Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: pa Zotin, njerëzimit i mungon busulla

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u shkruan ipeshkvijve të Kishës Katolike për lëfebvrianët (10 mars 2009) dhe u flet besimtarëve të pranishëm në meshën e kremtuar në Brno, më 27 shtator 2009

R.SH. – Vatikan

Në kohën tonë, në të cilën, në zona të tëra të tokës, feja është në rrezik të shuhet si flakëza e kandilit, që nuk ushqehet më me vaj, ka një përparësi, që qëndron mbi të gjitha: Zoti duhet duhet të bëhet i pranishëm në këtë botë e të njihet nga të gjithë njerëzit. Jo një zot i çfarëdoshëm, por ai Zot, që foli në Sinai; ai Zot, fytyrën e të cilit e njohim në dashurinë e skajshme, deri në fund të fundit (shih Gjn 13,1) – në Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ringjallur. Problemi i vërtetë në këtë çast – u shkruan Benedekti XI ipeshkvijve të Kishës Katolike – është se Zoti zhduket nga horizonti i njerëzve dhe sapo shuhet kjo dritë, që vjen nga Hyji, njerëzimit i mungon orientimi e pasojat shkatërrimtare të kësaj gjendjeje duken përditë e më shumë.

Në Krishtin, Zoti na deshi deri në fund, vijon reflektimin e tij Benedikti XVI në homelinë e meshës së kremtuar në Brno të Republikës Çeke, më 2009. Si feja, ashtu edhe shpresa, në epokën moderne, kanë pësuar një lloj “zhvendosjeje”, sepse janë kufizuar në sferën private, ose jashtëtokësore, ndërsa në jetën konkrete e publike afirmohet besimi në përparimin shkencor dhe ekonomik. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ky përparim ka dy fytyra: hap mundësi për të mirën, së bashku me perspektiva për të keqen. Zhvillimet teknike dhe përmirësimi i strukturave shoqërore janë natyrisht të rëndësishme e, pa dyshim, të nevojshme, por nuk mjaftojnë për të garantuar mirëqënien morale të shoqërisë. Njeriu ka nevojë të lirohet nga vargonjtë materialë, por duhet shpëtuar e, edhe më thellësisht, nga të këqijat, që ia mundojnë shpirtin. E kush tjetër mund ta shpëtojë, përveçse Zotit, që është dashuri dhe e zbuloi fytyrën e vet prej Ati të gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm në Jezu Krishtin? Prandaj, shpresa jonë më e sigurtë është Krishti: në Të, Zoti na deshi deri në fund dhe na e dha jetën me begati (shih Gjon 10,10), atë jetë, për të cilën çdo njeri ka etje të pashuar, nganjëherë edhe pa vetëdije.

Jetojmë në një shoqëri në të cilën çdo hapësirë, çdo çast duket sikur duhet “të mbushet” me nisma, veprimtari, tinguj: shpesh, nuk kemi kohë as të dëgjojmë e as të flasim me njëri-tjetrin. Pa frikë, këshillon Benedikti XVI, të krijojmë një atmosferë heshtjeje brenda dhe jashtë nesh. Vetëm kështu, do të jemi në gjendje jo vetëm ta dëgjojmë zërin e Zotit, por edhe zërin e të afërmit, zërin e tjetrit.

23 shkurt 2023, 09:15