Kërko

Kardinali Erdő: është nder i madh të kemi Papën në mesin e popullit tonë në Hungari

Kryeipeshkvi i Esztergom-Budapest kardinali Erdő komenton vizitën apostolike të Papës Françeskut më 28-30 prill në Hungari, vend i cili që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, ka mirëpritur mijëra refugjatë

R. SH. - Qyteti i Vatikanit

Papa Françesku do të jetë në Budapest nga data 28 deri më 30 prill. Është publikuar programi zyrtar i udhëtimit apostolik, në të cilin Papa do të takohet me të varfërit dhe refugjatët, të rinjtë dhe studentët e universitetit.

“Një gëzim i madh për kombin”. Kështu, kardinali Peter Erdő, kryeipeshkvi i Esztergom-Budapestit, primat i Hungarisë, e komenton njoftimin - botuar dje nga Zyra e Shtypit e Vatikanit - për udhëtimin apostolik që Papa Françesku do të bëjë në Hungari nga data 28 deri më 30 prill të ardhshëm, një udhëtim i pritur dhe i premtuar që kur Papa Françesku pati kaluar në Budapest për Kongresin Ndërkombëtar Eukaristik më 2021.

Në një intervistë për Vatican News, kardinali Erdő bëhet zëdhënës i pritshmërisë së popullit hungarez, më shumë se gjysma e të cilit janë të krishterë, të paktën 37% janë katolikë. Hungarezët së bashku me shtegtarët e vendeve tjera, më 12 shtator 2021, e patën takuar Papën Bergoglio me rastin e Meshës së mbylljes në Kongresit të 52.të Eukaristik Ndërkombëtar. "Tani – thotë kardinali Erdő – do të jetë një vizitë e Papës vetëm për popullin tonë". Vizita do të ketë në sfond luftën në Ukrainë: e Hungaria që nga 24 shkurti i vitit të kaluar ka pritur më shumë se një milion refugjatë që ikën nga konflikti.

Hirësia juaj, si e komentoni udhëtimin apostolik të Papës Françeskut në Hungari dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë rrugëtim?

Me gëzim të madh morëm lajmin për vizitën e Atit të Shenjtë në Hungari. Ne e kemi ftuar si Kishë hungareze, si Kishë e Budapestit dhe kemi dashur ta presim për një vizitë baritore. Herën e fundit, kur Papa e vizitoi qytetin tonë për të marrë pjesë në Meshën përmbyllëse të Kongresit Eukaristik Botëror (në shtator të vitit 2021), ishte një vizitë e rrufeshme. Ndërsa kjo është një vizitë baritore, një takim me komunitetin e besimtarëve, që pritej me dëshirë të madhe prej shumë vitesh. Pra është një gëzim i jashtëzakonshëm.

Siç e përmendët, nuk është hera e parë që Ati i Shenjtë Bergoglio vjen në Hungari. Pse tani është i rëndësishëm kthimi i tij në vend?

Pikërisht për vetë faktin e një takimi me besimtarët hungarezë. Veprimtaria e vitit 2021 ishte një ngjarje ndërkombëtare: shtegtarët, ipeshkvijtë, priftërinjtë, besimtarët që ishin të pranishëm vinin nga 83 vende të ndryshme. Por këtë herë Papa Françesku u drejtohet hungarezëve, popullit tonë, vendit tonë, Kishës sonë lokale. Dhe kjo na nderon shumë dhe na jep gëzim të madh.

Në sfondin e këtij udhëtimi, është lufta në Ukrainë. Hungaria ka ndihmuar shumë refugjatë ukrainas gjatë kësaj periudhe pushtimi. Si shikohet kjo temë në udhëtim?

Lajmi për luftën që shpërtheu një vit më parë dhe që ka vazhduar gjatë gjithë këtij viti për ne do të thotë trishtim, një trishtim i madh. Trishtim për vetë faktin e luftës, sepse ne kemi një vit që lutemi çdo ditë për paqe, madje edhe në komunitete të ndryshme. Kremtojmë rregullisht edhe procesione për paqe dhe ja kemi kushtuar Ukrainën e Rusinë Zojës së Bekuar, siç na pati ftuar Ati i Shenjtë Françesku. Ne e bëmë këtë akt në Bazilikën e Shën Shtjefnit para relikes së tij, në Budapest, sepse Shën Shtjefni një mijë vjet më parë ishte i pari që, sipas historisë, ia ofroi tërë vendin e popullin Zojës së Bekuar. Dhe kështu ndjejmë një afërsi shpirtërore mes dy popujve. Dhe çfarë të bëjmë? Para së gjithash duhet të përballemi me sfidën e madhe të refugjatëve. Ne jemi një vend me më pak se dhjetë milionë banorë dhe në vitin e fundit më shumë se një milion e gjysmë refugjatë kanë ardhur nga Ukraina. Sigurisht që jo të gjithë donin të qëndronin në Hungari, por 10-15% e refugjatëve mbetën në Hungari. Pra sfida e parë ishte ndihma humanitare. Ne pritëm e strehuam refugjatët si në kufi ashtu edhe në Budapest, përmes Caritas-it kombëtar, Caritas-it dioqezan dhe grupeve bamirëse të famullive individuale. Pastaj ishin Kalorësit e Maltës që bënë aq shumë për ata që mbërritën nga Ukraina. Më pas na u desh të organizonim ndihmën spontane të besimtarëve, mikpritjen edhe në disa famulli e institucione kishtare, por edhe te individët privatë. Kemi parë gjithashtu se ka shumë gra dhe fëmijë që kanë nevojë për shkollë dhe mësimdhënie. Këtë mundëm ta organizonim edhe në shkollat ​​katolike. Kishte mësues që dinin gjuhën ruse, të tjerë mes refugjatëve që flisnin ukrainisht. Dhe kështu u përpoqëm ta organizonim mësimin sipas moshës së grupeve të fëmijëve. Kishte edhe refugjatë të gjuhës hungareze nga zona e Ukrainës në kufi me Hungarinë, për ta integrimi ishte më i lehtë. Por ne përpiqemi gjithashtu t’i integrojmë të tjerët duke u ofruar një punë, një apartament që mund ta përdorin për një periudhë më të gjatë... Kështu që mendoj se është një sfidë që vazhdon të jetë shumë e madhe, por që na ndihmon të ndërgjegjësohemi për thirrjen e misionin tonë të krishterë.

Duke parë programin e publikuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, shohim një takim të Papës me fëmijët. Mund të na thoni diçka më shumë?

Për disa dekada ka ekzistuar një institucion kishtar në Budapest që mirëpret fëmijët e verbër dhe me aftësi të kufizuara. Pra, ata kanë nevojë për shumë dashuri dhe ndihmë të madhe nga i gjithë komuniteti katolik. Ky institut do të vizitohet në prill nga Papa i cili gjithmonë tregon solidaritet, kujdes dhe përzemërsi ndaj këtyre fëmijëve.

28 shkurt 2023, 11:54