Lutja për Turqinë dhe Sirinë hap Sinodin e Kishave të Lindjes së Mesme
R.SH. - Vatikan
“Në Lindje do të jemi të krishterë vetëm duke qenë bashkë, përndryshe nuk do të jemi më këtu”. Pikërisht me këtë thirrje profetike për një “veprim të përbashkët” të tipit sinodal, të nisur për herë të parë në vitin 1992 nga Kishat Lindore, at Khalil Alwan, moderator i Asamblesë, hapi fazën rajonale të sinodit të Kishave Lindore mbi sinodalitetin, që u mbajt nga data 13 deri më 18 shkurt.
Takimi u bazua në teologjinë e "sensus fidei", këtij instinkti shpirtëror që u mundëson besimtarëve të njohin - në mesin e mendimeve e të zërave të ndryshëm - zërin e Bariut të Mirë, Jezusit, dhe të shprehen mbi temën e përgjithshme "Për një Kishë sinodale: bashkimi, pjesëmarrja dhe misioni”. Punimet e këtij sesioni u zhvilluan në qendrën e kongresit Betania, pranë Shenjtërores së Zojës së Libanit, në Harissa. Në këtë ngjarje morën pjesë shtatë Kisha katolike lindore: kopte, siriane, maronite, melkite, kaldease, armene dhe latine, të cilat në vetvete përfaqësojnë dhe formojnë një "kontinent". Anëtarët e kësaj asambleje kishtare patën rastin e volitshëm për të dëgjuar "çfarë u thotë atyre shpirti për Kishat" vendore. Ky takim përbëhej nga 120 persona: patriarkë, kardinaj, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë që përfaqësonin - përveç komuniteteve të tyre - edhe Tokën e Shenjtë, Jordaninë, Libanin, Sirinë, Egjiptin, Irakun, Armenia dhe vendet e Gjirit. Dhe një e treta e këtyre përfaqësuesve kanë qenë laikë.
Kryesuar nga patriarku maronit, kardinali Beshara Raï, seanca e punimeve filloi me një lutje drejtuar Zotit për dhjetëra mijëra të vdekurve dhe të zhvendosurve nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurtin e kaluar. Konsultimet për komunikimin dhe procesin e vendimmarrjes brenda Kishës u zhvilluan në prani të kardinajve Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i asamblesë së Sinodit dhe Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i saj, të cilët folën gjatë punimeve të ditës së parë.
Në hapjen e seancës, kardinali Grech i inkuadroi punimet e asamblesë së Kishave të Lindjes së Mesme duke kujtuar se temat e mirëpërcaktuara dhe se si "përkimi me të do tregonte respektin për Kishën dhe për ata që i janë përkushtuar thellimit të këtyre argumenteve". Sinodaliteti i Kishës, tha kardinali Grech, është një gur themeli i veprimit të Papës Françesku, dhe ai e di se gjatë punimeve mund të dalin çështje të ndryshme nga asambletë e ndryshme kombëtare dhe kontinentale të Kishave dhe se disa nga këto çështje mund të jenë "një element i ndarjeje”.
Pas asambleve kishtare kontinentale të sinodalitetit, mbajtur në vise të ndryshme të botës, siç dihet, frytet e bisedimeve dhe çeshtjet e disktuara, do të trajtohen nga asambleja përfundimtare e Sindoit e cila do të hapet në tetor 2023 në Romë.
Ndër temat që mund të jenë në qendër të diskutimeve të ardhshme, sidomos në Lindje të Mesme, mund të jenë: krijimi i një Kishe që di të jetë afërsi; solidariteti përballë persekutimit dhe intolerancës fetare; pastrimi i kujtesës së luftës; thjeshtimi i marrëdhënieve ndërmjet besimtarëve dhe klerit; bashkëpunimi ndërmjet Kishave të pranishme në të njëjtin territor; bashkëpunimi dhe përforcimi i punës ekipore brenda Kishave; transparenca e dëshmisë së jetës; lufta kundër indiferencës, rivaliteteve dhe xhelozive etj.
Kardinali Grech - në mesazhin e tij në hapje të punimeve - kujtoi gjithashtu se Kishat ortodokse kanë ruajtur "forma të lashta sinodale, edhe pa integruar primatin e Romës" dhe se "disa Kisha dhe komunitete të reformuara kanë zhvilluar gjithashtu" forma "sinodaliteti në mesin e popullit të Zotit, në dëm të funksionit përkatës të barinjve”. Kardinali Grech shtoi se Kisha universale "në respekt dhe përkim me traditën" mund të frymëzohet prej saj për të zhvilluar modele të reja të sinodalitetit, kolegjialitetit dhe të parisë a primatit në Kishë, "duke qëndruar besnike ndaj funksioneve që i përkasin popullit të Zotit, kolegjit të ipeshkvijve dhe ipeshkvit të Romës”. “Jemi të gjithë studentë” komentoi kardinali Grech, i pyetur mbi këtë argument nga agjencia e lajmeve AsiaNews. “Është një gabim i madh – shtoi ai – të pretendosh se di gjithçka”.
Pas seancës inauguruese, konsultimet sinodale u zhvillua me dyer të mbyllura. Anëtarët e kuvendit punuan në 11 grupe ndërkombëtare e ndër-kishtare dhe u më pas u mbajt faza e shkëmbimit e të diskutimit ndërpersonal duke ndjekur “pyetjet e argumentet” e punimeve, sipas një dinamike “injaciane” (Shën Injacit të Lojolës). Një proces që u karakterizua nga dëgjimi, dialogu dhe shqyrtimi a shoshitja e ndërsjellët, i cili u dha që prioritet çështjeve baritore që u shfaqen në mënyrë kapilare, nga baza deri në majë. Me shpresën, shprehur nga e gjithë hierarkia, që të mos mbesin fjalë dhe vetëm e vetëm “fjalë të bukura”, të cilat nuk pasohen më pas me efekte konkrete.