Kërko

Nikaragua- Kisha Nikaragua- Kisha 

Nikaragua, ipeshkvi Álvarez dënohet me 26 vjet burgim

Ipeshkvi i Matagalpa-s u dënua nga një gjykatë Nikaraguane, pasi nuk pranoi të largohej nga vendi së bashku me meshtarët dhe kundërshtarët e tjerë politikë.

R. SH. - Vatikan

Nuk pranoi të largohej nga Nikaragua, për t’u mërguar në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, një gjykatë nikaraguane e dioqezës së Estelí-t, e dënoi Imzot Rolando José Álvarez Lagos, me 26 vjet burgim, një ditë pasi nuk pranoi të nisej me aeroplan, së bashku me 222 të tjerë: priftërinj, seminaristë, kundërshtarë politikë apo kritikë të thjeshtë të regjimit. Vendimi, lexuar nga një gjyqtar i Gjykatës së Apelit, i vuri imzot Álvarez-it, 56 vjeç, vulën "tradhtar i vendit" dhe e dënoi me burgim deri në vitin 2049.

Gjykim para procesit  

Ipeshkvi i Matagalpa-s akuzohet si "komplotist për minimin e integritetit kombëtar dhe përhapjen e lajmeve të rreme, përmes teknologjive të informacionit dhe të komunikimit në dëm të shtetit dhe të shoqërisë Nikaraguane". Gjyqi duhej të fillonte më 15 shkurt, por dënimi erdhi më shpejt. Përveç ipeshkvit, në burgjet e Nikaraguas mbahen ende dy priftërinj, Manuel García dhe José Urbina, të klerit të dioqezës së Granadës.

Meshtarët dëbohen si "tradhtarë të vendit"

Pesë priftërinj të tjerë, një diakon dhe dy seminaristë të akuzuar për "komplot" dhe të dënuar me dhjetë vjet burgim, kanë mbërritur tashmë në Shtetet e Bashkuara, ku duhet të marrin leje qëndrimi për një periudhë fillestare prej dy vjetësh. Tetë personat bëjnë pjesë në grupin, për të cilin Gjykata e Apelit e Managua-s dha urdhërin "përjashtim i menjëhershëm dhe efektiv për kryerjen e akteve që cenojnë pavarësinë, sovranitetin dhe vetëvendosjen e popullit, për nxitje të dhunës, terrorizmit dhe destabilizimit ekonomik". Të dëbuarit u shpallën "tradhtarë të atdheut", "iu pezulluan përjetësisht të drejtat qytetare dhe iu hoq shtetësia Nikaraguane”.

Akuzat e Ortega-s

Presidenti Daniel Ortega foli për dënimin e Imzot Álvarez në televizionin kombëtar, duke e quajtur qëndrimin e ipeshkvit "absurd" dhe duke deklaruar se ai është në pranga për "terrorizëm". Policia e pati arrestuar Imzot Alvarezin gushtin e kaluar, ndërsa gjykatat, më pas, e akuzuan për komplot" dhe përhapje "lajmesh të rreme".

Hollerich: "Lirojeni ipeshkvin dhe të burgosurit e tjerë"

Kardinali Jean-Claude Hollerich denoncoi falsitetin e akuzave në një letër të datës 6 shkurt, drejtuar Imzot Carlos Enrique Herrera Gutiérrez, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Nikaraguas. Në letër, kardinali, si kryetar i COMECE, Komisioni i Konferencave të Ipeshkvijve të Bashkësisë Evropiane, mbajti qëndrim për situatën në Nikaragua, duke i shprehur solidaritetin e ipeshkvijve të BE-së,  Kishës Katolike të vendit të Amerikës Qendrore", e cila po përballon një vuajtje të thellë,  pasojë e persekutimit të shtetit”. Hollerich denoncon keqësimin e situatës me ngjarjet e fundit si "mbyllja e radiostacioneve katolike, pengimi i hyrjes në kisha nga policia dhe akte të tjera të rënda, që cënojnë lirinë fetare dhe rendin shoqëror".

Nga arresti shtëpiak, në burg

Imzot Álvarez është ipeshkvi i parë që arrestohet dhe dënohet që kur Presidenti Daniel Ortega u kthye në pushtet në Nikaragua, në vitin 2007. Oficerët e policisë i vunë prangat në Argjipeshkvinë e Matagalpa-s në agimin e 19 gushtit, së bashku me priftërinj, seminaristë dhe laikë, pasi u mbajt i burgosur me forcë për 15 ditë në Kurie me akuzën se kishte tentuar të "organizonte grupe të dhunshme" me "qëllim që të destabilizonte shtetin e Nikaraguas dhe të sulmonte autoritetet kushtetuese". Ipeshkvi trim u transferua në banesën e tij private, në Managua, nën arrest shtëpiak, për t’u transferuar, më pas, në një burg të sigurisë së lartë.

Kujtesë: nga plumbi, në altar!

Këto ngjarje, tejet të hidhura, shumëkujt mund t’i duken si përralla të frikshme, ndërsa atyre që i pësuan, u kujtojnë një të kaluar jo të largët. Atë kohë kur klerikët e pafajshëm nuk patën “fatin të dëboheshin në SHBA’, por u grinë me mitrolozë si armiq të atdheut - për t’u lartuar, më pas, në nderimet e Altarit, si Martirë të Lum!

11 shkurt 2023, 11:42