Krezhmët na ftojnë t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit
R. SH. / Vatikan
Kisha gjatë kohës liturgjike të Krezhmëve, që paraprin e na përgatit për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit, na fton të rizbulojmë vlerën dhe arsyet e agjërimit të krishterë, praktikën e lashtë pendestare. Agjërimi i vërtetë ka për qëllim të na nxisë të mos jetojmë më vetëm për vetveten, por t’ia hapim zemrën Zotit dhe të afërmit:
Nuk është fjala për një praktikë moralistike, për zbatimin e përpiktë të disa normave të një ligji fetar a kishtar, me zemrën larg Zotit, siç bënin farisenjtë. E aq më pak për një masë, që ka për qëllim t’i shërbejë shëndetit të korpit. Agjërimi, na kujton Kisha, sigurisht i ndihmon mirëqenies fizike, por për besimtarët është sidomos terapi shpirtërore që shërben për të mjekuar gjithçka i pengon të bëjnë vullnetin e Zotit. Në të vërtetë, ashtu si i thotë Jezusi shejtanit në përfundim të 40 ditëve të kaluara në shkretëtirë “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit”(Mt 4,4).
Prandaj mund të themi se agjërimi i mirëfilltë ka për qëllim ta nxisë njeriun të hajë ‘ushqimin e vërtetë’, që do të thotë të bëjë vullnetin e Atit Hyjnor. Agjërimi i trupit shndërrohet në uri e etje për Zotin. Është një formë asketike, që na ndihmon për t’u larguar nga mëkati e për t’u afruar tek Zoti, siç porosiste Shën Agostini, që i njihte mirëfilli prirjet e veta negative, të cilat i quante lëmsh i ngatërruar e i kapërthyer. Kjo praktikë asketike bëhet armë shpirtërore për të luftuar kundër çdo lëshimi që mund t’i bëjmë vetvetes. Heqja dorë vullnetarisht nga kënaqësia e të ngrënit dhe nga të mirat e tjera materiale – nënvizon Kisha - e ndihmon dishepullin e Krishtit t’i kontrollojë lakmitë e natyrës së ligështuar nga mëkati i rrjedhshëm, pasojat negative të të cilit ndikojnë mbi gjithë personalitetin e njeriut.
Prej këndej ftesa për thjeshtësi, ashtu si na nxit një himn i lashtë i liturgjisë krezhmore: “T’i përdorim me masë fjalët, ushqimet, pijet, gjumin e lojrat, të tregohemi më të kujdeshëm, për t’u ruajtur nga mëkati”. Është fjala për një formë të heqjes dorë nga egoizmi që, e ushqyer nga lutja dhe e ndjekur nga lëmosha, e ndihmon njeriun t’ia hapë zemrën Zotit e të afërmit. Duhet të kujtojmë se agjërimi nuk është qëllim në vetvete: agjërim do të thotë të heqësh dorë vullnetarisht nga diçka, për të ndihmuar të tjerët. Vetëm kështu dëshmojmë konkretisht se i afërmi ynë nuk është i huaj për ne. Prej këndej gjatë Krezhmëve jemi të thirrur ta mbajnë gjithnjë gjallë vëmendjen ndaj Zotit dhe të afërmit tonë.