Kërko

Zoja e Lurdit dhe Dita XXXI Botërore e të Sëmurëvenë dioqezën e Sapës

Kisha dioqezane e Sapës, bashkuar me Papën Françeskun dhe me mbarë Kishën Katolike, kremtoi festën e Zojës së Lurdit dhe Ditën e XXXI Botërore të të Sëmurëve, me kremtimin e Meshës me pjesëmarrje të shumë besimtarëve, të ftuar të veçantë ishin të sëmurët nga të gjitha famullitë e dioqezës së Sapës.

R.SH. / Vatikan

Kisha dioqezane e Sapës, bashkuar me Papën Françeskun dhe me mbarë Kishën Katolike, kremtoi festën e Zojës së Lurdit dhe Ditën e XXXI Botërore të të Sëmurëve, me kremtimin e Meshës me pjesëmarrje të shumë besimtarëve, të ftuar të veçantë ishin të sëmurët nga të gjitha famullitë e dioqezës së Sapës. Nga Vau-Dejës njoftimi i Violeta Marashit:

Nga Vau-Dejës njoftimi i Violeta Marashit

FESTA E ZOJËS SË LURDIT NË SAPË

Ishte vajza e vogel Benardeta se cilës iu shfaq Zoja e bekuar m’u në shpellën e Lurdit nga ku mori edhe emrin Zoja e Lurdit. Që nga ajo ditë ky vend mori përmasa të jashtëzakonshme duke u adhuruar si vendi i hireve, bekimeve dhe shërimeve të shumta, dhuruar nga Zoti. Në nder të saj u themelua edhe Dita Botërore e të Sëmurëve nga Papa Gjon Pali II-të, që prej 31 vitesh tashmë kremtohet në mbarë Kishën universale.

 Nisur nga kjo, edhe në Katedralen e Shën Nënë Tereza në Vau-Dejës, bashkuar me Papën Françeskun dhe me mbarë Kishën Katolike është kujtuar 11 shkurti.

Në meshën e kremtuar me këtë rast, udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit Imzot Simon Kulli në bashkëcelebrim me meshtarë të tjerë, në praninë e shumë besimtarëve, të ftuar të veçantë ishin të sëmurët nga të gjitha famullitë e dioqezës sonë të shoqëruar nga meshtarët, motrat përgjegjëse në famulli, dhe nga të afërmit e tyre, ku kanë bashkëndarë lutjet me besimtarët e tjerë, duke i kërkuar Zotit ndihmë për t’i lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet e trupit.

Me të filluar kremtimi i shenjtë, Ipeshkvi falenderoi Zotin për dhuratën e jetës së secilit, duke drejtuar disa fjalë dhe mendime lidhur me mësimet e Kishës si dhe porosinë e Papa Françeskut. Ndërsa shtoi më tej se Jezu Krishti na mëson se si duhet edhe ne të kujdesemi për shëndetin dhe të sëmurin, të kemi dashuri dhe dhimbje ndaj atyre që janë në vuajtje. “Është vetëm një mjek, Zoti ynë Jezu Krishti” – citoi ipeshkvi fjalët e Shën Injacit të Antiokisë.

Askush nuk mund të jetë i përjashtuar nga dashuria e jonë, nga çasti kur me mishërimin e Birit të Zotit është i bashkuar në njëfarë mënyre me çdo njeri. I krishteri, duhet të mësojë të bëjë veprën e tij të besimit në Krishtin. Është koha për një pasqyrim të ri të dashurisë që përhapet jo vetëm në efikasitetin e ndihmës së dhënë, por në aftësinë solidare me atë që vuan.

Duke përfunduar Ipeshkëvi ia porositi Virgjëres Mari, Nënës së ngushëllimit të gjithë ata që vuajnë në trup dhe në shpirt, bashkë me punëtorët e shëndetësisë dhe ata që përkushtohen me bujari në ndihmë të të sëmurëve. Ajo ju ndihmoftë tha ai që t’i jepni një kuptim të ri vuajtjes duke e shndërruar atë në një rrugë ungjillëzimi e shëlbimi.

Pas kremtimit të sofrës Eukaristike, Caritasi Dioqezan i Sapës me drejtorin z. Nikolin Lekaj dhe vullnetarët e Caritasit, shtroi një drekë vëllazërore për të gjithë të sëmurët, ku u argëtuan edhe nën tingujt e muzikës live.

 

Violeta Marashi

13 shkurt 2023, 14:59