Kërko

Veprimtari humanitare të Kishës në Ukrainë Veprimtari humanitare të Kishës në Ukrainë 

Në rrethana dramatike, secili duhet ta kryejë misionin që i beson Zoti!

Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin… në Ukrainë është tashmë dita e 352-të e një lufte të përgjakshme në shkallë të gjerë – këtë na kujton në letrën e zakonshme të fundjavës, Kisha greko-katolike ukrainase. Nuk duhet të kemi frikë nga kufizimet dhe mëkatet tona, por me zemër të hapur ta pranojmë thirrjen e Zotit, ta dëgjojmë, ta dimë cili është misioni ynë personal në Kishë dhe në botë.

R. SH. - Vatikan

Letra e Kishës greko-katolike ukrainase nis me përshkrimin e ndeshjeve me sulme masive e armë të të gjitha llojeve, posaçërisht në Kharkiv, Zaporizhzhia, Khmelnytskyi, Shepetivka Kryvyi Rih, Dnipropetrovsk Kramatorsk, e megjithatë, vijon me optimizëm:

“Nuk e dimë se ku do të shkojnë këto ‘dhurata ruse’, por pa e humbur kurrë optimizmin që vjen nga një Forcë, të cilën nuk mund ta mposhtin kurrë armët! Ndaj ukrainasit e maskaruar, edhe mes zhurmës së sirenave duan që bota t’i dëgjojë: duan të thonë, nën flokërt e dëborës së dimrit ukrainas, se Ukraina reziston, Ukraina lufton, Ukraina lutet!

Thirrja jonë: t’i gjegjemi zërit të Zotit, nëse duam të jetojmë!

Në këto ditë - vijon letra - kujtuam cila është thirrja jonë personale, njerëzore dhe e krishterë. Sepse, veçanërisht, në rrethanat dramatike të luftës, secili prej nesh duhet të gjejë kuptimin e jetës dhe të shërbimit të tij, duhet të kryejë atë detyrë, atë mision për të mirën e Kishës sonë, të popullit tonë, që na e beson vetë Zoti. Për të fituar, për të qenë në gjendje të vazhdojmë të jetojmë, ne duhet t'i përgjigjemi kësaj thirrjeje!

Zoti nuk bërtet, thërret

E dimë se thirrja e Zotit shpesh nuk dëgjohet qartë. Zoti Perëndi thërret, por nuk bërtet. Zoti Perëndi fton, por nuk detyron. Zoti Perëndi na ofron, por nuk na heq mundësinë e zgjedhjes së lirë. Thirrja kërkon përgjigjen tonë personale. Thirrja dhe përgjigja janë rregullat, dinamika në të cilën lindën Shkrimet e Shenjta, dinamika në të cilën mbaroi Besëlidhja e Vjetër e nisi e Reja.

Thirrja e Zotit dhe përgjigjja e njeriut

Zoti thërret dhe njeriu, me vetëdije e vullnetarisht, duke e dashur e duke besuar tek Ai, i përgjigjet dhe e ndjek – na kujton Letra e shkruar në kushte kaq tronditëse - Prandaj, ndonjëherë rrethanat e jetës sonë mund të jenë pengesë për ta dëgjuar dhe për ta kuptuar thirrjen tonë hyjnore. Shumë shpesh jetojmë mes zhurmës dhe rrëmujës. Ka shumë mundësi të tjera për ta jetuar jetën tonë, shumë rrugë, për të zgjedhur rrugën tonë.  Zëri i butë i Zotit mund të mbytet nga britmat, të qeshurat, zhurma e pakujdesisë njerëzore - apo edhe nga epshi njerëzor. Ndonjëherë pasionet tona personale, shqetësimi për fitimin, përpjekja për të gjetur me çdo kusht zgjidhjen më të lehtë në këtë jetë, për t'u qetësuar, mund të na mbytin, të na errësojnë mendje e zemër.

