Kardinali Grech, drejtuar Kishave të Amerikës së Veriut: “Mos kini frikë të flisni”
R.SH. / Vatikan
“Fjalë të sinqerta dhe përvujtëri në dëgjim”: këtë kërkon kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, në videomesazhin dërguar Asamblesë Kontinentale të Kishave të Amerikës së Veriut, mbledhur në Orlando, Florida, që sot e deri më 17 shkurt, në fazën e dytë të përgatitjes për Sinodin mbi Sinodalitetin. Sinod, i cili do të mbahet në dy sesione me një distancë prej një viti: i pari, nga 4 deri më 29 tetor 2023; i dyti, në tetor 2024, në prani të të gjithë ipeshkvijve.
Dokumenti përfundimtar
Kishat e Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë ftohen të hartojnë një dokument, ashtu si çdo asamble kontinentale, mbi bazën e asaj që u diskutua nga dioqezat gjatë mijëra seancave dëgjimore dhe takimeve jozyrtare, që i ofruan vitin e shkuar katolikëve dhe jo-katolikëve mundësinë për të dalluar rolin e Kishës në botë. Dokumenti përfundimtar duhet hartuar deri më 31 mars 2023. Dokumentet e 7 asambleve kontinentale – të Azisë, Afrikës, Amerikës Latine, Amerikës së Veriut, Oqeanisë, Evropës dhe Lindjes së Mesme - do të përdoren, më pas, si bazë për hartimin e Instrumentum laboris , që duhet kryer deri në qershor.
Asambleja Kontinentale, çast rritjeje
Duke i falënderuar për punën e bërë deri tani, kardinali u kërkoi ipeshkvijve "të punojnë në mënyrë që asambletë kontinentale të jenë një çast i mëtejshëm rritjeje"; të kultivojnë "një qëndrim thjesht sinodal, që është ai i dialogut", i parë si "e vetmja rrugë përgjatë së cilës ne mund të rritemi si Kishë"; dhe "të flasin me guxim e sinqeritet, domethënë duke shkrirë në një të vërtetën dhe bamirësinë, me lirinë e plotë shpirtërore”.
"Mos kini frikë të flisni"
Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, pra, ftoi për të folur sinqerisht, gjë që shoqërohet gjithmonë me përvujtërinë e të dëgjuarit. Kjo - pohoi - “ka rëndësi gjatë gjithë Sinodit; por edhe gjatë Asambleve Kontinentale. Mos kini frikë të flisni! E as të dëgjoni, por gjithnjë duke u përpjekur t’i mirëpritni e t’i kuptoni të tjerët. E mos kini frikë as të ndryshoni mendimin, mbi bazën e asaj, që dëgjoni."
Zoti vepron në historinë e botës
Së fundi, duke nënvizuar se është Shpirti Shenjt protagonisti i vërtetë i shtegtimit sinodal dhe se Ai do të tregojë rrugën që duhet ndjekur, Kardinali Grech i ftoi Kishat në "ushtrimin kishtar të dallimit, që bazohet mbi bindjen se Zoti është në veprim në historinë e botës dhe konkretisht në ngjarjet dhe situatat që jeton populli i Zotit në çdo kontinent”. Prandaj – përfundoi - "sa më shumë që aftësia dalluese e çdo Asambleje do të mund të kuptojë çka u sugjeron Shpirti Shenjt Kishave të çdo kontinenti, aq më nxitëse do të jetë Asambleja Sinodale e tetorit të ardhshëm".