Kërko

Bazilika e Shën Kryqit në Firence Bazilika e Shën Kryqit në Firence

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti hyn në jetën e secilit

Vijojmë edhe sot ciklin e filluar javën e kaluar, gjatë të cilit do t’ju njohim me disa mendime të Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, si hyn Zoti me jetën tonë, reflektim i Joseph Ratzinger me të rinjtë e dioqezës së Romës, në përgatitje për Ditën XXI Botërore të Rinisë, më 6 prill 2006

R.SH. – Vatikan

 Më duket se sfida më e madhe e kohës sonë, u thoshte të rinjve Papa Benedikti XVI, është shekullarizmi: pra, një mënyrë jetese e paraqitjeje e botës “si Deus non daretur”, domethënë, sikur Zoti të mos ekzistonte. Hyji reduktohet në sferën private, në ndjenjë, sikur Ai të mos ishte realitet objektiv e, kështu, secili e harton vetë projektin e tij të jetës. Por, ky këndvështrim, i cili paraqitet sikur të ishte shkencor, pranon si të vlefshme gjithçka, që mund të verifikohet vetëm me eksperiment.

E, me Zotin që nuk paraqitet në eksperimentin e atypëratyshëm, ky këndvështrim arrin deri ta përçajë shoqërinë: vërtet, si pasojë, secili bën planin e tij e, në fund të fundit, secili vihet kundër tjetrit. Natyrisht, në këtë gjendje, jeta bëhet e papranueshme. Duhet ta bëjmë sërish të pranishëm Zotin në shoqëritë tona. Më duket se kjo është nevoja e parë: Zoti duhet të jetë sërish i pranishëm në jetën tonë e ne nuk duhet të jetojmë sikur të ishim të pavarur, të autorizuar për të shpikur vetë ç’është liria e ç’është jeta. Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se jemi krijesa, të bindemi se ka një Zot që na ka krijuar e kur bëjmë vullnetin e Tij nuk do të thotë se i nënshtrohemi, por se jetojmë dhuratën e dashurisë, që na jep Ai i Lumi.

 Prandaj, pika e parë është ta njohim Zotin, ta njohim gjithnjë e më shumë, të pranojmë se Zoti ekziston dhe hyn në jetën tonë. Çështja e dytë është: ta njohim Zotin, që na e tregoi fytyrën e vet në Jezu Krishtin, i cili vuajti për ne, na deshi deri në vdekje e kështu, fitoi mbi dhunën. Duhet ta bëjmë të pranishëm, së pari në jetën tonë personale, Zotin e gjallë, Hyjin, që s’është i panjohur, i shpikur, vetëm i menduar, por një Zot që na u dëftua, na tregoi vetveten dhe fytyrën e Tij.

Vetëm kështu, jeta jonë bëhet e vërtetë, vërtetësisht njerëzore e, vetëm kështu, edhe kriteret e humanizmit të vërtetë hyjnë qartë në shoqëri. Nuk mund të jemi vetëm në ndërtimin e kësaj jete të drejtë e të duhur, por kemi nevojë të ecim në shoqërinë e miqve të drejtë e të duhur, kemi nevojë për shokë, me të cilët mund të provojmë vërtet se Zoti ekziston dhe se është bukur të ecim me Të. Kjo do të thotë të ecim së bashku me Kishën, e cila, prej shekujsh, na paraqet praninë e Zotit, që flet, vepron e na shoqëron. Prandaj, do të thosha se detyra e secilit prej nesh është ta gjejë Zotin, ta gjejë Zotin e zbuluar në Jezu Krishtin, të ecim në shoqërinë e familjes së Tij të madhe, së bashku me vëllezër e motra, që janë familja e Hyjit.

02 shkurt 2023, 08:43