Kërko

 Volto di Gesù Cristo come è apparso a Suor Faustina Volto di Gesù Cristo come è apparso a Suor Faustina

Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Leximet biblike të kësaj së diele na orientojnë drejt dashurisë ndaj të afërmit, sepse Hyji është Ati i të gjithëve. Prandaj kërkon prej nesh marrëdhënie dhe dashuri vëllazërore të anasjelltë

R.SH: - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, të dielës së 7-të gjatë vitit liturgjik, sipas kalendarit kishtar, ciklit të parë. Leximet biblike të kësaj së diele, na orientojnë drejt dashurisë ndaj të afërmit, sepse Hyji është Ati i të gjithë njerëyve. Prandaj kërkon prej nesh marrëdhënie dhe madje edhe një dashuri vëllazërore të anasjelltë.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të të gjatë vitit kishtar ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të të gjatë vitit kishtar ‘A’

Tema që na propozon liturgjia e Fjalës së kësaj së diele është urdhri i dashurisë ndaj të afërmit, e madje urdhri paradoksal për t’i dashur edhe armiqtë tanë, që përfaqëson atë veçori që e karakterizon ‘drejtësinë’ e të krishterit dhe shprehet thelbësisht në aftësinë për të falur. Cila është, me pak fjalë, “drejtësia më e madhe a më e lartë” (khr Mt 5,20) që Jezusi u kërkon dishepujve të tij? Është dashuria për të afërmin (khr Mt 19,19; 22,37), e dashuria deri edhe për armikun.

Dashuria për armiqtë është e reja revolucionare që sjell Jezu Krishti në Ungjilli. Si të krishterët vetëm duke i luftuar kundër të këqijave të shoqërisë me armët e mirësisë e të drejtësisë, mund t’ia dalin mbanesh t’ia ndryshojnë faqen botës pa zhurmë, pa strategji të posaçme politike e ekonomike, por vetëm me besimin e patundur në mëshirën e pushtetshme të Zotit Dashuri.

Ta duash armikun! T’ia kthesh edhe faqen tjetër, pasi të ka rënë shuplakë në njërën faqe! Kjo është e reja që sjell revolucioni Jezu Krishti. Një e re që shumëkujt mund t’i duket tepër e çuditshme, në mos po e papranueshme. Kjo e re shpesh interpretohet si shprehje e butësisë, e një pacifizmi të ligshtë. Po ky shpjegim nuk ka të bëjë fare me kuptimin e vërtetë të së resë ungjillore, e cila nuk e fton njeriun të dorëzohet para së keqes, por t’i përgjigjet së keqes me të mirën.

Pjesa e Ungjillit të kësa së diele nga Mateu ( Mt5, 38-48), na kujton pikërisht tek njërin nga pohimet më themelore të Jezusit: “duajini armiqtë tuaj! Po pse Jezusi i kërkon njeriut një dashuri, që i tejkalon caqet e fuqive të tij? Në të vërtetë, propozimi i Jezusit është realist, duke pasur parasysh se në botë ka shumë dhunë, shumë padrejtësi e se kjo situatë nuk mund të kapërcehet, në se nuk i kundërvemë pak më tepër dashuri, pak më shumë mirësi. Kjo ‘pak më tepër’ vjen nga Hyji: është mëshira e Tij, që u mishërua në Jezusin, e vetmja forcë që mund ta kthejë botën e së keqes në rrugën e së mirës, duke nisur nga bota e vogël e vendimtare, që është zemra e njeriut.