Gjithçka duhet shikuar me sytë e besimit

Për të dëgjuar thirrjen e Zotit – vijon letra kushtuar njerëzve, që mund të vdesin  nga çasti në çast - dhe për t'iu përgjigjur asaj, ne duhet ta dëgjojmë fjalën e Perëndisë duke e përqendruar vëmendjen në detajet e jetës së përditshme, duke u mësuar t’i lexojmë ngjarjet me sytë e fesë, gati për t’iu përgjigjur të papriturave të Shpitit Shenjt. Me sytë e fesë duhen lexuar edhe rrethanat dramatike të luftës. Vetëm kështu mund ta lexojmë, ta kuptojmë, ta dëgjojmë thirrjen e Zotit që na drejtohet  sot, në këtë ditë!

Përmasa profetike e thirrjes së krishterë

Thirrja e krishterë ka gjithmonë një përmasë profetike - vijon letra - siç na tregon Shkrimi Shenjt. Duhet të kemi guximin t'i përgjigjemi  thirrjes së Zotit, sepse kur Zoti na thërret, në fillim na duket se po na thërret drejt së pamundurës, që i tejkalon aftësitë tona njerëzore. Zoti gjithmonë thërret për gjëra të mëdha, dhe për këtë arsye besojmë se kjo thirrje ka gjithnjë përmasë profetike dhe nganjëherë na detyron të shkojmë kundër rrymës, të shohim gjëra, që të tjerët nuk i shohin, të vendosim të bëjmë diçka, nga e cila të gjithë të tjerët ikin me vrap!

Ta pranojmë me zemër të hapur thirrjen e Zotit

Ashtu si era që largon pluhurin  - vijon meditimi i njerëzve, të cilët nuk e dinë ç’fat i pret – kështu profeti e dëbon paqen e rreme nga ndërgjegjja, ajo ndërgjegje që e ka harruar fjalën e Zotit, urdhërimet e Tij. Nuk duhet të presim të jemi të përsosur për t'iu përgjigjur thirrjes, as nuk duhet të kemi frikë nga kufizimet dhe mëkatet tona, por me zemër të hapur ta pranojmë thirrjen e Zotit, ta dëgjojmë, ta dimë cili është misioni ynë personal në Kishë dhe në botë dhe më në fund,  ta jetojmë të tashmen tonë, sot kaq të tmerrshme dhe të pasigurt, të dhimbshme dhe, ndoshta, jo plotësisht të kuptueshme.

Prandaj, ne nuk duhet të kemi frikë t'i përgjigjemi Zotit që na thërret, sepse ne mund të bëjmë gjëra të mëdha vetëm me fuqinë e Tij të madhe, me hirin, me mëshirën e Tij.

Zot, ndihmona të mos e humbasim besimin në këtë kohë të tmerrshme

“Zot, na ndihmo t'i mbijetojmë këto kohë të tmerrshme duke besuar në Ty.

O Zot, premto ta dëgjojmë zërin Tënd, që na thërret në gjëra të mëdha, në jetë dhe në shërbim.

O Zot, ti na thërret të jemi dëshmitarë të së vërtetës Tënde, të dashurisë Tënde në këtë botë. Ndihmona të mos kemi frikë nga e vërteta Jote, jepnae forcën dhe mençurinë për t’iu përgjigjur si dëshiron thirrjes Sate. Atëherë do të gëzojmë lirinë e vërtetë, sepse vetëm fjala Jote, e vërteta Jote është çliruese”.

Bekona me paqen qiellore

Këto, fjalët e fundit të Letrës, që Kisha greko-katolike ukrainase u drejton njerëzve, të cilët e mbrojnë atmen e tyre, duke i bërë Zotit thirrjen: “Bekoje Ukrainën tonë me paqen tënde të drejtë qiellore!”.

Por edhe të gjithë njerëzve, të cilët kanë nevojë për ndihmën e Zotit, që në asnjë rrethanë, lufte a paqeje, të mos kenë frikë nga e vërteta e Tij! E ta përsërisin me optimizëm thirrjen: “Bekona me paqen tënde të drejtë qiellore!”.

11 shkurt 2023, 13:01