëtare; mijëra njerëz vijnë në vigjilje e rrinë gjithë natën në manastiret dhe faltoret tona. Çdo ditë në orën 20:00 me kohën e Ukrainës themi së bashku rruzaren e zakonshme. Çdo ditë, pa pushim, Ukraina gjunjëzohet para Zotit në lutje. E thirrja jonë është: “Ukrainë, lutu!”.

Në mëngjesin e ditës së re falenderojmë Zotin me lutje të përgjëruara për ndihmën dhënë Forcave të Armatosura të Ukrainës që të fitonin edhe një ditë tjetër jete për popullin e tyre.

Monakizmi ynë, mushkëria e Kishës

Kjo letër ndalohet kryesisht tek monakizmi dhe roli i tij në jetën e popullit, në luftë e në paqe. Monakizmi ynë – shkruhet në letrën e fundit të Kishës së Ukrainës drejtuar mbarë popujve të botës - është mushkëria e Kishës. Heparkia, e cila nuk ka manastire, e ndjen se nuk është e rrënjosur plotësisht në botën shpirtërore dhe të thellë të jetës kishtare. Murgjërit dhe murgeshat janë ata që shpesh e sfidojnë botën moderne, sepse gjithnjë përpara kohës së tyre. Shpesh shkojnë kundër rrjedhës së parapëlqimeve, të ideologjive a filozofive të caktuara njerëzore. Ata vdesin për këtë botë për të jetuar në ringjallje, duke na treguar se si do të jetojmë të gjithë në mbretërinë e qiejve, pas vdekjes sonë, në ringjallje - siç thotë Krishti - ku  nuk martohen, por jetojnë si engjëj, duke soditur çdo ditë fytyrën e Zotit, duke i shërbyer njëri-tjetrit dhe çdo njeriu me dashuri.

Ftesa për jetë murgare

Më pas ftesa: “Ju kërkoj të gjithëve të luteni për thirrje meshtarake e murgare. Dhe ju inkurajoj, vajza e djem, të mos keni frikë t’i përgjigjeni thirrjes, kur e ndjeni në zemrën tuaj - për këtë mënyrë jetese heroike të përsosmërisë së krishterë:

“Ju presin manastiret tona, kongregatat tona. Siç tha dikur një nga etërit tanë shpirtërorë, sot Kisha ka aq shumë nevojë për një kalorësi të lehtë shpirtërore, që nuk është e lidhur me çështjet tokësore, që të mund të arrijë sa më shpejt atje, ku ka më shumë nevojë për të shërbyer, veçanërisht në këto rrethana dramatike lufte”.

Lutja e përgjëruar

Në përfundim të letrës, lutja e atyre, që bien të flenë, pa shpresë se mund të zgjohen. Lutje që mund ta shoqërojë çdo besimtar:

“O Zot, jepi Ukrainës thirrje të mira, jepi priftërinj të shenjtë, murgjër dhe murgesha të zellshme, me zemra të ndezura zjarr nga dashuria hyjnore. Zot, bekoji me fuqinë e shkëlqimit tënd qiellor ushtarët tanë që luftojnë kundër errësirës të së keqes, për të mbrojtur pavarësinë e Atdheut tonë, forcoji me fuqinë Tënde në betejën e pabarabartë që po bëjnë. Zot, Shpëtimtari ynë, Ti je paqja jonë! Bekoje Ukrainën tonë të vuajtur dhe të pikëlluar, me paqen tënde të vërtetë dhe të drejtë qiellore!”.

18 shkurt 2023, 16:57