Me të drejtë kjo faqe ungjillore konsiderohet ‘magna charta’ e mospranimit kristian të dhunës. Në të duket e reja e Ungjillit, që e ndryshon botën pa bërë zhurmë. Ja se që këtu buron heroizimi i të vegjëlve që besojnë në dashurinë e Zotit dhe e përhapin atë edhe me çmimin e jetës së tyre, duke copëtuar kështu zinxhirët e padrejtësisë. Kuptohet, atëherë, se për të krishterët mospranimi i dhunës nuk është sjellje taktike, por mënyrë e të qenit të njeriut që është i bindur për dashurinë e Zotit e për pushtetin e tij, që nuk ka frikë ta përballojë të keqen i armatosur vetëm me armët e dashurisë e të vërtetësisë. Dashuria për armikun është bërthama e ‘revolucionit të krishterë’, revolucion që nuk bazohet mbi strategjitë e pushtetit ekonomik, politik ose mediatik. Revolucioni i dashurisë, i një dashurie që nuk mbështetet plotësisht mbi forcat njerëzore, por është dhuratë e Hyjit, fitohet vetëm duke ia besuar vetveten pa asnjë kusht mirësisë së tij të mëshirshme.

                                                          Liturgjia e Fjales

Leximi i parë Lev 19, 1-2. 17-18

Lexim prej Librit të Levetikut

Zoti foli me Moisiun e tha:

 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:

Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti. Fjala e Zotit

 

Psalmi 103

Ref:  Zoti është i mirë dhe i madhe në dashuri

—————————————————-

Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

————————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

————————————————

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

————————————————

Sa është lindja larg perëndimit

aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

————————————————

Leximi i dytë 1 Kor 3, 16-23

Lexim prej Letrës së parë së Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjtë thotë:

‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

dhe përsëri:

‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,  e di se janë të kota.’

Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit! Fjala e Zotit

 

Aleluja!Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë, Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Aleluja!

 

Ungjilli Mt 5, 38 – 48

Lexim prej Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’.  Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton.  E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy;  atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.  E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.   Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit?  E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!” Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA VII GJATË VITIT: DUANI ARMIQTË TUAJ, LUTUNI PËR ATA QË JU SALVOJNË!

(Lev 19, 1-2.17-18; Ps 103 (102); 1 Kor 3, 16-23; Mt 5, 38-48)

Para se të pushkatohej nga komunistët atë mëngjes me shi të datës 11 mars 1948 pranë varrezës së Rrmajit në Shkodër, këto ishin fjalët e fundit që tha Atë Mati Prendushi, aso kohe Ministër Provincial i Etërve Françeskanë: «Jam i pafajshëm. Po vdes në krye të detyrës sime. Rrnoftë Krishti Mbret, rrnoftë Papa, rrnofshin katolikët, rrnoftë Shqipnia. Ua baj hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafafshëm.» E, për ta plotësuar përngjasimin e tij me Krishtin, edhe në sallën e gjyqit, menjëherë pasi ishte shqiptuar vendimi me vdekje për të, për Imzot Frano Gjinin, për Atë Çiprian Nikën, Dom Nikollë Dedën e dymbëdhjetë qytetarë të tjerë, frati i dashur kishte bërë edhe një gjest shumë prekës. Në atë gjyq kishte dëshmuar rrejshëm kundër tyre edhe Dom Ndoc Sahatçija, duke mbështetur akuzën e shpikur se gjoja Atë Matia me shokë ishin të përfshirë në një organizatë që synonte rrëzimin e pushtetit komunist. Kjo dëshmi e rreme ua kishte mundësuar komunistëve argumentimin e dënimit me vdekje të hierarkëve të lartë katolikë dhe, këta të fundit, i kishte bërë ta përjetonin nga afër trishtimin e Krishtit kur qe tradhëtuar nga Juda apostull. Megjithatë, në ato çaste ekstreme, Atë Matia e ngriti zërin dhe bëri një kërkesë të papritur: «Zotni gjykatës, mbasi na nuk do të shihemi ma ndërmjet vedit në këtë jetë me këta vllazen e shokë, a na lejoni të përshëndetemi e t’ia marrim hallallin shoqishojt?» «Vetëm pesë minuta!», ia priti shkurt gjykatësi. E këtu Atë Matia bëri një gjest vërtetë të papritur. U soll nga Dom Ndoci e i tha: «Dom Ndoc, unë jam tue të fal me gjithë zemër për të gjitha shpifjet që ke ba kundra meje edhe të tjerëve. Edhe do t’i lutem Zotit që të ketë mëshirë për ty e të falë Zoti ashtu siç po të fali unë.» E pastaj iu afrua dhe e përqafoi atë të parin.

Fali armiqtë. Fali edhe tradhtarin dhe e siguroi se do t’i lutej Zotit për t’i fituar edhe faljen e Tij. Shën Françesku i Asizit prej qiellit duhet të ketë thënë edhe për këtë frat shkodran: «Tani kam edhe një frat tjetër të vërtetë.», siç kishte thënë këtu në tokë kur mori vesh se, në Marok, ishin martirizuar për fe pesë fretër të tij. Kur i shkoi në vesh ai lajm, Varfanjaku i Asizit kishte thënë: «Tani kam pesë fretër të vërtetë.»

Të gjithë shenjtërit i janë hapur urtisë së Jezusit që na ka mësuar e dëshmuar se kulmi i dashurisë është të duash e të falësh edhe armiqtë. «Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell.» ka mësuar Jezusi, ndërsa mbi kryq i është lutur Atit të vet: «Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!»

Dashuria për armikun është mësimi më origjinal i Jezusit. Shumë studiues janë përpjekur ta krahasojnë Ungjillin me shkrimet e tjera biblike e jo biblike të kohës dhe është parë se gjenden shumë përngjasime në mes tyre. Por është vënë re se urdhri i dashurisë për armiqtë nuk gjendet në asnjërin prej atyre shkrime. Vetëm Jezusi e ka thënë atë: i pari dhe i vetmi.

E, kjo është risia e krishterë: dashuria duhet të shtrihet aq fort, saqë ta përfshijë në përqafimin e saj edhe armikun. Dihet se armiku mbetet armik e jo mik. Ai nuk është as i ëmbël e as i lehtë për t’u dashur dhe nuk të bën kurrë të ndihesh mirë, sepse të ka lënduar e mbase vazhdon të të lëndojë. Armiku mbetet armik e Jezusi e dinte këtë. Por, gjithsesi, Ai urdhëron dashurinë dhe lutjen për të: «Lutuni për ata që ju salvojnë!» Sa lutemi ne për armiqtë tanë? Sa i kërkojmë Hyjit që t’i shndrisë edhe ata me Hirin e vet e t’i kthejë në udhën e duhur?

Kur në spital, në ndonjë çast kthjelltësie, Shenjtes Maria Goreti katëmbëdhjetëvjeçare, shpejtuan t’i japin Kungimin e Shenjtë, e pyetën më parë nëse dëshironte ta falte Aleksandrin, djaloshin që e kishte therrur për vdekje me një biz. Ajo fillimisht u turbullua kur ia dëgjoi emrin, por pastaj u përgjigj se e falte dhe se i lutej edhe Hyjit që ta falte atë. Nuk vonoi dhe vdiq.

Sa lutemi ne që Hyji t’ua falë armiqve tanë padrejtësinë që na kanë bërë? Tepër të papërgatitur na gjen në shpirt të gjithëve një pyetje e tillë dhe shpesh nuk dimë si t’i përgjigjemi.

Shumë utopike pastaj na duket edhe ajo shprehja tjetër e njohur e Jezusit: «Atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe tjetrën!» Na duket e parealizueshme, por Jezusi ka bërë pikërisht kështu kur ushtarët po e rrahnin dhe po e përqeshnin Atë. Ai, që gjithësinë e ka në dorën e vet, nuk ua ktheu me të keqe të keqen që po i bënin, por pranoi përvujtërimin. Utopike? Jo, por zemër e madhe. «Ja kjo Zemër që aq shumë i ka dashur njerëzit, por prej të cilëve ka marrë shumë shpesh vetëm fyerje», i tha Jezusi Shenjtes Margeritë Alakok kur, në shekullin XVII, iu shfaq me Zemrën e Tij në dorë. Duke pasur një jetë të bashkuar me Jezusin, do të dimë edhe ne të kemi një zemër të madhe. Kjo do të thotë se, kur ta vëmë re se e kemi të vështirë një dashuri të tillë në jetë, na duhet të shkojmë tek Jezusi për t’i kërkuar ndihmë, siç bën i sëmuri me mjekun.

Pastaj, ja sa thjesht Jezusi e shpjegon arsyen pse duhet t’i duam edhe armiqtë: «Po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi të veçantë meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit?» Kishte të drejtë fizikanti i njohur francez, Blejz Paskal, kur thoshte: «Jezu Krishti ka thënë gjëra të mëdha në një mënyrë kaq të thjeshtë, saqë duket se nuk i ka menduar fjalët që thoshte, por i ka thënë në mënyrë kaq të saktë, saqë është shumë e qartë se i ka menduar ato. Kjo thjeshtësi dhe qartësi njëherësh nga ana e Jezusit, janë për t’u admiruar.»

Me thjeshtësi e qartësi të admirueshme, pra, Jezusi u thotë të krishterëve se prej tyre pret që ata të jenë më të veçantë se paganët: «Çfarë shpërblimi të veçantë meritoni?» Nëse duam shpërblime të veçanta, duhet të jemi edhe ne të veçantë e jo si e gjithë bota. Por të veçantë ne mund të bëhemi jo falë forcave tona, por falë energjisë që na vjen prej Jezusit.

Shpeshherë, deri edhe për ndonjë hatërmbetje të thjeshtë, e kemi të vështirë ta hapim zemrën e ta largojmë urrejtjen dhe shpesh ndodhë që të devijojmë rrugë apo të reagojmë keq kur takojmë njerëz të cilët mendojmë se na kanë bërë padrejtësi. Deri edhe në këtë detaj Biri të Hyjit i është dashur të ndërhyjë për të na mësuar: «Nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?» Mbase nuk na vjen mirë ta mendojmë kështu, por kjo fjali e Jezusit na bën ta shohim më nga afër se sa herë kemi dëshmuar se jemi paganë në jetë, pa i lënë hapësirë Krishtit që të na ndryshojë përbrenda e të na e mbushë me praninë e Tij.

«Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?», u thoshte Shën Pali Korintianëve e na thotë edhe neve në leximin e dytë. Jemi të banuar nga prania e Hyjit për shkak të pagëzimit e të sakramenteve të tjera që kemi marrë, pse atëherë duhet të lejojmë që urrejta dhe krenaria të na largojnë nga Krishti e të na bëjnë të përvetësojmë mendësinë e botës? «Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë, për të qenë i urtë», na mëson përsëri Shën Pali.

 «Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!», thotë Jezusi në Ungjill. Në leximin e parë, Zoti u thotë izraelitëve: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!». E menjëherë vazhdon duke urdhëruar dashurinë e ndërsjelltë në mes të njerëzve: «Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd!... Mos u hakmerr!... Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!» E gjithë kjo nënkupton se, nëse duam t’i përngjajmë Hyjit në përkryeshmërinë dhe shenjtërinë e Tij, na duhet të duam njëri-tjetrin e të shmangim urrejtjen.

Pastaj, falë pastërtisë së Zemrës së Tij, Jezusi e dallon mirësinë e Atit të vet edhe tek dielli që lind çdo ditë dhe tek shiu që bie: «Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e bën të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.»

«Dielli»: Më 13 tetor të vitit 1917, në mrekullinë që vulosi pranimin nga Kisha për të shfaqurat e Zojës në Fatima të Portugalisë, tre barinjve të vegjël dhe rreth gjashtëdhjetëmijë njerëzve të pranishëm në atë luginë plot llucë, atë dielli u duk si të ishte një lodër në duart e Zotit. Të gjithë e panë me sytë e tyre se si dielli sillej vrullshëm rreth vetes e që pastaj sikur u vërsul mbi ta. Të tmerruar, kujtuan se erdhi fundi i botës, por nuk i gjeti gjë. Vunë re, përkundrazi, se rrobat e tyre të lagura nga shiu që po binte vrullshëm deri para pak çastesh, si dhe tërë ajo luginë e madhe plot llucë, ishin tharë plotësisht. Të nesërmen një gazetar, ateist deri në ato çaste, do të shkruante: «Gjëra mahnitëse: vallëzim i diellit në Fatima, fiks në mesditë.»

«Shiu»: Në jetën e Shën Dominikut, themeluesit të njohur të Urdhrit të Predikuesve (Dominikanëve), thuhet se, ndërsa një ditë po ecte nëpër pyll me bashkëvëllezërit e tij, kudo përreth binte shi, por aty ky ishte Shën Dominiku, nuk binte. E, si të mos mjaftonte kjo, Hyji bënte që, kudo që shkelte këmba e këtij meshtari me shpirt tejet të pastër, toka të thahej.

Provania e Hyjit ka bërë që, në disa raste, fjalët e Ungjillit të realizohen në çdo germë të tyren.

Hyji, pra, mund t’i drejtojë si do vetë si diellin, ashtu edhe shiun, por fakti që pothuajse gjithnjë lejon që ata të jenë në dobi si të të drejtëve, ashtu edhe të të padrejtëve, është shenjë tejet e fuqishme e mirësisë dhe e mëshirës së Tij të pakufi.

Dashuria për armikun dhe lutja për të është rasti më solemn në të cilin ne mund t’i përngjajmë Atit tonë qiellor. Është rasti më solemn në të cilin ne mund t’i përgjajmë Jezu Krishtit, i cili u lut për ata që po e kryqëzonin. Lutjen e Jezusit për falje të armiqve të Tij, Ati qiellor e ka gjithnjë parasysh. Kjo ne njerëzve na sjell shëlbimin. Por Ati qiellor do të ketë gjithashtu parasysh edhe të gjitha lutjet për falje të atyre që pësojnë padrejtësi, kur të vijë çasti i gjyqit të mbramë për përndjekësit e tyre. Kjo ishte edhe arsyeja pse Atë Matia e shumë martirë të tjerë, para çastit të martirizimit, i falnin tradhtarët dhe vrasësit e tyre, si edhe luteshin për ta, duke ndërmjetësuar kështu për shëlbimin e tyre të amshuar. Si Jezusi.

Dom Dritan Ndoci

 

Lutja me Ungjillin

Duaje ate qe te urren

Fale ke te fyen

Perqafoje ate qe me ty eshte i padrejte

Buzeqeshi atij qe te mundon.

 

O Zot, tepër po me kërkon!

E pamundur, s’e bej dot

Pastaj, eshte e drejte kjo, apo mundohem kot?

 

Ende s’e ke kuptuar, me thotë Zoti

Se nata nuk mposhtet me nate

Por me dritën e ditës,

Se nuk ndalet lufta me lufte,

Por me nje firme per paqen.

 

A mos qe e lehte valle per mua

T’i fal ata që me kryqëzuan?

E pra, unë i fala!

Tani e ke radhën ti

Bej edhe te kështu

Nese me gjithë shpirt do,

Me mua Alelujen e Pashkeve ti këndo.

 

Mendova se ishte e lehte, o Zot

Te vij pas Teje

Por tani e di se eshte veshtire tmerrësisht

Per mua qe jam i dobët e i thyeshëm.

 

Por jam i sigurt se nëse Ti je pranë mehe

E une jam pranë Teje,

E pamundura, e paarritshmja nuk ekziston me

Sepse Ti je Ai

Qe boten ke krijuar nga asgjëja,

Lulja lind ne shkretetire prek teje

Uje rrjedh edhe nga shkëmbi,

Jeta lulëzon edhe nga vdekja.

Amen!

18 shkurt 2023, 10:24